Kanë kaluar 6 muaj nga nisja e punimeve të një projekti që duhet të ishte pothuajse në gjysmën e realizimit të vet, por bulevardi i ri i Tiranës ka mbetur pezull duke u kthyer disa herë në objekt përplasjesh institucionale. Ndërsa këtë të enjte INUK ka kërkuar nga firma që po kryen punimet të ndërpresë punën, në terren janë shfaqur menjëherë punonjësit e Policisë Bashkiake, të cilët e kanë kundërshtuar këtë vendim. Prezenca e punonjësve të bashkisë ka irrituar banorët e zonës, të cilët kanë mbështetur vendimin e INUK për pezullimin e punimeve të bulevardit.
As mbërritja në vendngjarje e nënkryetarit të bashkisë Enno Bozdo nuk ka mundur të ulë tensionin mes palëve, ndërsa ai ka akuzuar qeverinë për bllokimin e punimeve. “Sot, duke shkelur çdo ligj, çdo procedurë, çdo moral, INUK ka bllokuar përsëri këtë vepër të rëndësishme. Por, ky nuk është problem i INUK, ky është problem i liderit të tij politik, Edi Ramës i cili në mënyrë bandite, po drejton një qeveri bandite që nuk njeh as ligje, as të drejtë dhe as interesa qytetarësh.
Ne jemi këtu, për të thënë që do të ndjekim çdo hap ligjor dhe do të ndërmarrim çdo masë tjetër të nevojshme e të domosdoshme që punimet të mos ndërpriten”, ka deklaruar Bozdo. Ky i fundit u shpreh se Rama po përdor edhe banorët e zonës së bulevardit për të penguar punimet, ndërkohë që ai ka të gjithë autoritetin e nevojshëm për të rritur çmimin e shpronësimit, nëse vërtet do të ishte i shqetësuar për banorët.
Prefekti në krah të qytetarëve
Pas këtyre deklaratave Prefektura e Tiranës këtë radhë ka reaguar nga vendi i ngjarjes. Prefekti i Qarkut, Sadi Vorpsi ka qetësuar banorët duke i siguruar ata se shtëpitë e tyre nuk do të shemben pa u bërë më parë kompensimi i tyre i plotë. Prefekti u shpreh se nuk është kundër ndërtimit të bulevardit të ri, por banorët nuk mund të lihen në qiell të hapur. Ndërkohë ka pohuar se ai ka miratuar dhe firmosur fondin e parave që u është vënë në dispozicion nga ish qeveria e kaluar.
“Unë si Prefekt nuk mund të injoroj kërkesën dhe protestën e qytetarëve të Tiranës, të cilët në fund të fundit kanë të drejtë: Ata duan të shpronësohen. Bashkia e Tiranës duhet t’i dëgjojë këta qytetarë. Unë i bëj thirrje kryetarit të Bashkisë së Tiranës, të mos bëjë politikë. T’i përkushtohet detyrës që ka, të mos prishë shtëpitë dhe të mos lërë tironsit nën qiell të hapur pa i dëmshpërblyer më parë.” – shpreh prefekti Sadi Vorpsi.
Konfrontime fizike
Por, pas përplasjeve të INUK-Bashkisë dhe Prefektit banorët janë konfrontuar me Policinë Bashkiake ndërsa kanë pohuar se për ta ende nuk është gjendur një zgjidhje dhe 208 familjet mbeten në qiell të hapur. “Me 200 forca policia, nënkryetari është e treta herë që vjen në mënyrë të maskuar. Unë kërkoj vlerësimin real të tokës sime. Në fletoren zyrtare janë deklaruar vetëm 100 milionë lekë. Unë dua vlerën e tregut.
Dua shfuqizimin e VKM së hajdutëve Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Të mendojnë mirë kur marrin shtëpitë. Vlera e tregut është mbi 1 mijë euro metri, ndërkohë ato na japin vetëm 100 milionë”, thotë banorja e zonës e cila preket nga ky projekt. Qëndrimi i pronarëve të shtëpive që preken nga ndërtimi i bulevardit të ri të Tiranës është i prerë. Nëse nuk do të ketë dialog mes tyre dhe bashkisë dhe transparencë mbi atë çka do të ndodhë ata do të protestojnë në të gjitha format.
Punimet jo brenda afatit
Përplasjet mes qeverisë dhe bashkisë por edhe reagimet e banorëve për shpronësimin e tokës dhe banesave të tyre duket se po bëhen peng për punimet e bulevardit të ri. Punimet për zgjatimin e bulevardit të Tiranës kanë nisur në shtator të 2013-ës dhe ishte parashikuar që të përfundonin brenda 18 muajsh. Firma, e cila po realizon punimet është "Copri - Construction Enterprises LLW". Ndërsa kostoja e ndërtimit është 26 milionë euro. Nga zbatimi i projektit të bulevardit të ri të Tiranës preken 204 objekte dhe 38.642 m² truall. Në total janë 262 pronarë të cilët do të shpronësohen nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e bulevardit të ri.
Shkrimi u publikua sot (21.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)