Sipas këtij Raporti, në fund të tremujorit të dytë 2013, totali i kredisë bankare për blerje pasurie të paluajtshme u rrit me 4.89% ndaj një viti më parë, pas një zgjerimi me 2.07% në tremujorin e parë të vitit. Në fund të tremujorit të dytë 2013, norma e interesit për kredi për blerje pasurie të paluajtshme ka rënë me 1.02 pikë përqindje në terma vjetorë, duke ndjekur prirjen rënëse të tremujorit të parë 2013.
Por, kostoja relative e pagesës së kredisë për blerje pasurie të paluajtshme rezulton se ka vijuar të rritet përgjatë gjashtëmujorit të parë 2013, me një rritje prej 3.26 pikë përqindje në fund të tremujorit të dytë të vitit në terma vjetorë.
Në terma relativë, kostoja e huasë për banesa është rritur pasi çmimi i banesave ka rënë më shumë sesa norma e interesit të huasë. Ky ndryshim e bën koston e pagesës së huasë më të shtrenjtë në terma relative. Një prirje e ngjashme u reflektua edhe në gjashtëmujorin paraardhës në vijim të procesit të qëndrueshëm të korrektimit të çmimeve në tregun e banesave.
Kredia e keqe
Raporti i kredive me probleme për blerje pasurie të patundshme ndaj tepricës së kredisë për këtë qëllim shënoi 13.57%, në fund të këtij gjashtëmujori, ose 0.69 pikë përqindje më tepër krahasuar me 12.88% që rezultonte në fund të vitit 2012. Sidoqoftë, ky tregues është më i ulët se një vit më parë, periudhë në të cilën shënonte një vlerë prej 13.9%.
Kredia
Në gjashtëmujorin e parë 2013, kredia afatshkurtër për individë në total rezulton të ketë shënuar rritje jo të vogël, me 20.43%. Në të njejtën kohë, kredia afatmesme është tkurrur me 3.38%, ndërsa ajo afatgjatë është zgjeruar me 2.16% në terma vjetorë. Kredia afatshkurtër zë 8.2% të tepricës së kredisë për individët, kredia afatmesme zë 12.9% dhe ajo afatgjatë zë 78.9% të portofolit të kredisë për individë.
Sa i përketë vetëm kredisë së dhënë për herë të parë, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013, sektori bankar dha shumë më pak kredi të re, në masën 105.8 miliardë lekë, çka është 36.3 miliardë lekë ose 25.5% më pak krahasuar me fundin e vitit 2012. Krahasuar me një vit më parë, niveli i kredisë së re evidentohet të ketë rënë me 20.5 miliardë lekë ose 16.3%.
Të njëjtën tendencë paraqet edhe kredia e mbledhur gjatë periudhës. Më konkretisht, sektori bankar mblodhi kredi në masën 103.7 miliardë lekë, 35.2 miliardë lekë (25.3%) më pak se në fund të vitit 2012 dhe 12.7 miliardë lekë (10.9%) më pak se gjatë të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Nga vijnë të ardhurat e familjeve shqiptare
Sipas rezultateve të vrojtimit të BSH, burimet kryesore të të ardhurave të familjeve të vrojtuara vazhdojnë të mbeten të ardhurat nga vetëpunësimi, pensioni dhe puna në sektorin privat, përkatësisht për 28%, 28% dhe 24% të totalit të personave që sigurojnë të ardhura. Pesha e emigracionit dhe e punës në sektorin privat, si burime të ardhurash, ka rënë gjatë gjashtëmujorit të parë 2013 krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, ndërkohë që pesha e të vetëpunësuarve ka vazhduar të rritet. Rreth 52% e familjeve të përgjigjura deklarojnë të ardhura mujore (lekë dhe valutë) në nivelin 17 mijë-50 mijë lekë dhe 22% në nivelin nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë.
Shkrimi u publikua sot (13.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)