Burg kush kërkon favore
seksuale në punë në Kosovë

Burg kush kërkon favore<br />seksuale në punë në Kosovë
Shoqëria civile i rekomandon Qeverisë së Kosovës që të rishikojë legjislacionin për barazinë gjinore dhe ligjin kundër diskriminimit. Kjo pasi në një anketim të fundit të përgatitur nga organizmat ndërkombëtare, siç është edhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim UNDP, rezulton se Kosova është mjaft mbrapa sa i përket respektimit të barazisë gjinore dhe procedurave të rekrutimit në punë.

Madje te kjo e fundit mbizotëron korrupsioni, nepotizmi dhe favoret seksuale.

Ndër rekomandimet që raporti i drejton Qeverisë është edhe që Ligji Kundër Diskriminimit në Kosovë dhe Ligji për Barazi Gjinore, që aktualisht janë në procedurë të rishikimit, duhet ta përkufizojnë qartas si vepër penale kërkimin e favoreve seksuale për ngritje në detyrë dhe t’i përshkruajnë ndëshkimet specifike.

Pastaj thuhet se Institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë procedura tërësisht transparente të punësimit dhe ngritjes në detyrë, në zbatim të rregullave dhe rregulloreve ekzistuese në fuqi.

Rekomandohet që mekanizmat e ankesave duhet të jenë në dispozicion dhe duhet të jenë lehtësisht të qasshëm.
Si dhe pas miratimit të ligjeve dhe legjislacionit sekondar, rekomandohet që departamentet përkatëse ligjore duhet të nxjerrin udhëzime të shkruara për zbatimin e tyre.

Anketimi
Ndërkohë lidhur me situatën e barazisë gjinore dhe korrupsionit, Kosova vlerësohet si mjaft problematike.
Sipas një anketimi të publikuar këtë fundjavë në Tiranë, nga PNUD me temë: “Rreziqet dhe cenueshmëritë e korrupsionit që kanë të bëjnë me barazinë gjinore në shërbimin civil të Kosovës” thuhet se 49 % e të punësuarve në administratën shtetërore të Kosovës thonë se flirtimi me një koleg pune është një formë korrupsioni, po ashtu edhe pranimi i dhuratave mes tyre.

Në tërësi 85 % e nëpunësve civilë mendojnë se ka korrupsion në administratë. Konkretisht kur gjatë anketimit u kërkua që të vlerësohet se sa i pranishëm është korrupsioni në shërbimin civil të Kosovës, vlerësimi mesatar ishte 3.1, ku 1 ishte “nuk është i përhapur” ndërsa 5 qe “shumë i përhapur”.

Korrupsioni
73% e të anketuarve të punësuar në nivel qendror thanë se “nepotizmi, favorizimi dhe klientelizmi” si forma të korrupsionit janë të pranishme në shërbimin civil në Kosovë, ndërsa 62% e të anketuarve besojnë se “ryshfeti” gjithashtu është i pranishëm.
Perceptimi se burrat kanë më shumë prirje ndaj korrupsionit ishte më i madh, dhe se gratë janë më të ndershme dhe më pak të korruptuara. 10% e të anketuarve në nivel qendror pohuan se kanë qenë dëshmitarë të korrupsionit në vendin e tyre aktual të punës. Prej atyre që kanë qenë dëshmitarë të korrupsionit, vetëm 37% kanë theksuar se e kanë raportuar atë.
Në lidhje me politikat në vendin e punës, plotë 60% e të anketuarve në nivel qendror deklaruan se “politikat e shkurtimeve” nuk u janë dhënë në dispozicion, dhe 58% theksuan “politikat e tepricës” nuk u janë dhënë në dispozicion.

Intervistat
Nga 800 intervista sasiore, 50,2% e tyre janë kryer me të anketuara gra, ndërsa 49,8% janë zhvilluar me të anketuar burra. 450 intervista janë administruar me punonjës të institucioneve qendrore dhe 350 intervista të tjera janë realizuar me punonjës të institucioneve lokale.
Në aspektin e përkatësisë etnike, shumica dërrmuese e të anketuarve ishin me kombësi shqiptare (91,4%), vijuar nga të anketuarit serbë (6,8%), kurse 2% e të anketuarve ishin pjesëtarë të pakicave të tjera (egjiptianë, boshnjakë, turq dhe kroatë). Sipas këtij anketimi ekziston një lidhje midis përfaqësimit më të lartë të grave në institucione dhe niveleve të ulëta të korrupsionit.

Një studim me ndikim i 150 vendeve në Evropë, Afrikë dhe Azi, i realizuar nga Banka Botërore, erdhi në përfundim se gratë janë më të besueshme dhe më pak të prira në korrupsion, një gjetje që më vonë është vërtetuar nga hulumtimet shtesë të Bankës Botërore.

Situata në Kosovë
“Në përgjithësi, Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha kur është fjala për forcimin e sundimit të saj të ligjit, duke përfshirë luftën efektive kundër korrupsionit, vijuar nga zbatimi i dobët i ligjeve. Kjo shpeshherë mund të ketë ndikim edhe në pozitën e gruas dhe aftësinë e saj për ta luftuar korrupsionin, meqë mungesa e besimit në institucione mund të ketë ndikim në gatishmërinë e tyre për ta treguar, raportuar apo luftuar korrupsionin”, thuhet në raport.

Praktikat diskriminuese kundër grave në Kosovë janë të pranishme në të gjitha nivelet dhe reflektohen edhe në nivelin e përfaqësimit të grave në shërbimin civil të Kosovës. Nga 70,326 nëpunës publikë të Kosovës, 38% janë gra dhe 62% burra.

Gratë përbëjnë vetëm 9,5% të pozitave të larta vendimmarrëse, si Sekretare të Përgjithshme dhe Kryeshefe Ekzekutive, dhe 23,2% janë në pozita të tjera të nivelit të mesëm vendimmarrës.

Kjo situatë mund të ketë ndikim në gatishmërinë e tyre për ta raportuar apo për t’u bërë pjesë e strukturave që mund ta luftojnë aktivisht korrupsionin. /Gazeta Express/
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

'Bomba' e

'Bomba' e "The Telegraph": Udhëheqësi i Hamasit u vra nga agjentët iranianë, me urdhër të Mossad!