Dita e sotme do të shënojë edhe mbylljen për pak kohë të Bunk’Art, i cili ka qëndruar i hapur për publikun, por vizitorë e kureshtarë të shumtë kanë vijuar të popullojnë të 106 dhomat e tij.
Qytetarët nuk ngurojnë të lënë shënimet e tyre në librin e përshtypjeve të bunkerit duke dashur të bëhen sadopak pjesë e tij me opinionet dhe vlerësimet e tyre.
E palodhur dhe me një buzëqeshje për çdo kënd që afrohet në banakun e bunkerit, Natasha shprehet për A1 Report se interesi dhe fluksi për reliket e komunizmit ka qenë mjaft i lartë gjatë çdo ditë nga hapja e dyerve të blinduara pas 36 vitesh.
“Nga dita e hapjes deri sot them që ka pas shumë njerëz, ka pas shumë interes, ka pasur mosha të ndryshme, të profesioneve të ndryshme, dhe ndoshta këtu është stacioni i fundit dhe më duhet ndoshta për njerëzillëk të pyes a u kënaqën nga ky ambient që panë dhe kanë mbetur me gjithë mend shumë shumë të kënaqur, shumë të rinj thonë se kanë bërë shumë mirë që e kanë rihapur këtë muze për të ditur se si kanë jetuar prindërit tonë, ku kanë jetuar. Fluksi nuk ka pushuar dhe sot që është dita e fundit sic e shikoni ka akoma interes për këtë ambient,”-është shprehur Natasha.
Që prej datës 22 nëntor kur është çelur mbi 60 mijë persona patën mundësi të shikonin nga afër dokumente origjinale të periudhës së pushtimit nga nazi-fashistët, dhomat e përgatitura për të mbrojtur krerët e udhëheqjes në rast sulmi bërthamor, si dhe mjaft objekte interesante që i përkasin asaj periudhe dhe gjithashtu instalacionet artistike plot fantazi të sjella nga artistët shqiptarë.
Sipas vëzhgimeve të A1Report, njëra nga dhomat që ka zgjuar interes të veçantë është ajo e ish-diktatorit Enver Hoxha, por edhe ish-kryeministrit Mehmet Shehu.
Gjithashtu hapja e bunkerit të nëndheshëm ka pasur jehonë edhe në mediat botërore.
Përveç turistëve shqiptarë që kanë vërshuar përgjatë të gjitha ditëve që bunkeri ka qenë i hapur, nuk ka munguar fluksi nga turistët e huaj, të cilët e kanë pasur të vështirë të perceptojnë të gjitha vuajtjet e popullit shqiptar gjatë periudhës së errët të komunizmit.
Interes të veçantë për Bunk’Art më së shumti kanë treguar të rinjtë duke njohur nga afër relike nga ajo periudhë e errët.
Bunkeri anti-bërthamor i komunizmit pritet të hapet sërish gjatë fillimit të vitit 2015.
Redaksia Online
(xh.k./shqiptarja.com)