Partia Socialiste ka reaguar ndaj akuzave të opozitës për korrupsion në dy vitet e fundit në OSHE. Deputeti i PS-së, Ervin Bushati tha se akuzat vijnë nga PD e cila është arkitekte e privatizimit korruptiv të kompanisë së shpërndarjes së energjisë.

“Ata që sot akuzojnë, janë po ata që dje rrënuan sektorin energjitik”, u shpreh Bushati duke shtuar se rezultatet e reformës së qeverisë së majtë e tregon niveli i arkëtimit.

“Rezultatet e reformës në energji janë mëse të lexueshme. Në dy vite janë arkëtuar  99.5 miliardë lekë fatura energjie. Vetëm në 9 muajt e këtij viti janë arkëtuar më shumë se i gjithë viti i tyre më i mirë. Në kohën kur këta që akuzojnë ishin në drejtim të vendit, humbjet në rrjet ishin 45%. Sot, mesatarja vjetore është 31% ndërsa në shtator u shënua rekord historik me 25% humbje teknike në rrjet”, nënvizoi deputeti i PS-së.

Bushati e mbylli deklaratën etij duke thënë se, këtë vit po investohen në sektorin energjitik më shumë se gjashtë vite të marra bashkë, nën qeverisjen e Partisë Demokratike. “Janë mbi 335 milion dollarë investime të garantuara për sektorin energjetik vetëm në këto dy vite qeverisje”, përfundoi ai.

Redaksi Online
(f.s/shqiptarja.com)