As Kuvendi dhe as qeveria, në projektbuxhetin e vitit 2025, nuk e ka parashikuar praktikën ligjore dhe atë financiare për periudhën tranzitore të kalimit të funksioneve të Vetingut, nga Komisionerët Publikë tek Kreu i Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
Nga 1 janari 2025, grupi i këshilltarëve që punojnë pranë Komisionerit Publik konsiderohen të papunë dhe nuk dihet se kush do ta mbështesë drejtuesin e SPAK-ut në çështjet që do të shpallë për gjykim Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Sipas të dhënave zyrtare, janë mbi 41 ankime të Komisionerit Publik që presin të gjykohen në Kolegj që nga janari.
Kërkesat e njëpasnjëshme të Komisionerit Publik gjatë këtij viti drejtuar Komisionit Parlamentar të Ligjeve janë lënë në harresë, ndërkohë që në këto shkresa kërkohen ndryshime emergjente në ligjin e “vetingut’ për zgjidhjen e këtij ngërçi.
Problematika u diskutua të premten në këtë komision gjatë shqyrtimit të buxhetit për Prokurorinë e Posaçme, ku u konstatua dhe paqartësia për pagat e ekipit teknik të Komisionerit Publik që do të vijojë punën pas përfundimit të afatit kushtetues të funksionimit të tij.
Mininistria e Financave ka parashikuar një periudhë 3-mujore tranzicioni dhe ka lënë evazive çështjen e numrit të punonjësve administrativë që do të transferohen dhe fondet buxhetore për pagat e tyre.
“Brenda muajit janar, SPAK-u dhe KLGJ-ja paraqesin në ministrinë përgjegjëse për financat numrin dhe periudhën përkatëse kohore të punonjësve të domosdoshëm, numër i cili depozitohet në degën e thesarit,” thuhet në projekt-buxhet.
“Mbi bazën e këtyre kërkesave do të përcaktohet dhe fondi për këtë numër punonjësish,” tha përfaqësuesja e ministrisë së Financave, Vilma Çausholli.
Ajo shtoi se ndërkohë SPAK-ut i është buxhetuar një shtesë prej 10 këshilltarësh ekonomikë dhe ligjore për përballuar këto funksioneve të reja.
Përfaqësuesi i SPAK, prokurori Alfred Shehu, i sugjeroi Kuvendit që të shtohet një fjali ku saktësohej se “punonjësit administrativë të transferuar për procesin e mbylljes të trajtohen financiarisht me të njëjtën strukturë page të trashëguar”.
“Kjo shtesë është e nevojshme për shkak se parashikimi me ligj i trajtimit të tyre financiar, mundëson këtë trajtim në këtë periudhë të shkurtër tranzitore, pasi nëse nuk shtohet që në ligj, trajtimi financiar nga ana jonë do të jetë i vështirë për arsye se për të njëjtin pozicion pune, për shembull Kancelar, do të kemi dy persona, ato ekzistues të SPAK dhe ato të transferuar (marrë) nga Institucioni i Komisionerit,” sqaroi Shehu.
Për deputetët e opozitës, transferimi i stafit teknik dhe ligjor i Komisionerit Publik ishte i paqartë dhe i pabazuar në ligj dhe rrezikonte vijimësinë e punës.
“Ka një absurditet me propozimin e ministrisë,” tha kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, duke pyetur se ku do të paguhen dhe a do të vijojnë detyrën këta punonjës, nëse propozimet për strukturën e re bëhen në janar dhe nuk dihet kur miratohen.
Ai po ashtu vuri në diskutim peridudhën 3 mujore të tranzicionit, duke iu referuar kërkesës së Komisionerit Publik që kjo periudhë të jetë 6 mujore.
“Çfarë ndodh nëse ky proces nuk bëhet në këtë periudhë të caktuar?” tha ai.
Edhe kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka konstatoi se “ka mospërputhje” në nenin përkatës të projekt-buxhetit, duke sugjeruar që komisioni të riformulojë atë për t’a përshtatur parashikimet ligjore dhe nevojat që kanë institucionet që marrin këto funksione.
“Në mënyrë që të buxhetohen institucionet sipas numrit që kërkojnë dhe sipas asaj që është në përputhje me parashikimet e ligjit,” tha ajo duke iu drejtuar përfaqësuesve të ministrisë.
Deputetët diskutuan edhe për qartësimin e programit buxhetor që do të përfshijë pagat e këtij stafi teknik të Komisionerit Publik, pasi ky institucion është përfshirë në programet buxhetore për vitin që vjen.
Komisioneri Publik prej disa muajsh i kërkon Kuvendit një zgjidhje ligjore për këtë problem. Nëpërmjet tre shkresave në shkurt, qershor dhe tetor, ky institucion kërkon një ndërhyrje në ligjin e vetingut për të garantuar vijimësinë e punës për Njësinë ligjore dhe Njësinë administrative për një periudhë të paktën 6 mujore.
Ligji i miratuar në vitin 2016 ka parashikuar vetëm vazhdimësinë e mandatit të sekretarit të përgjithshëm dhe një personali për këtë kalim funksionesh, që parashikon procese të arkivimit dhe dorëzimin e gjithë dokumentacioneve dhe aseteve nga njëri institucion tek tjetri.
Konkretisht, Komisioneri Publik kërkon miratimin e “një strukture organike” pranë këtij institucioni që do të bëjë të mundur këtë tranzicion funksionesh.
Projektbuxheti për vitin që vjen i SPAK-ut parashikohet në total të jetë 2.17 miliardë lekë, por prokurori Shehu tha se nuk janë marrë në konsideratë kërkesat shtesë lidhur me pagat dhe zëra të tjerë duke kërkuar një shtesë në vlerën e 491.4 milionë lekëve.
Deputetët e opozitës e quajtën shqetësuese që qeveria vendos të trajtojë kërkesat financiare të organeve të drejtësisë, që sipas tyre janë atribut vetëm i Kuvendit. /Marrë nga "Reporter"/