BRUKSEL - Donald Tusk nis sot zyrtarisht mandatin në krye të Këshillit Europian, duke u bërë presidenti i parë që do të vijë nga një shtet i ish-bllokut komunist.
 
Tusk dha dorëheqjen si kryeministër i Polonisë pas 7 vitesh qeverisje. Tusk ngarkohet me kryesimin e samiteve të Bashkimit Europian dhe përfaqësimin e BE-së në negociatat ndërkombëtare.
 
Ekspertët pajtohen se sfida e parë për të do të jetë rimëkëmbja e ekonomisë europiane dhe ruajtja e unitetit të BE-së në të paktën 3 fusha kryesore: konfliktin në Ukrainë, mbajtja e Britanisë në union, dhe rimëkëmbjen e ekonomisë.
 
Eurozona është duke luftuar për të dalë nga një krizë financiare, ndërsa Britania kërcënon të dalë nga BE nëse nuk ndryshohen rregullat mbi emigracionin, që sipas tyre dëmton ekonominë britanike.
 
Tusk paraqitet si një lider ambicioz dhe me talent në udhëheqje, strateg i ashpër dhe elokuent. Ai njihet për sukseset e tij në rritjen ekonomike të Polonisë gjatë rënies globale, çka ka bërë që ai të fitojë 2 mandate rresht.
 
Kreu i Këshillit Europian pritet të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë, të cilin e përshkroi jo si një partner, por si “problem strategjik”. Ish-kryeministri polak pason Herman Van Rompuyn duke u bërë personi i dytë që mban këtë pozicion.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)