Byrek me petë sfoliatë, kërpudha, proshutë dhe vezë

Përbërësit:

  • 300 gr petë sfoliatë
  • 5 kokrra vezë të ziera
  • 200 gr proshutë
  • 3 tranguj turshi të vegjël
  • 150 gr mozzarella
  • 100 gr krem djathi
  • 300 gr kërpudha
  • 200 gr majonezë
  • 100 gr kos i trashë
  • 1 limon lëngu
  • 2 gr sheqer (rreth ½ lugë çaji)
  • 2 thelpinj hudhre
  • 10 ml uthull
  • Kripë, piper, rigon
  • Kopër e freskët ose majdanoz
  • Vezë për lyerje të petës

Përgatitja:

Në një tigan kaurdisim kërpudhat derisa të lëshojnë ujin dhe të marrin pak ngjyrë, shtojmë pak kripë dhe piper dhe i lëmë të ftohen pak. Më pas në një tas presim proshutën në copa të vogla, trangujt turshi në kubikë të vegjël, mozzarellën, shtojmë djathin kremoz dhe kërpudhat e ftohura. E përziejmë mirë. Në një enë tjetër përziejmë: majonezën, kosin, lëngun e limonit, hudhrën e shtypur, uthullën, sheqerin, kripën, piperin e zi, rigonin dhe nëse dëshirojmë edhe pak kopër të grirë. E shtojmë salcën tek mbushja dhe e përziejmë mirë që të lidhet e gjitha. Marrim një formë keku ose tavë të thellë dhe shtrojmë letër furre. Hapim petën sfoliatë dhe e vendosim në formë, duke lënë anët të varen pak jashtë. Hedhim gjysmën e mbushjes, vendosim sipër 5 vezët e ziera të plota ose të prera përgjysmë në rresht. Mbi vezët shtojmë pjesën tjetër të mbushjes. Mbyllim anët e petës të cilat i lyejmë me furçë me pak vezë të rrahur. E vendosim byrekun të piqet në furrë në 180°C për 35–45 minuta derisa sipër të marrë një ngjyrë të bukur ari të thellë.