Dalin detaje të reja në lidhje me vrasjen e ndodhur një natë më parë në fshatin Rukje të Burrelit ku mbeti i vrarë 60-vjeçari Hajredin Lleshi.

Një nga pistat kryesore që prokuroria e Matit është duke hetuar është ajo e një vrasje të ndodhur në vitin 2012 në Angli ku nipi i viktimës, përkatësisht Arben Lleshi kishte rrëmbyer shtetasin me origjinë shqiptare Afrim Hoxhën, i cili u gjetë i karbonizuar nga ana e policisë londineze. Policia e Londrës kishte indentifikuar Arben Lleshin me anë të kamerave të sigurisë së rrugëve të qytetit. Po në vitin 2012 është vrarë edhe një vëlla tjetër i Hjrdeni Lleshit, Xhavit Lleshi.

Ndërkohë që historia e hakmarrjes e ka zanafillën që në vitin 2000 ku ka mbetur i vrarë vëllai i parë i Hajrdeinit çka ka bërë që vijimësi e vrasjeve të vazhdojë deri në mbrëmjen e kaluar.

Vrasjen e ndodhur një natë më parë e ka njoftuar djali i Hajredin i cili ka lajmëruar policinë e Matit, kjo e fundit ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Dëshmitar nga vendi i ngjarjes thanë se viktima është thirrur nga një person i cili ishte në një automjet rreth 20 metra larg banesës së Lleshit. Sapo ai ka dalë të shikojë se kush ishte, mbi të është zbrazur breshëria e automatikut. Burime të policisë thanë se në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gëzhojat e predhave, pasi autorët kanë gjuajtur nga makina, duke marrë me vete edhe gëzhojat.

Autorët e vrasjes duke përfituar edhe nga errësira janë larguar pa u pikasur nga askush. Ndërkohë që janë ngritur postblloqe të shumta në të gjitha rrugët kryesore. Policia ka shoqëruar disa persona për verifikim dhe për tu marrë në pyetje. Sipas policisë pista e parë e vrasjes së 60-vjeçarit është ajo e hakmarrjes me fisin tjetër nga Mamurrësi.

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com