Këshilli Bashkiak i Beratit miratoi sot buxhetin e Bashkisë për vitin 2026, një dokument që u kundërshtua dhe u votua kundër nga Partia Demokratike dhe këshilltarët e saj.

Sipas përfaqësuesve të opozitës, 89 për qind e buxhetit është planifikuar për paga dhe shpenzime të një administrate që ata e konsiderojnë të fryrë, ndërsa vetëm 11 për qind parashikohet për investime kapitale, duke lënë pas dore nevojat kryesore të qytetarëve për infrastrukturë, shkolla dhe kopshte.

Në një deklaratë publike, Kasion Hasimetaj, kryetari i PD Berat, si edhe këshilltarët bashkiakë të PD-së Oltion Merdari dhe Anduena Azizolli, theksuan se pavarësisht rritjes së numrit të bizneseve dhe turistëve, të ardhurat e vetë bashkisë mbeten minimale, ndërsa fondet nga grantet janë pothuajse të papërfillshme.

Sipas tyre, kjo situatë tregon paaftësinë e administratës bashkiake për të hartuar dhe siguruar projekte financimi. Demokratët nënvizuan  gjithashtu se bujqësia është lënë pa mbështetje reale, me vetëm 4.2 përqind të buxhetit, ndonëse mbi 35 përqind e popullsisë e ka këtë sektor burimin kryesor të të ardhurave.

PD kritikon edhe mënyrën e financimit të aktiviteteve turistike, duke pretenduar se fondet shpërdorohen për aktivitete pa ndikim të drejtpërdrejtë në promovimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit.

Sipas përfaqësuesve të PD-së  Berati ka nevojë për një buxhet që mbështet zhvillimin ekonomik, bujqësinë, turizmin dhe përmirësimin e infrastrukturës, ndërsa buxheti i miratuar për vitin 2026, sipas tyre, nuk i shërben interesit të qytetarëve.