‘Shijak Fight’, ose ndryshe mbrëmja e boksit amator në Shijak, për të 3 vitin me radhë prodhoi emocione të jashtëzakonshme përmes sportit të boksit. 30 sportistë kombëtar dhe ndërkombëtar u ngjitën në ring, me qëllim fitoren, për të ndjekur ëndrrën e madhe të boksit.
Një prej tyre, në grupin e moshave të vogla, Bajram Troplini, 9-vjeçari i njohur me nofkën ‘raketa’, i cili pasionin e ka të trashëguar nga gjyshi.
“Mua më është dukur shumë mirë ndeshja sot. Mu duk vetja shumë shumë i fuqishëm sot. Unë boksin e kam mësuar nga gjyshi dhe ia dedikoj atij …… (qan),”-u shpreh boksieri Bajram Troplini.
Ndeshja e mbrëmjes ishte mes shqiptarit Xhafer Kaza dhe moldavit Nicolea Rodvanschi. Një duel me tre raunde ku Kaza ia doli të fitonte me performancë të lartë brenda tapetit të ringut. Për Report Tv ai tregoi emocionet e kësaj ndeshje të zjarrtë.
“Familja ime nuk ka qenë ndonjëherë në ndeshjet e mia sepse kanë qenë kundër kësaj, por unë s’e kam pasur problem dhe kam vazhduar. E kam pasur dhe e kam fokusin në këtë sport ku synoj të arrij sa më lart,”-tha Xhafer Kaza, boksier.
Eventi përveç sportit solli për qytetarët e Shijakut edhe performanca artistike, me muzikë e valle tradicionale të këngëtarit Fjorab Dedja. Eventi i boksit ‘Shijak Fights’ organizohet nga promotori Enton Kikrri, bashkia Shijak dhe Federata Shqiptare e Boksit.
Komente









