TIRANE - Pak orë pas vrasjes së komisarit të policisë Dritan Lamaj pasditen e 24 shkurtit të 2013-ës, Arben Frroku i dyshuari kryesor për këtë ngjarje dhe i dënuar një ditë më parë me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, i etiketonte policët që hetonin këtë vrasje si “derra”.

Në një bisedë me bashkëjetuesen e tij të bërë nga Greqia Arben Frroku është përgjuar teksa shprehej : “Nesër ka nji gjyq kushëriri im, neser ishalla i prehet bo, për tjerat so tu plas k…, ato derrat vazhdojnë punën e vet”

Por nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se ndaj kushëririt të Arben Frrokut, Sokol Frrokut nuk kishte asnjë gjyq të planifikuar ditën e hënë më 25 shkurt të 2014-ës.
Sipas Akuzës ai ishte i dënuar për “trafikim të lëndëve narkotike” dhe ishte duke vuajtur një dënim penal të dhënë nga gjykatat greke dhe kish marrë leje të posaçme nga data 19 deri në 25 shkurt.

Një ditë pas vendimit që dënoi Frrokun me burg përjetë burime për A1Report nga akuza deklaruan se ai është shpallur në kërkim dhe pritet që pas disa kontrolleve që do kryhen në territorin shqiptar, t’i kërkohet ndihmë Interpol-it për prangosjen e Arbenit, i cili la Shqipërinë vetëm pak ditë para shpalljes së vendimit të Apelit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)