Buxheti 2014-2015, situata e
financave dhe ekonomia në shifra

Buxheti 2014-2015, situata e<br />financave dhe ekonomia në shifra
TIRANE- Ka një interes të madh për shifrat e ekonomisë. Dhe është normale, sepse publiku, media, por edhe politikëbërësit dhe administratorët publikë, mund e duhet të orientohen në analizat e tyre nga shifrat. Në fakt, ka pasur probleme me raportimet periodike, sidomos të treguesve fiskale dhe autoritetet kanë shpjeguar (më shumë se njëherë) se është një problem teknik, ende i pazgjidhur që nuk siguron raportimin e tyre në afatet kohore ligjore.

Një problem që, megjithë përpjekjet, nuk ka arritur të zgjidhet. Doemos, një sistem i ri, tërësisht modern e bashkokohor dhe koha e realizimit të tij mjaft e shkurtër (ekspertët e FMN-së thanë se shtete shumë më të zhvilluar se Shqipëria kishin kërkuar 5-6 vjet për ta implementuar, ndërsa Shqipëria është duke e realizuar zëvendësimin e sistemit të vjetër me këtë të riun në një afat jo më shumë se një vit) kanë sjellë pikërisht këtë anomali, që nuk pranon edhe shumë justifikime. Gjithsesi, shifrat janë aty dhe ato do të bëhen publike, edhe pse disa herë jashtë afateve ligjore...

Shifrat, si çudia më e madhe...
Ndodh vetëm tre ditë, thonë, çudia më e madhe! Edhe me shifrat e ekonomisë dhe të financave komentet shterrojnë brenda tre ditëve. Më pas askush nuk “kujtohet”për to!
Ecuaria e të ardhurave për periudhën është poshtë nivelit të pritshëm nga qeveria.


Po cilët janë faktorët që kanë ndikuar në këta tregues? Për shumicën e analistëve disa herë nuk pyetet për shkaqet, por pyetja është standarde: “Pse nuk janë realizuar të ardhurat?”.

Duke parë përtej shifrave, gjykoj se është e nevojshme të analizohen në detaje arsyet që kanë ndikuar. Dhe është një vështrim që nuk shteron dhe se kushdo mund të ketë komente.

Tani kur Kuvendi ka marrë dhe pret të shqyrtojë buxhetin faktik të vitit 2014, mund të vihet re shpejt se planifikimi i të hyrave fiskale në buxhetin e vitit 2015 u bë dy muaj para përfundimit të vitit, ndërsa realizimi i dy muajve të fundit (muaj pas hartimit të buxhetit) të 2014-ës ishte rreth 7.1 mld lekë më pak sesa planifikimi. Sipas ekspertëve të financave, baza më e ulët e të ardhurave faktike të 2014-ës parashikohet të ketë një efekt prej 7.6 miliardë lekë më pak për 2015-ën (rreth 3.8 miliardë për 6-mujorin e parë).
 
Shifrat e të ardhurave dhe ekonomia
Në analizën e ekspertëve të ekonomisë dhe të financave, vihet në dukje se rritja ekonomike është më e ulët se parashikimi (3% reale dhe 5.5% nominale). Autoritetet publike u dakortësuan me FMN-në, në misionin e saj të fundit në Tiranë, për një parashikim të rritjes reale prej 2.7 %, ndërsa asaj nominale prej 4.32%.

Ky rivlerësim bën që për vitin 2015, të ardhurat shtesë nga rritja ekonomike të jenë rreth 3 miliardë lekë më pak se parashikimi. (1.5 mld lekë më pak për 6-mujorin nga një ndarje e thjeshtë).
Analiza e treguesve të ekonomisë, pra edhe e të ardhurave prej saj shkon më tej dhe duhet të jetë e plotë. Përshembull, çfarë ndikimi ka pasur rënia e çmimeve ndërkombëtare të naftës?
Është e njohur se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave tona, rreth 9 miliardë lekë, merren në dogana nga renta minerale.

Rënia e çmimeve të bursës ndërkombëtare, e cila filloi që në tetor të vitit të kaluar dhe vijoi edhe gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti, ka prodhuar një efekt negativ  prej rreth 3 miliardë lek. Eshtë ulur sasia e eksportit të naftës bruto me rreth 40%, si  dhe të çmimit të naftës bruto me 45%, përkatësisht.

Është rritur sasia e mineraleve të tjera që eksportohen, mirëpo renta minerale për to ka rënë, si rezultat i uljes së çmimeve të bursës, edhe për mineralet. Efekti negativ në të ardhura shkon më shumë se 4,5 miliardë lekë, por askush nuk mund të thotë sot se në fund të 2014-ës ishte i aftë të parashikonte çmimin e naftës bruto apo të mineraleve në bursë!

Ka një efekt tjetër që ka ndikuar në të hyrat fiskale të periudhës. Dhe kjo ka të bëjë me rënien e normave të interesit. Normat e interesit kanë rënë me rreth 38% për 6 mujorin 2015 krahasuar me 6 mujorin e 2014-s,  me efekt të ndjeshëm në buxhet.

Analiza e shumicës së ekspertëve (që janë marrë këto ditë me performancën e të ardhurave të qeverisë), e ka anashkaluar edhe një fakt të rëndësishëm, që ka të bëjë me parapagimin e dividentëve dhe taksës të tatimit në burim në nëntor – dhjetor 2014, përpara rritjes së normës së tatimit nga 10% në 15%, që duhet thënë se ka efekt në të ardhurat e këtij viti.

Shumë nga kolegët e mi gazetarë, por edhe të tjerë aktorë të rëndësishëm, janë marrë me rënien e importeve të cigares. Diferenca, për të njëjtën periudhë (pra 6 mujori 2014-2015) nuk jep një shifër shqetësuese, vetëm minus 86 ton, ose 7.3 % më pak zhdoganime (nga 1168 tonë në 1082 ton cigare). Por në raportet historike ka një rënie të ndjeshme të importeve. Duhen analizuar në detaje arsyet. Një referim mund ta bëjmë edhe në vite.

Përshembull, importi i cigareve në ton në vitin 2009 (kur shkalla tatimore e akcizës ishte 50 lekë/paketa) ishte 4.064 ton.  Vetëm dy vjet më vonë, në 2011, (kur shkalla tatimore e akcizës ishte 70 lekë/paketë) sasia e zhdoganuar ishte 3250 ton, pra  me një ulje e ndjeshme. Dhe mbeti poshtë 4 mijë tonëve deri në vitin 2014, kur ndikim dhanë shumë faktorë të tjerë. Jo vetëm akciza, e cila kapërceu nga 70 lekë në 110 lekë/paketë, por sidomos edhe zbatimi (për herë të parë) i ligjit antiduhan, dha efekte në uljen e importit të cigareve. Nuk ka një shifër për ndikimin e këtij të fundit, por ama ka ulje të zhdoganimeve, sikundër ka një tregues në rritje të përdorimit të prodhimit vendas dhe të duhanit të grirë.

Burime të Ministrisë së Bujqësisë e japin me ulje sipërfaqen e mbjellë. Krahasuar me vitet 2013-2015, rënia mesatare e përvitshme e sipërfaqeve të mbjella me duhan është rreth 12 %, por vetëm në vitin aktual pritet të merren mbi 2 mijë ton duhan. Agjencia Kombëtare e Duhan Cigareve nuk ka një informacion shterues për këtë fakt, ku të konkludosh se sa duhan prodhohet në vend, sa eksportohet, sa përdoret për prodhim cigaresh në kushte artizanale etj., etj.

Por multinacionalet e importit të cigareve kryesore (PMA, BAT, JTI, Imperial Tabaco etj) e pranojnë faktin se ka rënie e importeve të cigares, për shkak të rritjes së prodhimin vendas të duhanit dhe konsumit të duhanit të dredhur.
 
Cilat janë ndikimet e tjera në uljen e të ardhurave?
Analiza e plotë nuk të lejon të anashkalosh detajet në spektrin e grumbullimit të të hyrave fiskale. Efekte negative më të larta sesa priteshin janë ato të përjashtimeve që janë bërë në taksën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), si përjashtimi nga TVSH i sigurimeve të jojetës, të makinerive dhe pajisjeve, etj, të cilat nuk duhen parë vetëm si efekt negativ, por edhe si përjashtime që, në afatgjatë, shërbejnë për nxitje të prodhimit në ekonomi.

Ka shifra që konfirmojnë edhe zhvendosjen e importit tek prodhimi vendas. Për shembull, është ulur me 38% importi i energjisë elektrike, ndërsa është rritur me mbi 110% prodhimi i energjisë elektrike, me një efekt negativ në të hyrat fiskale jo më pak se 1miliard lekë. Të njëjtin transferim nga importi te prodhimi vendas e kemi edhe për karburantet dhe birrën. Kështu, krahasur me vitin 2014, ka një rënie të importit të karburanteve me 5,4 % (janar-qershor, respektive), por ka një rritje me 79,5 % të prodhimit vendas.

Ka një rritje të importit të birrës për periudhën respektive të 6 muajve të parë 2014-2015 me 9,4 %, por është rreth 30 % rritja e prodhimit vendas të birrës. Rritje të tjera të prodhimeve vendase si pijet alkoolike (31,5 % më shumë), vera (31,7 % më shumë) etj., japin shpjegim për të hyrat fiskale të 6-mujorit 2015. Kini parasysh se qeveria ka dhënë ndihmesë për prodhimin vendas të birrës, ku akciza e prodhuesve të “vegjël” është më ulët.
 
Janë edhe dy faktorë që ndikojnë jo pak në të ardhurat doganore. Kështu, eksporti i naftës vendase, në kushtet kur ka rënë ndjeshëm çmimi ndërkombëtar i naftës, ka sjellë që prodhuesi vendas të ulë ndjeshëm nxjerrjen dhe eksportin (rreth 200.000 ton më pak). Nuk besoj se ka ndonjë person me njohuri ekonomike që të pretendojë që Qeveria të ndikojë në çmimin ndërkombëtar të naftës, por ama ka ndikim në rritjen e përpunimit vendas dhe në çmime fundore më të ulta.

Një konkluzion, por edhe ...
Në përfundim të kësaj analize jo të plotë, duhet përmendur se faktorët e mësipërm kanë ulur ndjeshëm importet e taksueshme, që i kanë sjellë doganës miliona lekë më pak të ardhura nga mungesa e këtyre importeve, përfshirë edhe TVSH-në e tyre. Ka diferencë me rreth 668 tonë të sasisë të projektuar të importeve,  me atë të  zhdoganuar realisht . Kjo diferencë jep një efekt në të ardhura me rreth 3,34 miliardë lekë.

Po kështu, ulja me rreth 54 % të sasisë së energjisë së importuar sjell  deficit në TVSH për doganat me rreth 1,38 milard lek, mosrealizimi i sasisë së planifikuar në importin e cigareve sjell një mosrealizim rreth 1 miliard lek në TVSH-në  e  cigareve, ndërsa rritja me rreth 79% e prodhimit vendas sjell një diferencë në mosrealizim  të TVSH në doganë me rreth 643 milionë lekë. Mos harrohet se ulja e importeve me rreth 4,8 milardë lekë në vlerë, sjell një ulje të taksës doganore, ndërkohë që duhet vlerësuar edhe një rritje e lehtë e importeve nga vendet CEFTA, të cilat janë të përjashtuara nga taksa doganore.

Kjo situatë ekonomike vërtet krijon probleme në grumbullimin e të hyrave fiskale, të planifikuara për vitin 2015, duke krijuar gjithashtu edhe nevojën për të ndërhyrë në rishikimin e tyre, sikundër ndodhi. Ajo që duhet vlerësuar pozitive, është fakti se, pavarësisht rishikimit të të ardhurave, është konfirmuar tashmë se nuk do të ketë rritje të taksave për vitin 2015. Por nuk do të ketë as ulje të shpenzimeve kapitale. Krahas mbajtjes në vëmendje të konjukturës ndërkombëtare të çmimeve, efekteve që jep rritja e prodhimit vendas në të hyrat fiskale etj, me rëndësi është administrimi i të hyrave fiskale.

Autoritetet publike kanë konfirmuar tashmë se një angazhim i rëndësishëm do të jetë lufta kundër informalitetit, që ka filluar në qershor 2015, me një vendim të Këshillit të Ministrave që parashikon punësimin e rreth 500 punonjësve të shërbimit pranë DPT dhe që është në vijimësi, ndërsa këtë vjeshtë do të ketë edhe finalizim të një plani të gjerë, që synon pikërisht plotësimin e të ardhurave të planifikuara për 2015-ën, pa prekur sistemin fiskal aktual, por vetëm duke përmirësuar mbledhjen e të ardhurave dhe luftën kundër evazionit, mashtrimit dhe shmangieve fiskale. E vështirë? Sigurisht, po të kesh parasysh historinë e dy dekadave të fundit, por jo e pamundur!
 
* Opinioni i shprehur në këtë analizë nuk lidhet domosdoshmërisht me institucionin publik që përfaqëson autori

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Skandali te Onkologjiku, mjekja Dollenberg: Shokuese, bluzat e bardha s’mund të bëjnë pazar me pacientët me kancer

Skandali te Onkologjiku, mjekja Dollenberg: Shokuese, bluzat e bardha s’mund të bëjnë pazar me pacientët me kancer