Bilanci i vitit 2023/ Buxheti mblodhi një rekord prej 6 miliardë euro, borxhi publik në vlerat më të ulta prej 2008

Borxhi publik në vitin 2023 ka zbritur në 59.2% raporton Ministria e Financave e cila thotë se është niveli më i ulët i regjistruar që prej vitit 2008, ku ishte 55.1%. Po ashtu në vitin e kaluar është reduktuar edhe deficiti buxhetor në 1.4% të GDP-së, niveli më i ulët i të gjitha kohërave. Si rrjedhojë e situatës pozitive të shumë sektorëve të ekonomisë, rritjes së pagave dhe punësimit, vjet janë rritur edhe të ardhurat që ka arkëtuar buxheti i shtetit.

Rreth 643.4 miliardë lekë (afro 6 mld euro) ose 70.6 miliardë lekë më shumë se viti 2022, u mblodhën në vitin e kaluar thotë Ministria e Financave. Kontributi më i madh në këtë përmirësim e kanë dhënë të ardhurat tatimore, që u realizuan në masën 344.9 miliardë lekë, 58.6 miliardë ose 20.5% më shumë se 12 mujori i vitit të kaluar.

Vjet janë mbledhur 45.9 miliardë lekë nga TVSH ose 11.4 miliardë më shumë se 12 mujori 2022. Rritja e fitimeve të biznesit ka ndikuar në rritjen me 16.9 miliardë lekë të të ardhurave nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 64.6 miliardë lekë.

Po ashtu janë rritur me 12.9 miliardë lekë arkëtimet nga të tatimi i të ardhurave personale, ndikuar nga rritja e pagave në shtet, por edhe në privat. Po ashtu janë rritur të ardhurat nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore me 20.8 miliardë lekë në krahasim me vitin 2022, për shkak të punësimit dhe nivelit në rritje të pagave.

Ndërsa nga ana tjetër të ardhurat nga doganat janë në rënie me 6.3 miliardë lekë për shkak të reduktimit të çmimeve të disa produkteve në tregjet e huaja, importit të ulët të energjisë si dhe zhvlerësimit të valutave.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të ardhurat nga TVSH-ja në import u ulën me 10.5 miliardë lekë, ndërsa u rritën arkëtimet nga akciza me 4.8 miliardë lekë dhe nga taksat doganore me plus 687 milionë lekë krahasuar me vitin 2022.

Ministria e Financave thotë se vjet janë shpenzuar rreth 674.7 miliardë lekë, ose rreth 23.7 miliardë lekë më shumë se në vitin 2022. Rritja më e fortë është regjistruar tek shpenzimet korrente ku përfshihen, pagat, sigurimet, interesat, politikat e pensioneve apo ndihma ekonomike. Ndërsa shpenzimet kapitale janë rritur me 6.8 miliardë lekë dhe arritën në 118.9 miliardë lekë, ku nga këto 16.1 miliardë janë përdorur për rindërtimin.

Performanca Paraprake 12 – Mujore e të Ardhurave dhe Shpenzimeve

Të Ardhurat

Të ardhurat totale, për 12-mujorin e vitit 2023, u realizuan në masën 643.4 miliardë Lekë ose 100.1% e planit fillestar të buxhetit. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me +70.6 miliardë lekë ose +12.3% më shumë.

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 561.7 miliardë lekë, 52.3 miliardë ose 10.3% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, si dhe 1.9 miliardë ose 0.3% më pak se plani i rishikuar me rritje për vitin 2023.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 216.8 miliardë lekë, 6.3 miliardë lekë ose 2.8% më pak se 12 mujori 2022, si dhe 6.9 miliardë lekë ose 3.1% më pak se plani i të ardhurave doganore për 12 mujorin e vitit 2023.

Të ardhurat nga TVSH në import për 12 mujorin rezultojnë 146.4 miliardë lekë, 10.5 miliardë lekë ose 6.7% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, si dhe 6.3 miliardë ose 4.1% më pak se plani për 12 mujorin 2023.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 58.4 miliardë lekë, 4.8 miliardë lekë ose 9.1% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022, si dhe 607 milionë lekë ose 1% më pak se plani i akcizës për 12 mujorin 2023.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2.9 miliardë lekë, 1.3 miliardë ose 31.1% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe realizim në masën 91.4% kundrejt planit për 12-mujorin 2023.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 9.1 miliardë lekë, 687 milionë lekë ose 8.1% më shumë se 12 mujori 2022, si dhe realizim në masën 103.8% kundrejt planit.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 12 mujorin 2023 u realizuan në masën 344.9 miliardë lekë, 58.6 miliardë ose 20.5% më shumë se 12 mujori i vitit të kaluar, si dhe 4.9 miliardë lekë, ose 1.4% më shumë se plani i 12 mujorit 2023.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 45.9 miliardë lekë, 11.4 miliardë ose 33.1% më shumë se 12 mujori 2022, si dhe 1.4 miliardë ose 2.9% më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 12 mujorin 2023. Rimbursimet për periudhën 12 mujore 2023 janë 22.6 miliardë lekë, 133 milionë lekë ose 0.6% më shumë se 12 mujori 2022.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 64.6 miliardë lekë, 16.9 miliardë lekë, ose 35.4% më shumë se 12 mujori 2022, si dhe 5.6 miliardë lekë ose 9.5% më shumë se plani i 12 mujorit të vitit 2023 për Tatimin mbi Fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 57.9 miliardë lekë, 12.9 milardë lekë ose 28.7% më shumë se 12 mujori 2022, si dhe 1.9 miliardë ose 3.4% më shumë se plani i 12 mujorit 2023.

Taksat nacionale, për peridhën 12 mujore 2023 u realizuan në masën 37.2 miliardë lekë, 3.3 miliardë lekë ose 8.2% më pak se 12 mujori 2022, si dhe 504 milionë lekë ose 1.3% më pak se plani për 12 mujorin 2023.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 139.3 miliardë lekë, 20.8 miliardë lekë ose 17.5% më shumë se 12 mujori 2022, si dhe realizim 99.5 % të planit për 12 mujorin 2023.        

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike për vitin 2023, arritën në rreth 674.7 miliardë lekë me një realizim në masën 96.6 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 95.6 përqind të planit vjetor të ndryshuar përmes Aktit Normativ nr.6, datë 14.12.2023 (AN nr.6). Krahasuar me vitin 2022 shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë 3.6 përqind më të larta ose 23.7 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën:

-        100.1 përqind dhe 95.9 përqind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe

-        99.7 përqind dhe 88 përqind të planit vjetor sipas AN nr. 6.

Shpenzimet korente për vitin 2023 rezultuan në rreth 547 miliardë lekë ndërsa krahasuar me vitin 2022 ky zë ka rezultuar 9.4 përqind më i lartë ose rreth 47 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale për vitin 2023 paraqesin një realizim në masën rreth 118.9 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2022, ky zë rezulton 6 përqind më i lartë ose rreth 6.8 miliardë lekë më shumë.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës