Fatos Çoçoli: BSH dhe frenimi i inflacionit

Fatos Çoçoli: BSH dhe frenimi i inflacionit

Banka e Shqipërisë

Sfida më e madhe për bankat qendrore kudo në botë është të frenojnë shtimin e inflacionit, pa shkaktuar renie ekonomike. Pesha e çmimeve jashtëzakonisht të larta ose rritja  e  shpejtë e  inflacionit (mesatares se çmimeve ne treg), po dëmton fuqinë blerëse dhe ka ulur konsumin.

Nivelet e frikshme të inflacionit

Gjithshka në muajt shkurt-gusht 2022, madje dhe në këto tre javët e para të shtatorit, po rritet me galop të pandërprerë: energjia elektrike, nafta, perimet, interneti, hotelet dhe fluturimet. Lufta në Ukrainë, bllokimet e vazhdueshme në Kinë, një krizë e vazhdueshme e energjisë dhe zinxhirët e ndërprerë të prodhimit kudo ne bote, janë përplasur me një oreks të madh dhe te shtuar për mallra dhe shërbime. Kjo ka sjelle prishjen e ekuilibrit delikat midis ofertës dhe kërkesës, duke i çuar çmimet në nivele rekord.

Në një mënyrë pothuajse të sinkronizuar, bankat qendrore nga e gjithë bota po nxitojnë të rrisin normat e tyre bazë të interesit, në një përpjekje për të zbutur inflacionin galopant. në rritje, i cili, për zhgënjimin e tyre, vazhdon të thyejë rekorde mujore. Kur një bankë tregtare kthen atë që ka marrë hua nga banka qendrore, ajo duhet të paguajë një normë interesi. Banka qendrore ka fuqinë të vendosë normat e saj të interesit, të cilat në mënyrë efektive përcaktojnë çmimin e parasë. Këto janë normat bazë që bankat qendrore po i rrisin aktualisht, për të zbutur inflacionin. Këtë po bën në këta muaj(e ka rritur tre herë normën e parasë, që nga shkurti 2022) edhe banka jonë qëndrore, Banka e Shqiperisë.

Kushtet më të shtrënguara financiare çojnë në mënyrë të pashmangshme në një rënie të shpenzimeve të konsumatorëve në shumicën ose të gjithë sektorët ekonomikë. Kur kërkesa për mallra dhe shërbime zvogëlohet, çmimi i tyre tenton të bjerë. Kjo është pikërisht ajo që bankat qendrore synojnë të bëjnë tani: të frenojnë shpenzimet për të frenuar inflacionin. Bankat qendrore janë institucione publike të një natyre unike: ato janë subjekte të pavarura, jo-tregtare, të ngarkuara me menaxhimin e monedhës së një vendi ose, në rastin e BQE-së, një grup vendesh. Ato kanë kompetenca ekskluzive për të emetuar kartëmonedha dhe monedha, për të kontrolluar rezervat valutore, për të vepruar si huadhënës emergjent dhe për të garantuar shëndetin e mirë të sistemit financiar. Misioni kryesor i një banke qendrore është të sigurojë stabilitetin e çmimeve. Kjo do të thotë se ato duhet të kontrollojnë inflacionin, kur çmimet rriten.

Banka e Shqipërisë dhe beteja për inflacionin

Stabiliteti i çmimeve ka qenë dhe mbetet misioni kryesor i Bankës së Shqipërisë. Ruajtja  e  fuqisë  blerëse  të  monedhës  sonë  kombëtare,  garantimi  i  vlerës  së  kursimeve të familjeve shqiptare, mbështetja e stabilitetit financiar, dhe krijimi i kushteve sa më optimale të kreditimit për një periudhë afatgjatë kohore, janë shërbimi më i mirë që politika jonë monetare mund t’i japë ekonomisë shqiptare.

Ndër të paktat politika ekonomike efiçiente të zbatuara në këto shtate vitet e fundit tek ne është pa dyshim ajo monetare(e lekut), e zbatuar nga Banka e Shqipërisë dhe e pranuar si nga publiku vendas, ashtu edhe institucionet financiare ndërkombëtare, në radhë të parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar. Teoria dhe praktika botërore sugjerojnë se qëndrueshmëria e çmimeve është kontributi më i madh që një bankë qendrore mund të japë, për të mbështetur rritjen afatgjatë ekonomike të vendit. Gjatë shtatë viteve të fundit, këtë kontribut e ka dhënë dukshëm dhe bindshëm banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë. Këtë e vërtetuan edhe dy vitet shumë të vështirë të pandemisë 2020-2021 dhe vlerësimet e raporteve monitorues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Më konkretisht, nëpërmjet garantimit të stabilitetit të çmimeve, Banka e Shqipërisë jep një vlerë të shtuara të drejtpërdrejtë në ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë të vendit, në uljen e primeve të rrezikut, në rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe në përmirësimin afatgjatë të mirëqenies së qytetarëve. Prandaj dhe objektivi kryesor i politikës monetare të bankës sonë qendrore është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Megjithatë, ruajtja e vlerës së këmbimit të monedhës kombëtare, lekut, përbën ndoshta një nga arritjet më siguruese të Bankës së Shqipërisë, sidomos në këto kohë të turbullta lufte në Evropë dhe rritjeje galopante të çmimeve të karburanteve, të ushqimeve dhe të energjisë elektrikes kudo në botë. Banka jonë qendrore, me politikën e saj të matur dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së vlerës së këmbimit të lekut, edhe pse nuk është detyra e saj e parë ligjore, jep siguri se gjendja jonë financiare si vend dhe ekonomi nuk do të përkeqësohet në të ardhmen, megjithë rrebeshin shumë të fortë të rritjes së çmimeve bazë. Të gjithë vepruesit në tregun e këmbimit valutor, por edhe eksportuesit dhe shumë sipërmarrës të sektorëve themelorë të ekonomisë, i kanë sytë tek banka jonë qendrore dhe tregohen të sigurtë se Banka e Shqipërisë nuk e lejon monedhën kombëtare të zhvlerësohet dhe dobësohet dukshëm. Ndërhyrjet e fundit në treg, kur euro, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, u rrit ndjeshëm në raport me lekun (25 shkurt-8 mars), treguan se vlera e këmbimit e monedhës sonë është në duar të sigurta.

BSH dhe kursi i këmbimit

Banka e Shqipërisë monitoron në mënyrë aktive kursin e këmbimit dhe e merr atë në konsideratë në hartimin e programit monetar. Vargu i instrumenteve të politikës monetare të disponueshme për autoritetet është zgjeruar në vitet e fundit, duke çuar në më shumë stabilitet dhe parashikueshmëria për lidhjen ndërmjet ndryshimeve në ofertën e parasë dhe ndryshimeve në nivelin e çmimeve. Gjithashtu, futja e instrumenteve indirekte të politikës monetare duket se ka kontribuar në efektshmërinë e mekanizmit të transmisionit të kursit të këmbimit të politikës monetare në ekonominë tonë reale. Politika e qëndrueshme e shënjestrimit me 3 përqind në vit për inflacionin ka funksionuar mjaft mirë deri tani. Efektet e rritjes së çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë janë të përkohshme dhe do të qetësohen me arritjen e një armëpushimi të mundshëm mes Rusisë agresore dhe Ukrainës. Politika monetare aktive e bankës sonë qendrore, duke u përpjekur të ndikojë pozitivisht prodhimin dhe punësimin, ka lënë gjurmët e saj në një stabilitet dhe rezistencë të mirë të lekut ndaj valutave të forta. Megjithëse e ndodhur në një presion rritës të çmimeve ndërkombëtare, Banka e Shqipërisë ka vijuar të luajë një rol stabilizues në ekonomi, nëpërmjet politikave të matura monetare, të verifikuara më së miri gjatë dy viteve të vështirë 2020-2021 të pandemisë, por edhe administrimit të kujdesshëm të kursit të këmbimit të lekut, duke ndërhyrë herë pas here, për të lehtësuar goditjet ndaj vlerës së këmbimit të monedhës kombëtare.

Zgjerimi  i  konsumit,  i  investimeve  dhe  i  eksporteve  shqiptare,  ka  pasqyruar  fleksibilitetin  e  ekonomisë  sonë,  shëndetin  e  bilanceve  financiare,  por  edhe  stimulin e lartë monetar e fiskal të injektuar gjatë dy viteve të shkuara. Në të njëjtën kohë, rritja e kërkesës për mallra e shërbime ka sjellë rritjen e prodhimit, të shitjeve, të punësimit e të pagave, duke ndihmuar buxhetin e familjeve dhe biznesin shqiptar.

Kjo ecuri jep sinjale inkurajuese për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike, edhe në  prani  të  një  ambienti  aspak  të  favorshëm  të  huaj,  por  ajo  rrit  gjithashtu  mundësinë që presionet inflacioniste të bëhen më të forta e më të qëndrueshme në kohë. Nivelet e larta të inflacionit janë sfida kryesore e politikave ekonomike dhe e operatorëve të sektorit privat.

Rritjet e normës së interesit nga ana e bankës sonë qëndrore synojnë të krijojnë kushtet e duhura monetare, që inflacioni të kthehet  në  objektiv,  brenda  një  horizonti  të  arsyeshëm  kohor  dhe  pa  cënuar  perspektivën e ritmeve pozitive të rritjes ekonomike për ekonominë tonë.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me propozimin e Berishës që votimi të bëhet i detyrueshëm?



×

Lajmi i fundit

Miqësoret/ Gentian Mezani rikthen Laçin te suksesi, triumfojnë Kukësi dhe Tirana

Miqësoret/ Gentian Mezani rikthen Laçin te suksesi, triumfojnë Kukësi dhe Tirana