Shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, deklaroi se vendimi për të ndihmuar me armë dhe municione Irakun, është një anagazhim ndërkombëtar për të stabizlizuar situatën atje.

"Vendimi për të qenë një nga vendet kontributore është një vendim i koordinuar dhe në sinkronizim të plotë me disa partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Ka qenë vendim i rëndësishëm dhe për këtë ka kërkuar një konsultë me ndërkombëtare. Stabiliteti i Irakut  është i nevojshëm jo thjesht për Irakun, por edhe për vendet e tjera të kësaj zone apo impaktin që çon në atë pjesë të rëndësishme. Nga të gjitha informacionet që kemi, operacioni ka shkuar siç ka qenë i parashikuar."- tha Bushati, gjatë një konference të përbashkët për shtyp së bashku me ministrin e Jashtëm të Kanadasë, John Baird, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.

Baird u shpreh se vlerëson partneritetin që të gjithë kanë bërë kundër terrorizmit.  Një nga pikat e diskutimit gjatë takimit të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati me homologun e tij kanadez, John Baird, ka qenë edhe samiti i NATO-s që do të zhvillohet pas dy ditësh në Uells

"Jemi vetëm dy ditë para samitit te Uellsit të NATO-s, ku do diskutohet jo thjesht se si do përgjigjet NATO çështjeve së sigurisë, por edhe se çfarë do të jetë NATO në të ardhmen"-tha Bushati.

Ndërsa homologu i tij Baird duke  vlerësuar rolin e Shqipërisë në NATO theksoi se u bisedua gjatë takimit për disa çështje të rëndësishme të aleancës, si zgjerimi i NATO-s dhe çështje të tjera.

Bushati bëri me dije se gjatë takimit u diskutua edhe për një rritje të bashkëpunimit mes dy vendeve në aspektin politik dhe ekonomik. Ndërsa Baird shtoi se Kanada është shumë e kënaqur që të vijojë të luaj një rol të rëndësishëm në zhvillimin e Shqipërisë.

"Diskutuam edhe për pikat ku mund të forcohet bashkëpunimi. Dhe për pikat ku dy vendet operojnë së bashku. Edhe për një prezencë më të madhe të Kanadasë në aspektin politik dhe në aspektin e investimeve në Shqipëri dhe rajon. Kanada shumë e kënaqur që vijojmë të luajmë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e Shqipërisë."- u shpreh ministri i Jashtëm Bushati.

"Vlerësojmë rritjen ekonomike, por edhe partneritetin që ne duam të kemi në Shqipëri. Kanadaja është shumë e kënaqur që vijojmë të luajmë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e Shqipërisë. Ne kemi pasur disa raste që kemi pasur me azil kërkues me informacione të rreme. Marrëdhëniet mes dy vendeve për ne është i rëndësishëm. Jemi të kënaqur nga puna e Shqipërisë për ecurinë për drejt BE që do të ndihmojë edhe lëvizjen akoma më të lirshme të qytetarëve."- tha ministri i Jashtëm kanadez John Baird.

Terrorizmi
Në lidhje me  rastet e implikimit të disa individëve nga Shqipëria në konfiktin në Siri dhe në grupet terroriste të Lindjes së Mesme, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, tha se ata nuk kanë prekur harmoninë fetare, në vend e cila është  një vlerë që ka shtyrë dhe Papa Françeskun që të vizitojë Shqipërinë më  21 shtator.
"Shqipëria nuk e ka mohuar që ka shqiptarë të rekrutuar në Siri. Shqipëria është vend ku harmonia fetare është aset i çmuar, kjo shtyu edhe Papa Françesku të vizitojë Shqipërinë. E rëndësishme që ndaj këtij fenomeni është që të merren masa. Ky fenomen nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, por rajonin dhe disa vende të Europës"-u shpreh Bushati.

Ukraina
Lidhur me situatën në Ukrainë, ministri i jashtëm i Kanadasë Baird u shpreh se Kanadaja e ka treguar qartë qëndrimin se së është e pakuptimtë përdorimi i forcës për riformulimin e kufijve. Ndërsa ka vlerësuar se vendimet e Putin janë provokime të rrezikshme. "Kanadaja ka treguar qartë pozicionin e saj, se është e pakuptimtë që në vitin 2014 të përdoret forca për riformulimin e kufijve. Provokimet e Putin janë të rrezikshme."-tha Baird ./ATSH/