BRITANI – Një 28-vjeçar shqiptar është dënuar nga një gjykatë në Britani për trafik droge me 2 vite e 8 muaj burg. Alban Bruci, u kap me gati 1 kg kokainë me vlerë 50 mijë paund ndërsa po e transportonte me taksi për në Bradford. Shqiptari e transportoi drogën nga Londra për t’ia dorëzuar Shahban Hussain.

Bruci u arrestua më 24 mars të këtij viti, ku e kishte fshehur kokainën një çorape që e mbante poshtë rripit të pantallonave. Gjithashtu u arrestua edhe Hussain, i cili u kap me katër telefona. Me njërin prej tyre i kishte telefonuar 20 herë shqiptarit në dy ditët e fundit. Ndërsa pas arrestimit, ai i telefonoi pesë herë në shtatë minuta. Ishte Hussain i cili kishte rezervuar taksinë për Brucin që ta dërgonte në vendin ku do të takoheshin.

Bruci i tha policisë se ishte paguar 600 paund për të transportuar kokainë në Bradford. Avokati i shqiptarit nga ana tjetër tha në gjykatë se Bruci ka vepruar nën presion. 28-vjeçari ka në diplomë si mekanik dhe ka emigruar në Britaninë e Madhe në vitin 2012. Agjencia e Kufirit në Britani do ta dëboi atë në përfundim të dënimit.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)