BRUKSEL, 7 tetor /ATSH-AFP/ - Disa dhjetëra manifestues kurdë u mblodhën sot para Parlamentit Evropian për të tërhequr vemendjen për avancimin e grupit të Shtetit Islamik në qytetin sirian kurd të Kobanes.
Me flamuj kurdë dhe banderola në duar me portretin e shefit separatist turk, Abdullah Ocalan, manifestuesit, burra dhe gra arritën të hyjnë në hollin e parlamentit duke kaluar kordonët e sigurisë.
Ata kanë bërë një veprim protestues duke u ulur në shesh, ndërkohë që disa deputetë evropianë kanë mbërritur për t'i takuar.
"Ne do të luftojmë kundër Shtetit Islamik", është shprehur në anglisht kreu i grupit socialist, Gianni Pittella.
"Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz pranoi menjëherë të priste një delegacion. Ai nënvizoi se mënyra e tyre për të reaguar nuk ishte më e mira, por i siguroi për mbështetjen e Parlamentit Evropian përsa i përket përpjekjeve ndërkombëtare për të ndalur Shtetin Islamik dhe premtoi se do ta transmetonte mesazhin e tyre në NATO", theksoi një burim i Parlamentit.
Luftimet përballën sot kurdët me xhihadistët në disa lagje të Kobanes, që po bie në duart e Shtetit Islamik, pavarësisht goditjeve të koalicionit të gjykuara të pamjaftueshme nga Kurdët.
"Në përfundim të takimit me Schulz, protestuesit u larguan nga vendi me qetësi", sipas të njëjtit burim./
/ec/  a.jor.