Leku po fiton gjithnjë e më shumë terren përballë euros, gjë që po shton ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor. Në vetëm tremujorin e parë Banka e Shqipërisë ka blerë nga tregu valutore, gati 3 herë më shumë valutë se vjet.
Në 4 ankande të zhvilluara nga janari deri në mars u blenë 95.5 milionë euro, me qëllim rritjen e rezervës valutore dhe për të garantuar stabilitetin financiar, në kushtet kur forcimi i lekut nuk ka të ndalur.
Në raport me tremujorin e parë të 2025-ës apo edhe të 2024-ës, këtë vit janë blerë rreth 60 milionë euro më shumë. Vjet në janar-mars Banka e Shqipërisë bleu 33.2 milionë euro.
Deri në fund të 2026-ës, do të zhvillohen 26 ankande për blerje valute, dhe synimi i Bankës së Shqipërisë është që këtë vit të blihet përmes ankandeve 330-450 milionë euro për rezervën valutore, ndërsa objektivi i vitit të kaluar ishte 270-350 mln euro.
Pavarësisht objektivit të caktuar, për shkak të zhvlerësimit të fortë të monedhës evropiane, banka bleu në 2025-ën mbi 1 miliardë euro nga tregu valutor, prej të cilave 729.1 milionë euro ishin për të stabilizuar kursin e këmbimit, dhe 297.90 mln euro për rezervën valutore.
Si rezultat i shtimit të ndërhyrjeve në treg, rezerva valutore arriti shifrën rekord prej 7 miliardë e 669 milionë euro në fund të majit 2026, nga 6 miliardë e 780 milionë euro në maj të vitit të kaluar. Pra brenda një viti është shtuar me 889 milionë euro.
Pavarësisht ndërhyrjeve gjasat janë që zhvlerësimi i euros të mos ndalet, pasi me kulmin e sezonit turistik, pritet që presionet mbi kursin të vijojnë, duke mbajtur euron në nivele të ulëta historike edhe në muajt në vijim.
Forcimi i vazhdueshëm i lekut është kthyer në një nga temat më të debatuara ekonomike, në ditët e fundit, marrë shkas nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili rënien e euros e konsideron si ‘sukses ekonomik’ duke e lidhur me flukset valutore që vijnë në vend nga turistët, investimet e huaja apo remitancat.
Komente









