Bujar Nishani: Duhet tryezë
politike, i gatshëm të asistoj

Bujar Nishani: Duhet tryezë<br />politike, i gatshëm të asistoj
TIRANE- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kërkon zgjidhje politike për reformën në sistemin e drejtësisë, duke ngarkuar me përgjegjësi vendimmarrësit politik. Gjatë pritjes së fillimvitit me gazetarët, kreu i shtetit apeloi që politika shqiptare të lërë retorikat dhe të ulet sa më parë në një tryezë të përbashkët për të konkretizuar qëndrimet për reformën në drejtësi.

Sipas tij, liderët politik duhet të përcaktojnë piketat se ku duhet të kalojë drafti dhe më tej procesi të lihet në dorën e ekspertëve. “Përgjegjësia e procesit mbetet tek lidershipi politik i cili duhet të përcaktojë piketat ku duhet të kalojë ky proces. Ndaj i ftoj ata të ulen në një tryezë dhe t’i lënë hapësirën ekspertëve ta jetësojnë vullnetin e tyre politik. Reforma në drejtësi nuk mund të jetë shprehje e vullnetit përmes retorikash”, u shpreh Nishani. Presidenti tha se do të japë ndihmën e tij duke thirrur tryezën për këtë proces të konsideruar kyç për integrimin e vendit tonë në BE.

“Presidenti do të japë ndihmesën e tij mes palëve. Unë vazhdoj të besoj se vullneti i shprehur i të gjithë aktorëve, posaçërisht atyre politik, është serioz por ky vullnet tashmë duhet të ketë një produkt, duhet të prodhojë një mekanizëm i cili duhet të nxjerrë jashtë sistemit prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar dhe të paaftë dhe të shkallmojë nga themeli piramidën e zhvatëseve të pasurive publike, nëpunësit”, theksoi Nishani. Kreu i shtetit cilësoi se reforma në drejtësi, përtej sugjerimeve të drejta të Komisionit të Venecias, duhet të jetë gjithëpërfshirëse, transparente dhe afatgjatë, si dhe të merret edhe mendimi i presidentit.

Qëndrimi i kreut të shtetit vjen pas ftesës së Lëvizjes Socialiste për Integrim se tashmë është radha e politikës për të dhënë fjalën e saj për reformën në drejtësi dhe dakordësisë së shprehur parimisht nga Partia Demokratike. Ndonëse, opozita ka paralajmëruar gjithashtu se edhe në tryezën e nivelit të lartë të politikës, përfshirë edhe takimin trepalësh Rama-Meta-Basha, s’do heqin dorë nga kërkesat e tyre. Gjithashtu, gjatë fjalës së tij para përfaqësuesve të mediave, kreu i shtetit Bujar Nishani shprehu kritika ndaj qeverisë për një sërë ligjesh që sipas tij e kanë anashkaluar Presidentin si institucion.

“Reformat e kërkuara për hapjen e negociatave në BE vazhdojnë të zvarriten, ndërkohë kur trupat tona paqeruajtëse japin kontribut në botë dhe në një kohë që zinxhiri komandues i këtyre forcave është i përcaktuar me kushtetutë, roli i komandantit të përgjithshëm të FA janë minimalizuar në një masë të papranueshme. I papranueshëm është ligji për Shërbimin e Jashtë, ku presidentit kreu i diplomacisë i vë afat kohor për dekretimin e përfaqësuesve diplomatik. Apo edhe ligje të rëndësishme, Arsimi i Lartë, ligji i Pronave, ku siguria juridike cenohen, liritë e disa shtresave nëpërkëmbën...”, tha Nishani


Tryeza/Spaho: Jemi të gatshëm për çdo vendim politik
PD: “Ok” tryezës politike, por kërkesat tona nuk negociohen
 
Partia Demokratike i përgjigjet pozitivisht festës së Lëvizjes Socialiste për Integrim, për një takim trepalësh të kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, për t’i dhënë zgjidhje reformës në sistemin e drejtësisë. Një ditë pas thirrjes së nënkryetarit të LSI dhe njëherazi ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, janë demokratët të cilët i përgjigjen pozitivisht ftesës në parim. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, u shpreh gjatë një prononcimi për “Shqiptarja.com” se opozita është e gatshme për çdo vendimmarrje politike e cila shkon në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Por nga ana tjetër, demokratët do ta kushtëzojnë edhe këtë tryezë me kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me përdorimin e shumicës prej 2/3 për emërimet në institucionet Kushtetuese.

“Kryetari Basha menjëherë pas paraqitjes të vërejtjeve të Komisionit të Venecias i bëri thirrje Edi Ramës dhe Ilir Metës të punojmë së bashku për adresimin e gjithë vërejtjeve të paraqitura nga ky komision. Për tu bërë kjo e mundur janë të nevojshëm vullneti politik dhe vendimmarrja politike”, u shpreh Spaho.

Gjithsesi, kërkesat e demokratëve për ndryshimin e formulës së zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe përfaqësuesve të institucioneve të tjera Kushtetuese, do të mbeten në fuqi edhe në rast se do të mblidhet tryeza trepalëshe. “PD e ka shprehur qartë vullnetin politik që reforma të ecë përpara në përputhje me linjat e Komisionit të Venecias dhe po ashtu është e gatshme të marrë çdo vendim politik që i shërben zbatimit të rekomandimeve të Komisionit të Venecias në cilindo format të propozuar”, deklaroi më tej ai.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

 
 
 
Kompromisi
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duket se kanë gjetur gjuhën e përbashkët edhe për formatin mbi të cilin do të diskutohet dhe miratohet reforma në drejtësi, duke rënë dakord edhe për tryezën trepalëshe Rama-Meta-Basha
 
Tryeza
Demokratët janë parimisht dakord për tryezën e nivelit të lartë, por nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre, për zgjedhjen me 2/3 të përfaqësuesve të institucioneve Kushtetuese, si KLD apo dhe Këshilli i Prokurorisë
 
Propozimet e PD
 
Votim me 2/3, ose zbatim i formulës së KQZ për drejtësinë
 
Eksperti i Partisë Demokratike pranë komisionit të reformës në drejtësi, Enkelejd Alibeaj, deklaron i vendosur se asnjë tërheqje nuk do të ketë deri sa mazhoranca të tërhiqet për votën me të cilën do të bëhen emërimet nga Kuvendi në Gjyqësor. Me 84 vota, sipas tij, sistemi i drejtësisë kapet politikisht dhe nuk zbatohet rekomandimi i Komisionit të Venecias për përfshirjen thelbësore të opozitës. Alibeaj tha se duhet një vendimmarrje politike për këtë çështje delikate përderisa ekspertët e palës tjetër nuk reflektuan. Gjithashtu, demokratët mund të kërkojnë edhe zbatimin e mekanizmit të zgjedhjes së anëtarëve të KQZ për gjyqësorin. “Kjo mazhorancë i ka 84 vota dhe kjo do të thotë çimentim i kapjes politike të sistemit të drejtësie”, u shpreh ai. Sipas Alibeajt, këmbëngulja për ta bërë në mënyrë të njëanshme e në kundërvënie të asaj që Komisioni i Venecias ka rekomanduar, tregon qëllimin e mazhorancës për t’i shkuar deri në fund asaj që ka planifikuar në krye të herës. “3/5 i japin në dorë mazhorancës ta kapë politikisht sistemin e drejtësisë dhe një shumicë tjetër më e lartë e eliminon kapjen partiake”, theksoi eksperti demokrat.
 

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

E hëna e 22 korrikut, dita më e nxehtë në histori

E hëna e 22 korrikut, dita më e nxehtë në histori