Ministri i Transporteve Edmond Haxhinaso inspektoi këtë të shtunë punimet e bypass-it të Fierit, ku po vijojnë punimet. Sipas Haxhinastos punimet të kishin përfunduar në prill të këtij viti, por ato janë penguar nga disa faktorë që shpesh herë kanë çuar në bllokimin dhe pezullimin e tyre.

"Arsyet kanë qenë të shumta dhe ajo që është pozitive sot është që kompania ka bërë gjithë organizimin e duhur dhe ka filluar me një volum pune shumë herë më të lartë sesa deri dje, volum i cili deri dje sëbashku me një marrëveshje të re me Autoritetin Rrugor do t'i afrohet përfundimit të veprës në një kohë optimale", u shpreh Haxhinasto. 

Ministri i Transporteve u ndal tek konçensioni i Rrugës së Kombit, duke theksuar se askush nuk i do këto të fundit, por jemi të detyruar për shkak se kjo rrugë duhet mirëmbajtur, por se ndërkohë ka edhe vepra të tjera që duhen ndërtuar.

"Asnjë taksë nuk është e mirë për këdo por nuk mund të bëhen gjërat pa taksa. Alternativa shtrohet nëse duam të kemi një rrugë të përfunduar, nëse duam të kemi një urë të re të Kukësit, nëse duam një lidhje të standardit të lartë midis Kukësit dhe Morinës, nëse duam të përmirësojmë të gjithë skarpatet që rrëzohen gjatë Rrugës së Kombit apo gjendjes aktuale e cila është e papranueshme", u shpreh Ministri i Transporteve.

Ministri Haxhinasto theksoi se tashmë qeveria shqiptare po punon për studimin e fizibilitetit të zonës, ku parashikohet të ndërtohet aeroporti i Jugut të vendit.

Sa i përket Rrugës së Arbrit ministri tha se po merret në shqyrtim oferta e një kompanie kineze. Në garë janë edhe kompani të tjera europiane, por nuk nuk mungojnë edhe ato shqiptare.

"Ne aktualisht kemi në shqyrtim një ofertë  të sjellë nga kompania China 8 dhe në përfundim të shqyrtimit të kësaj oferte  do të vendosim për hapat e mëtejshëm. Sigurisht që nuk është oferta e vetme. Kemi interes dhe nga kompanitë shqiptare  për tu angazhuar me ndërtimin e saj", shprehet Ministri Haxhinasto

Punimet në bypassin e Fierit duhet të kishin përfunduar në prill të këtij viti. Ky bypass është nyja më e rëndësishme lidhëse nga autostrada Lushnje- Fier për të vijuar me akset Levan – Tepelenë dhe Levan- Vlorë. Ndërkaq Ministri Haxhinasto është ndaluar edhe në Durrës, ku ka inspektuar punimet e për ujësjellësin e Durrësit.

Sipas Haxhinastos, ky ujësjellës do të zgjidhë përfundimisht problemin e furnizimit 24 orë me ujë të pijshëm për banorët e Durrësit. 

Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)