Projektbuxheti i vitit 2024 ka qenë në qendër të diskutimeve në komisionet parlamentare gjatë mbledhjeve të fundit të realizuara online apo fizikisht. Ky projektbuxhet ka qenë në qendër të debatit edhe mes ekspertëve të ftuar në emisionin “5 pyetjet" me gazetarin Ilir Babaramo në Report TV.
Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj u shpreh pesimist duke thënë se nga ky buxhet nuk pritet të kemi ndonjë zhvillim të ri përveçse shtimit të borxhit publik krahasuar me vitin e kaluar.
“Vërtetë kemi një buxhet 7 miliardë Euro shpenzime, 80% e tyre janë të ardhura tatimore dhe jo tatimore. Ky buxhet është një buxhet i tillë që përfaqëson atë lloj vazhdimësie të politikave që nuk kanë lidhje me ndonjë zhvillim të ri, vetëm se na kanë shtuar borxhin në krahasim me vitin e kaluar. 33% e ekonomisë është ende në të zezë”.
Nga ana tjetër, eksperti Fatos Çoçoli tha se ky buxhet do të jetë i pagave, duke iu referuar premtimit të qeverisë për rritjen e konsiderueshme të rrogave në sektorin publik deri në 900 euro. Ai shtoi se me këtë buxhet shpenzimet për mbajtjen e administratës janë më të ulëta se të ardhurat.
“Është hera e parë që 1/3 e këtyre parave shkojnë për rritjen sociale, për të mbajtur skemën, që nuk e mban dot në këmbë. E dyta pagesa për energjinë elektrike. Energjia nuk është rritur. Pati tre rrebeshe, ekonomia është rezistente. Ky është buxheti i pagave, këtë vit buxheti për pagat është 100 milionë Euro. 130 mijë punonjësve të administratës u rriten pagat” tha Çoçoli.
Ndërkohë, eksperti Vjoldi Danaj ngriti disa shqetësime të cilat sipas tij, ky buxhet nuk i zgjidh. Ai tha se bujqësia po shkatërrohet me rritjen e eksporteve dhe shtoi se duhet të investohet në këtë fushë dhe ne turizëm. Një tjetër kritikë eksperti e kishte për buxhetin që qeveria ka caktuar për arsimin duke thënë se është e njëjta shifër e dhënë vitin e kaluar.
“Bujqësia është një shtyllë shumë e rëndësishme dhe e kemi rritur eksportin vetëm falë bujqësisë dhe kështu po e shkatërrojmë. Turizmi. Kishim një buum të madh, por a do të jetë ky numër vitin tjetër. Ne hapemi në shumë drejtime, rrugë, rritje pagash, një tjetër sektor është arsimi. Ne do të përfundojmë si puna e atyre të Bangladeshit që të rrimë në atë nivel. 3% është buxheti për arsimin, kaq ishte edhe vitin e kaluar” tha ai.
Ndërsa eksperti i Ekonomisë Klodian Muço në analizën e bërë tha se qeveria ka parashikuar rritje fondesh për koncesionet që janë nën hetim nga SPAK, si ai i sterilizimit dhe inceneratorët.
Prej ditësh, projektbuxheti i vitit të ardhshëm, ka qenë temë kryesore e mbledhjeve të komisioneve. Sa i takon bujqësisë, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj deklaroi sot në komisionin e Ekonomisë dhe Financave se në këtë buxhet do të ketë mbështetje për 65 mijë fermerë me skemë të drejtpërdrejtë.
Buxheti i vitit që vjen është parashikuar të jetë rreth 7 miliardë euro ose rreth 300 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2023. Në projektbuxhetin e depozituar në Kuvend është parashikuar që të ardhurat të arrijnë në vlerën prej 6.6 miliardë euro, ndërkohë që deficiti parashikohet të jetë 606 milionë euro.
Eksperti i ekonomisë, Vjoldi Danaj në emisionin "5 pyetjet" nga Ilir Babaramo në Report Tv ngriti disa shqetësime për buxhetin e vitit 2024. Sipas tij më tepër vëmendje duhet t'u ishte dhënë sektorëve si bujqësia, turizmi, arsimi dhe infrastruktura.
“90% e planifikimit të investimeve shkon drejt rrugëve. Rruga sjell zhvillim por nga ana tjetër duke pasur parasysh situatën ekonomike ndoshta do të ishte e udhës që një pjesë e këtyre rrugë të mos ngelin rrugëve por të investoheshin në sektorë strategjikë.
Ne kemi projektin e rrugës Milot-Fier. Por më mirë të bëhet kjo rrugë dhe pjesa e Rrugës së Arbrit të shtyhet, sepse nuk ka përfunduar ende. Kemi dy shtylla, turizmi dhe bujqësia. Të investohet paralelisht.
Bujqësia është një shtyllë shumë e rëndësishme dhe e kemi rritur eksportin vetëm falë bujqësisë dhe kështu po e shkatërrojmë. Turizmi. Kishim një bum të madh, por a do të jetë ky numër vitin tjetër?
Ne hapemi në shumë drejtime, rrugë, rritje pagash…një tjetër sektor është arsimi. Ne do të përfundojmë si puna e atyre të Bangladeshit që të rrimë në atë nivel. 3% është buxheti për arsimin, kaq ishte edhe vitin e kaluar” tha ai.