Në "Bima dhe Shëndeti" ndalemi te pasuria e jashtëzakonshme që na ofron natyra dhe roli i rëndësishëm që bimët medicinale kanë pasur ndër shekuj në ruajtjen e shëndetit të njeriut. Një nga bimët më të çmuara të mjekësisë popullore shqiptare është çaji i malit, i njohur jo vetëm për aromën dhe shijen karakteristike, por edhe për vetitë e tij të fuqishme shëruese, të transmetuara brez pas brezi. Për të kuptuar më thellë vlerat e kësaj bime, në "Rreze Dielli" në Report TV, Ylli Merja, specialist i njohur i bimëve mjekësore, na njeh me përbërësit kimikë që e bëjnë çajin e malit kaq të veçantë dhe efektiv për organizmin.

“Shqipëria është një vend i bekuar me një biodiversitet të jashtëzakonshëm. Malet e saj, nga Alpet e Veriut deri te vargmalet e gjata të Jugut, krijojnë kushte ideale për rritjen e një game të gjerë bimësh mjekësore. Këto bimë marrin shijen, aromën dhe vetitë e tyre shëruese nga dheu i pasur me minerale, dielli mesdhetar dhe ajri i pastër i lartësive. Nder krenaritë e maleve shqiptare kemi Çajin e Malit. Eshtë një bimë e veçantë endemike dhe shëruese, që jep një aromë sa të fortë dhe delikate. Në latinisht kjo bimë ka një emër shumë interesant dhe kuptimplotë duke qenë se shëronte plagët e hekurit dhe shpatës. Njihet me emrin shkencor Sideritis Raeseri Boiss. & Heldr – këtë emertim e ka marrë nga dy biologët e huaj të cilët studiuan bimën nga veriu në jug të Shqipërisë si dhe në Ballkan, dhe treguan për vetitë e dallueshme të saj kurative”, tregon Merja në fillim të bisedës.

Përbërësit kimik të çajit të malit janë të shumtë, ndaj dhe e bëjnë një nga bimët më kurative. Çaji i malit përmban vajra esencial, timol, karvakrol, flavonoide, minerale e shumë përbërës të tjerë, që i japin kësaj bimë veti antiinflamatore, antibakteriale, antimykotike, ulës të infeksionëve, qetësues të sistemit nervor, antispazmatik, etj.

Përfitimet e Çajit të Malit:

·         Përkrah sistemin imunitar - Përmban antioksidantë që ndihmojnë në mbrojtjen e trupit nga faktorët e jashtëm.

·         Ndihmon tretjen - Lehtëson inflamacionin dhe përmirëson funksionin e stomakut.

·         Mbështet shëndetin e zemrës - Studime të ndryshme kanë treguar se çaji i malit ndihmon në uljen e tensionit të gjakut dhe përmirësimin e qarkullimit të gjakut.

·         Lehtëson ftohjet dhe gripin - Përdoret tradicionalisht për të qetësuar kollën dhe për të ndihmuar në luftën kundër virozave të stinës.

·         Rrit energjinë dhe vitalitetin - Është një stimulues natyral që ndihmon trupin të përballojë lodhjen.

·         Mbështet sistemin nervor, përmirëson cilësinë e gjumit - Përbërësit e tij ndihmojnë në qetësimin e stresit dhe ankthit.

·         Pastron organizmin - Përmban veti diuretike që ndihmojnë në eliminimin e toksinave dhe përmirësojnë funksionin e veshkave.

“Bimët e maleve tona janë një trashëgimi kombëtare, të cilat duhet të ruhen dhe vlerësohen. Kërkesa e lartë për çajin e malit shqiptar në tregjet ndërkombëtare ka bërë që të rritet rëndësia e kultivimit të qëndrueshëm dhe mbledhjes me kujdes të këtyre bimëve”, shprehet Merja.

Përdorimet praktike në familje të Çajit të Malit

·         Çaj antiviral, nxitës i djersitjes: në 1 litër ujë që vlon shtojmë 3-4 fije çaj mali, 2-3 gjethe dafine ose sherebele, 1 lugë gjelle lule bliri, 1 copë xhinxhër ose 1 lugë lule shtogu. Fikim sobën dhe e lëmë enën të mbuluar për 15-20 minuta. Më pas kulloni çajin dhe pini 2-3 gota në ditë çaj të ngrohtë ëmbëlsuar me pak mjaltë dhe lëng limoni.

·         Çaj për ndalim diarreje: në një tenxhere përvëlojmë me 1 litër ujë 3-4 fije çaj mali, 1 lugë supe rigon, 1 lugë borzilok, 1 lugë boronicë. Pihen 2-3 gota shoqëruar me mjaltë dhe limon.

·         Çaj për qetësimin nervor: në një enë përvëlojmë në 1 litër ujë 3-4 fije çaj mali, 1 lugë gjelle borzilok, 1 dorë bar blete, 1 lugë rozmarinë. Pihen 2-3 gota çaj në ditë.

·         Çaj për mbrojtje kardiovaskulare: Në një tenxhere përvëlojmë me 1 litër ujë 3-4 fije çaj mali, 30 kokrra trëndafil të egër, 1 dorë murriz lule, 1 lugë boronicë. Kullojeni pas 20 minutave dhe pini 2-3 gota në ditë ëmbëlsuar me mjaltë dhe pak lëng limoni.