Sekretarja Klinton para disa ditës vizitoi Shqipërinë, komenti juaj për mesazhet e saj për politikën shqiptare por dhe për PS?
Vizita e sekretares amerikane të Shtetit, Hilari Klinton është komentuar qartë dhe në qëndrimin e saj në Shqipëri. Për mua nuk ishte thjeshtë një lëvizje e rastit meqënëse ishte në këtë tur ballkanik. Pasi të gjitha qëndrimet që nga takimet me krerët e shtetit, prania e saj në Parlament përmes një fjalimi të qartë dhe plot me mesazhe dhe në veçanti takimi me kreun e opozitës Edi Rama, përmbledhin në vetëvete mesazhe tepër domethënëse. Ato ishin mesazhe të qarta për kreun e qeverisë në veçanti dhe politikën shqiptare në përgjithësi. Them veçanërisht për kreun e qeverisë Berisha, pasi është në qëndrimet tij, në praktikën e tij sulmi ndaj kundërshtarëve dhe kundërshtimi i çdo dialogu. Dhe pikërisht ftesa për të qenë prezent në Kuvend e prania e tyre, gjatë fjalës së Klinton me këmbënguljen e palës mike, e të gjithë krerëve të partive, përfshirë kreun e FRD Bamir Topi, të AK Kreshnik Spahiu, kryeprokurores Ina Rama etj., ishte një mesazh i qartë për sjelljen e Berishës e mungesën e dialogut prej tij. Në të njëjtën linjë ishte dhe takimi me Ramën, të njëjtin kuptim kishte dhe mungesa e konferencës së shtypit me Berishën, për të mos përmendur tezen e dialogut në Kuvend. Pra, sa më shumë të mbahen qëndrime që rregullojnë demokracinë por dhe trondisin autoritarizmin e Berishës, aq më shumë përfitojnë shqiptarët por përfiton dhe opozita e këtij vendi.
Po fitorja e Obamës si shihet nga socialistët...?
Fitorja e Obamës ishte një fitore për të gjithë shqiptarët, jo se do të ndryshonte politika e republikanëve nëse zgjidhej rivali i presidencial i Obamës. Por ka një domethënie fitorja e Obamës, pasi fitorja e demokratëve në Amerikë është fitorja e një programi analog me programin e PS. Por është dhe një shkollë për fushatën dhe fitoren e PS. Dihet që prania e demokratëve në Shtëpinë e Bardhë ka patur përputhje me momentet më kulmore të historisë së Shqipërisë. Kam parasysh ndikimin e ish-presidentit Bill Klinton në çlirimin e Kosovës, mbështetjen e ligjshme që i kanë dhënë çështjes sonë kombëtare në të gjitha momentet kyçe.
Ju thoni se është diasfavor ndaj Berishës zgjedhja e Obamës...?
Unë mund të them se me zgjedhjen e Obamës President shuhen përfundimisht shpresat e Berishës për të manipuluar situatat në përputhje me lidhjet në Uashington, të cilat janë përdorur me shumë efikasitet për të mbuluar zullumet që ka bërë këtu, përmes lobimeve shumëmilionëshe në SHBA. Ai shpresonte të fitonte kandidati republikan për ta përdorur si një revansh të së djathtës dhe në SHBA dhe ku shpresonte të liheshin në sirtar shkeljet e rënda gjatë qeverisjes së tij. Ndaj takimet e Klinton dhe fitoren e Obamës, e shikoj veç të tjerave dhe si një avantazh për opozitën në Shqipëri dhe inkurajimin e saj, dhe për më shumë si një avantazh dhe inkurajim për socialistët në Shqipëri.
Jeni pjesë e grupit të të "urtëve", dhe ditët e fundit keni pasur një takim me kreun e PS Edi Rama. Për çfarë strategjie elektorale është diskutuar, për të mundësia ardhjen e PS në pushtet?
Strategjia e PS, natyrisht e paraqitur nga Edi Rama dhe përfaqësues socialistë, që do të startojë përmes ekspozimit të skandaleve qeveritare, të cilat janë në rritje, paraqitja e elementëve sociale të programit të PS për zgjidhjen dhe mos humbjen e shpresës për situatën ku na ka hedhur Berisha, tregon qartë elementët kryesorë të fushatës paraelektorale përmes të cilës opozita do të kërkojë votën e qytetarëve. Njëherësh mbetet meraku që Kodi Elektoral nuk i ka mbyllur gjithë shtigjet e manipulimit, pasi Berisha ditën që merr pushtetin mendon vetëm për manipulimin e zgjedhjeve që vijnë në radhë. Në këtë kuadër ai kërkon që të tërhiqet PS nga qarku i Fierit, megjithëse PS ka fituar të drejtën e saj në tre nivelet e gjykatës. Në situatën e plotësimit të kushteve për integrimin është vetë Berisha ai që nuk tërhiqet për asgjë. Madje shkel dhe vendimin e gjykatave vetëm e vetëm për të mos u tërhequr, duke rrezikuar seriozisht integrimin. Pasi ka kalkuluar se, vetëm duke pasur qarkun si vegël të tij mund ta përdorë për manipulim në Fier. Kështu që PS i duhet një organizim i fortë në fushatën para dhe elektorale që në momentin e fushatës dhe në daljen e rezultateve të organizojë mirë militantët, të identifikojë dhe të verifikojë imtësisht listat, pasi dihet çfarë ka bërë Berisha me listat e zhvendosjet e votuesve nga qendrat e votimit.
Çfarë duhet të bëjë PS përballë këtyre përpjekjeve...?
PS dhe opozitës përballë këtij qëllimi të Berishës, i duhet të bëjë një punë kapilare shtëpi për shtëpi, individ për individ për të identifikuar e verifikuar të gjithë njerëzit që janë korrektë dhe përjashtuar votuesit e shumëfishtë ose të ardhur nga të tjera vendbanime me karta false. Do të thosha se socialistët kanë goxha përvojë për manipulimet e Berishës dhe po të mobilizohen, sepse kanë detyrë historike për largimin e Berishës nga qeverisja, mund ta kryejnë këtë detyrë të rëndësishme me shumë sukses për të shpëtuar Shqipërinë njëherë e mirë prej tij përmes pengimit të manipulimit të votës. Por dhe për të bërë kalimin e tij në pension politik përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme me 2013.
Eshtë folur shumë për aleancat e PS me partitë afër saj. Si e vlerësoni ecurinë e deritanishme...?
Unë mendoj që ajo çfarë është parashikuar për aleancat në platformën dhe strategjinë e PS, është e pranueshme. PS ka paraqitur dhe lënë një derë të hapur për aleanca sa më të gjëra, duke lënë hapësira dhe mundësira dhe për ndonjërën nga partitë e reja, për programet e kontigjentet që përafrohen me socialistët.
Bëhet fjalë për FRD e Bamir Topit dhe AK e Kreshnik Spahiut...?
Për Aleancën KuqeZi bëhet fjalë, pasi aleanca me të është me e mundshme, është një derë e hapur dhe pse ajo mund të konsolidohet dhe më tej. Për FRD është më pak e mundshme, pasi ka largësi programore me PS, pavarësisht se ajo është shprehur dhe e ka detyrë të largojë Berishën. Mendoj se është më pak i mundshëm një koalicion me FRD e drejtuar nga ish-presidenti Topi.
Po Rama dhe Ruçi kanë bërë thirrje të bashkëpu¬nojnë për largimin e Berishës, si parti opozitare që janë...?
Unë mendoj që bashkëpunime të tilla duhet të ekzistojnë dhe janë të natyrshme. Bashkëpunime që kanë të bëjnë me kontrollin dhe ruajtjen e përbashkët të votës, por që natyrisht vendime të tilla janë të domosdoshme për të gjitha partitë opozitare, në funksion të zgjedhjeve korrekte, të lira dhe të ndershme. Në këtë këtë pike mendoj që të koordinohet bashkëpunimi me partitë opozitare dhe pse nuk mund të bëhet koalicion me to, në mënyrë që secila të bëjë të veten, të pengojnë manipulimin, për të larguar Berishën.
Po një koalicion me LSI sa i mundshëm është...?
Unë e kam dhënë këtë mendim më herët dhe i përmbahem qëndrimi tim që, tashmë iku koha kur LSI mundej të kryente lëvizjen e saj për të bërë të mundur një koalicion me PS. Natyrisht LSI nuk e ndërmori një vendim të tillë, nuk pati asnjë qëndrim politik në funksion të kësaj ideje dhe të një pozicionimi të tillë politik që mund të mundësonte aleancën me PS. Në të dyja aspektet nuk e shoh të mundshme një koalicion mes PS dhe LSI. Në princip PS humb shumë në aleancën me LSI, humb armën themelore të propagandës së saj gjatë kësaj periudhe në opozitë, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe keqqeverisjes. Por ka dhe një arsye tjetër që PS humb shumë nëse bën koalicion me LSI dhe kjo ka të bëjë me interesat kombëtare, për të cilat LSI ka qenë njësh me Berishën dhe dihet si ka qënë qëndrimi i Berishës.
Ka zëra se PS e ka të vështirë fitoren ndaj Berishës pa LSI..?
Pa diskutim nuk ndryshon asgjë. PS humbet me LSI dhe fiton vetë.
Por kreu i PS Edi Rama e la derën të hapur…?
Ma merr mendja se sjellja e LSI e ka mbyllur vetë derën e hapur të PS, pavarësisht se Rama flet për dyer të hapura..
Për 100 vjetorin e Pavarësisë ka një debat të fortë, Berisha ka një axhendë të vetëm ku festimet e 28 nëntorit bëhen në Tiranë..?
Me qëndrimin ndaj Vlorës, Berisha është edhe sadist edhe zogist, edhe haxhiqamilist. Eshtë një përzierje mes tyre. Nuk ka pasur në historinë e Shqipërisë patriotë që të urrejnë Vlorën dhe asnjë tradhtar që të dojë Vlorën. Dhe përmbledhtas mund të them që Vlora ka qsnë treguesi kryesor në të gjitha kohët, ku qëndrimi ndaj Vlorës ka përcaktuar atdhedashurinë ose tradhtinë ndaj Shqipërisë. Kjo dhe për simbolikën që ka Vlora në historinë e Shqipërisë në të gjithë periudhat.
Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com
(Gre.M/Shqiptarja.com)