TIRANË- Drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni prezantoi sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, projektbuxhetin për vitin 2026.
Hyseni tha se për SHISH “është parashikuar një fond në shpenzime të përgjithshme në shumën 3 miliardë lekë dhe ka një rritje prej 172 milionë lekë më shumë nga fondi i miratuar vjet”.
“Mbi tavanin e projektbuxhetit të parashikuar për shpenzime korente në vitin 2026, paga sigurime për personelin, mallra, shërbime, transferta për individin, do të mbulojë nevojat e institucionit”, tha Hyseni.
Drejtuesja e SHISH kërkoi që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura, po opozita këmbënguli që të jetë seancë publike. Sipas tyre buxheti në makro duhej të diskutohej në mbledhje publike pasi nuk ka sekret shtetëror.
Seanca vijoi më dyer të mbyllura. Pas prezantimit nga Hyseni të projektbuxhetit, seanca u rikthye me dyer të hapura. Deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çelaj propozoi që të rriten shpenzimet kapitale për SHISH-in.
“Sugjeroj rritjen e shpenzimeve kapitale nga 6,6% që është sot të shkojë brenda 2028 në 15%, kryesisht në pajisje dhe teknologji. Në fokus të gjithë veprimtarisë suaj duhet të jetë lufta kundër krimit të organizuar, kërkojmë që të keni burime personeli, kapitale, për rrjetet e drogës, rrjetet e pastrimit të parave, infiltrimin në ekonomi, kryesisht në turizëm, ku bëhet pastrim parash”, tha ai.
Ndërsa deputeti i opozitës Erald Kapri tha se buxheti nuk është i mjaftueshëm për sfidat që ka vendi ynë në raport me të gjitha problemet që mund të cenojnë sigurinë e saj kombëtare.
Komente











