TIRANE- Një nga strukturat kryesore që do i shtohet kushtetutës nga e cila pritet shumë punë është Njësia Antikorrupsion ose siç është lançuar prej dy vitesh nga qeveria me emrin Byroja Kombëtare e Hetimit. Kjo strukturë do jetë një prokurori paralele me prokurorinë që do hetojë vetëm veprat penale që kanë lidhje me korrupsion. Kjo strukturë është përgjegjëse për përfaqësimin e akuzës kundër gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë. Prokurorët që do përzgjidhen që të jenë pjesë në këtë strukturë do jenë të pavarur dhe se duhen të kenë 10 vite punë si prokurorë dhe të kenë reputacion dhe integritet të lartë. Prokurorët e kësaj njësie nuk kanë asnjë varësi nga Prokurori i Përgjithshëm dhe se kjo njësi do ketë buxhet të caktuar financiar. Byroja Kombëtare e Hetimit do përbëhet nga oficerë të policisë të cilët do kryejnë hetime nën drejtimin e prokurorëve të strukturës së posaçme Antikorrupsion të Prokurorisë.