Në dy – tre vitet e fundit, forca politike LSI ka treguar një  “agresivitet” të rritur në mbështetje të sipërmarrjeve “fason”. Nuk dua të tregoj histori, sepse është e drejta e kësaj force politike të lobojë apo jo për një grup të caktuar biznesi, të advokojë apo jo për një sektor të veçantë të ekonomisë e kështu me rradhë. Bota politike jashtë vendit njeh shumë ngjashmëri të tilla. Ajo, për të cilën dua të flas, ka të bëjë me një realitet shqiptar, që keqpërdoret, disa herë edhe për shkak të injorancës së fushës për të cilën flitet, apo më thjesht akoma, mungesës së informacionit.

Nëse kjo do të mbetej në artikujt ditorë mediatikë joprofesionalë, do të ishte gjysma e së keqes. Nëse kjo do të përfshihej vetëm në disa tavolina debati me përfaqësues fals të biznesit të fasonit, përsëri kjo nuk do të ishte e tërë e keqja. Më tej, nëse kjo sërish do të mbetej vetëm pjesë e disa debateve televizive, ku nuk ftohen të flasin e komentojnë përfaqësuesit realë të sipërmarrjes, por të ashtuquajtur drejtues shoqatash fantazmë, edhe kjo do të ishte pjesa më e vogël e së keqes dhe jo e keqja e plotë.

E keqja e plotë mendoj se vjen kur artikulime të tilla vijnë nga tribuna, ku fjalët duhet të maten mirë. Dhe ky është Kuvendi, apo, më drejpërdrejt, janë komisionet kuvendore. Këtu presupozohet që të ftohen të flasin, të komentojnë, të debatojnë, të analizojnë e në fund të propozojnë përfaqësues të drejpërdrejtë të sipërmarrjeve (nuk e kam fjalën tani vetëm për fasonin). Këta mund e duhet “t’u japin mend deputetëve!” Sepse, në fakt, nuk mundet e nuk duhet që “përfaqësuesit e popullit” t’i dinë të gjitha, madje t’i dinë mirë. Të marrin vesh nga gjithçka, por ama të marrin vesh mirë e kështu me radhë. Përndryshe, duhet të ndrronin vendet!

Po u rikthehen sërish fasoneve…
LSI është partia që “bën be” për fasonet! Mirë bën! Ka përkrahësit e vet dhe mbështetësit e vet, ose nuk i ka, kjo është një çështje që ha debat. Unë në fakt them që i ka! Në 27 dhjetor të vitit të kaluar u regjistrua “përplasja” e parë e madhe e partive në koalicion qeverisës. LSI kërkoi mosndryshimin e tatimfitimit në masën 10% vetëm për sektorin e fasonit(?!) Për të tjerë sektorë ishte dakord! Një asocacion biznesi mbështeti menjëherë deklaratën e deputetëve të kësaj force politike, duke deklaruar se “mbështet amendimin e paketës fiskale të dorëzuar nga grupi parlamentar i LSI-së”. Komisioni i Ekonomisë në Kuvend e rrëzoi këtë amendim, duke mos ndryshuar asgjë në projektbuxhetin që po miratohej për vitin e ri fiskal, ndërsa qeveria, nëpërmjet zëvendësministrit të Financave, tha se “ne nuk mund ta mbështesim tani këtë masë!”

Agjencia zyrtare e lajmeve ATSH shkroi kështu në këtë fundvit: “Ministria e Financës nuk pranoi propozimin e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI, për uljen e taksës së tatim-fitimit për fasonet nga 15-10%. Deputeti i LSI-së Përparim Spahia i kërkoi ministrisë së Financave të sqarojë efektet në buxhet të uljes së taksës së tatim-fitimit për fasonistët nga 15-10%. Zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, i pranishëm në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, sqaroi se i kemi llogaritur sa prodhojnë në buxhet konfeksionistët me të tri fashat që janë propozuar, 10%, 15% dhe 7.5%. Mete tha se efekti në buxhet është 1.9 miliardë lekë, nëse aplikohet taksa 15%, nëse aplikohet taksa 10% efekti në buxhet është 1.27 miliardë lekë dhe nëse do ishte taksa 7.5% efekti në buxhet llogaritet 0.96 miliardë lekë.

Kjo, sqaroi Mete, është vetëm për konfeksionistët që futen tek industria e fasonit. “Efekti negativ nga ulja nga 15-10% e taksës së tatim-fitimit është 630 milionë lekë në buxhet për konfeksionistët. Sigurisht që ne ndajmë shqetësimin. Së pari, është efekti në buxhet dhe, së dyti, do të konsiderohet disi diskriminuese nëse konsiderojmë vetëm konfeksionet. Nuk mund të diskriminohen bizneset e tjera”,- tha atëhere zëvendësministri i Financave, Ervin Mete.

Qeveria nuk ua mbylli “portën” propozimeve, pavarësisht nga ato vinin. Kryeministri urdhëroi thirrjen e një “komisioni të posaçëm” nën mbikqyrjen e ministrit të MZHETS. U hartua një paketë propozimesh ligjore e nënligjore që vinin nga biznesi dhe tetë përfaqësues të ministrive shqiptare u bënë pjesë e diskutimeve në grup. U arrit diçka! Por jo gjithçka! Ky komision u tentua të përdorej politikisht, por nuk gjykoj se ia dolën: ai mbeti një komision ekspertësh, sipërmarrësish dhe përfaqësuesish të tyre, por edhe një bërthamë njerëzish, që tentuan t’i ofronin qeverisë një produkt që, në finale, të merrte në konsideratë shqetësimet reale të sipërmarrjes në fushën e fasoneve (po vijoj ta quaj me këtë emër, edhe pse nuk e përfshin të gjithë spektrin e sipërmarrjeve, që ishin pjesë e matricës së propozuar).

Dhe u cilësua një model i kontributit të sipërmarrjes së maturuar (pavarësisht përqindjeve të caktuara të kontributeve, që vinin nga shoqatat përfaqësuese të biznesit), që u ndoq dhe po ndiqet nga grupe dhe aktorë të tjerë të interesit, si bujqësia dhe agropërpunimi, psh. Kjo është risi!

Nevoja për të “privatizuar” çdo gjë që lidhej me këtë kontribut është e dukshme. Unë kam shkruar edhe më parë që aktorët politikë, që mund e duhet të bënin më shumë për këtë sektor (pa diskriminuar sektorët e tjerë), ishin ligjvënësit. Ata kishin e kanë në dorë “edhe gurin, edhe arrën”! Kanë edhe emër të përveçëm! Nuk di të kenë bërë gjë deri më sot për këtë paketën e politikave lehtësuese, që është duke u miratuar dhe po miratohet në proces. Po kam qënë i befasuar, kur kam parë procesverbalin e një prej komisioneve kuvendore, që diskutonte Kodin e Ri Doganor dhe ku flitej edhe për “fasonin”. Apo, kur i njëjti qëndrim, por pa autorësi, shfaqej në një nga mediat prestigjoze ekonomike që botohet njëherë në javë në Shqipëri.
 
Ja sepse!
Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve të javës së kaluar, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, kërkoi që për mallrat që janë me origjinë shqiptare të krijohen lehtësira në procedurat doganore. Sipas medias, “Konkretisht në nenet 60 dhe 61 të Kodit të Ri Doganor, i cili po shqyrtohet në Kuvend, Vasili theksoi se mallrat, që janë nën regjimin e përpunimit aktiv, t’i krijohen lehtësira procedural, si edhe të pajisen me certifikatën EURO-1”. Në ligjëratë të drejtë, po citoj përsëri z. Vasili: “Organet doganore krijojnë lehtësi procedurale për t’u dhënë origjinë shqiptare mallrave, që janë nën regjimin e përpunimit aktiv. Organet doganore detyrohen të pajisin me certifikatë EURO-1, si certifikatë e origjinës së prodhimit shqiptar, të gjithë mallrat e gatshme që eksportohen nga subjektet e regjimit të përpunimit aktiv të cilët operojnë në Shqipëri”, ishin dy amendamentet e Vasilit.

Krahas kësaj, LSI kërkoi që makineritë, që shpërbejnë për prodhimin aktiv apo pjesët e funksionit të tyre, taksa doganore të jetë zero.
Konkretisht, deputetja e LSI-së Silva Caka theksoi: “Materialet e importuara nën regjimin e përpunimit aktiv, pavarësisht origjinës së tyre, përjashtohen nga detyrimet financiare dhe doganore, sikurse gjithë pjesa tjetër e materialeve të përpunimit aktiv. Makineritë, pajisjet dhe pjesët e këmbimit të importuara, që janë drejtpërdrejt të lidhura me procesin e prodhimit nën regjimin e përpunimit aktiv, pavarësisht origjinës së tyre, përjashtohen nga detyrimet financiare e doganore, sikurse gjithë pjesa tjetër e materialeve të përpunimit aktiv”
 
Disa komente, në ndihmë të miqve të mij…
Së pari, ligjvënësi duhet të kuptojë se mallrat, që janë në regjimin e përpunimit aktiv (RPA), nuk janë “mallrat me origjinë shqiptare”.  Nën këtë regjim janë mallrat me material porositësi.
Së dyti, ligjvënësi duhet të kuptojë që “mallrat me origjinë shqiptare” nuk janë “fason”. Prodhimi “fason”, ose prodhimi me material porositësi, nuk ka asnjë lidhje me prodhimin me cikël të mbyllur apo të plotë, sikundër janë mallrat me origjinë shqiptare.

Që mallrat “fason” të bëhen “mallra me origjinë shqiptare”, duhet të përfitojnë një certifikatë, që quhet “certifikata e origjinës, formulari A” dhe që ka të bëjë “me qëllimin e sistemit të përgjithësuar të preferencave (GSP)”, e ndryshme për vende të ndryshme ku eksportohet. Detaje të plota të kushteve që mbulojnë pranimin e GSP në këto vende gjenden pranë autoriteteve të caktuara në vendet eksportuese përfituese ose nga autoritetet doganore të vendeve preferencë-dhënëse të listës së vendeve. Çdo informacion gjendet gjithashtu në sekretariatin e UNCTAD.
Që të vërtetosh që ke “mall me origjinë shqiptare” duhet të kesh këto dokumente, të cilat vërtetojnë origjinën e mallrave: EUR.1, EUR.1 (CEFTA), EUR-MED, Deklarata faturë, Deklarata faturë (CEFTA), Deklarata e origjinës EUR-MED, Certifikata e origjinës Forma A, Certifikata e origjinës.

Nuk po kursehem të jap të plotë shpjegimin për çdonjërin nga dokumentat e mësipërme: EUR.1, EUR.1 (CEFTA), EUR-MED janë dokumente, të cilat lëshohen nga administrata doganore dhe vërtetojnë origjinën preferenciale të mallrave. Këto certifikata lëshohen nga autoritetet  doganore, pranë të cilave paraqitet deklarata doganore e eksportit, mbi bazën e aplikimit nga eksportuesi.

Deklarata faturë, Deklarata faturë (CEFTA) dhe Deklarata e origjinës EUR-MED  janë dokumente  që vërtetojnë origjinën preferenciale të mallrave vërteton origjinën preferenciale të mallrave. Deklarata Faturë mund të lëshohet nga një eksportues i miratuar, i cili pajiset nga autoritetet doganore me një numër autorizimi doganor, apo nga një eksportues i një dërgese, vlera totale e të cilave nuk i kalon 6000 €.
Certifikata e origjinës Forma A është document, që vërteton origjinën preferenciale shqiptare të mallrave që eksportohen në vëndet të cilat i kanë dhënë preference Shqipërisë si vend në zhvillim mbi bazën e Sistemit të Përgjithshëm të Preferencave (GSP). Kjo certifikatë lëshohet nga autoritetet  doganore, pranë të cilave paraqitet deklarata doganore e eksportit, mbi bazën e kërkesës me shkrim nga eksportuesi.
Certifikata e Origjinës është dokument që vërteton origjinën jopreferenciale të mallrave. Certifikata e Origjinës lëshohet nga Dhoma e Tregtisë.

Pas gjithë këtij shpjegimi, duhet të them se dokumentacioni i mësipërm ka lidhje vetëm me eksportuesit dhe jo rieksportuesit. Këta të fundit janë fasonët!
Amendimi i dytë i kërkuar “Organet doganore, detyrohen të pajisin me certifikatë EURO-1, si certifikatë e origjinës se prodhimit shqiptar, të gjithë mallrat e gatshme që eksportohen nga subjektet e regjimit të përpunimit aktiv të cilët operojnë në Shqipëri” nuk ka sens. Pse? Ja si është përcaktuar sot ky produkt origjinues: “Kriteret për origjinën në përgjithësi kërkojnë që mallrat të jenë tërësisht të përfituara ose të jenë të përpunuara në masë të mjaftueshme.

Kjo do të thotë që mallrat, ose duhet të jenë prodhuar nga lëndë të para të papërpunuara, ose përbërës që janë rritur ose prodhuar në vendin përfitues ose, nëse nuk është ky rasti, të paktën t’i jenë nënshtruar një sasie të caktuar të punimit apo përpunimit në vendin përfitues. Mallra të tilla konsiderohen të jenë "origjinues". Për të parë se cilat konsiderohen produkte tërësisht të përftuara në një vend palë në një marrëveshje, janë produktet, të cilat listohen në  Nenin 5 të çdo MTL në fuqi si dhe në Nenin 4 të shtojcës i të Konventës Rajonale. Me kaq po i  mbyll shpjegimet për ligjvënësit, sepse e di që do të më mërziten lexuesit.
 
Konkluzioni
Këto që thuhen për fasonet, nuk u përkasin fasoneve, por eksportuesve. Ato që kërkojnë fasonet janë të ndryshme nga këto që thuhen për fasonet. Këto që thuhen për eksportuesit, nuk janë ato që kërkojnë eksportuesit. Eksportuesit kërkojnë të tjera gjëra! Ajo që thuhet se “makineritë që shpërbejnë për prodhimin aktiv apo pjesët e funksionit të tyre”, të ketë taksa doganore zero, u takon edhe fasoneve, edhe eksportuesve, por nuk mund të ketë taksë zero, sepse ka ZERO TVSH deri në 31 dhjetor 2014! Përndryshe, qeveria aktuale humbet 2,6 miliardë lekë nga ky ZERIM.

Nëqoftëse thuhet se “materialet e importuara nën regjimin e përpunimit aktiv, pavarësisht origjinës se tyre, përjashtohen nga detyrimet financiare dhe doganore, sikurse gjithë pjesa tjetër e materialeve të përpunimit aktiv”, këto materiale kanë që në vitin 1992 që nuk paguajnë taksa doganore dhe asnjë lloj takse tjetër, sepse vijnë nën regjimin e përpunimit aktiv- fasonet- nuk paguajnë në doganë asnjë lloj takse për materialet ndihmëse, ndërsa qeveria e kaluar hoqi taksat edhe për një numër shumë të madhe aksesorësh (mbase gaboj, por ishin më shumë se 60 kode doganore pa taksa doganore).
Kaq mjafton!


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)