Paneli drejtues i aktivitetit. Dorian Koçi, Melsi Labi, Floresha Dado, Ermir Nika dhe Spiro Nika
TIRANË,13 Korrik/ATSH/.-Në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar u mbajt sot simpoziumi përkujtimor me temë "Andon Zako Çajupi (1866-1930), Tomorri i poezisë shqipe". Aktiviteti i organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar, Instituti i Librit dhe Promocionit, dhe Shtëpia Botuese "Toena" me rastin e 85-vjetorit të ndarjes nga jeta të autorit të madh, e çeli drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi i cili gjatë fjalës së rastit u shpreh se "Simfonia çaupjane përshkohet nga dy tema të mprehta, atdheu dhe dashuria".
"Duke lexuar veprën e Çajupit na shtohet dashuria për atdheun dhe na ringjallet ndjenja kombëtare" tha Labi.
"Çajupi është cilësuar nga kritikët e letërsisë si "Tomorri i poezisë shqipe", Tomorri është për poetin "Kish e Shqipërisë, fron i Perëndisë", Tomorri është vendi ku poeti bie gjunjë dhe lutet për fatin e Shqipërisë, dhe Zëri i "Baba Tomorrit" është zëri i Çajupit, i cili kërkon t'i bashkojë shqiptarët dhe t'i sjelli në udhën e mbarë." theksoi Melsi Labi.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar melsi Labi gjatë fjalës në aktivitet
Fjalën më pas e mori Akademiku Jorgo Bulo, i cili mbajti kumtesën "Çajupi midis të shkuarës dhe së ardhmes", dhe Akademikja Floresha Dado e cila mbajti kumtesën "Çajupi fabulist". Në fund të aktivitetit fjalën e mori nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi, i cili foli mbi "Motivet homerike në veprën e A. Z. Çajupit dhe Kavafit (poezia Kurbeti dhe Itaka). Sakaq MHK sqaron se Simpoziume të tilla shkencore dhe përkujtimore do të mbahen edhe në muajt në vazhdim në Muzeun Historik Kombëtar. Duke filluar që në muajin Tetor, ku do do të përkujtohet 115-vjetori i ndarjes nga jeta të një poeti tjetër të madh shqiptar, siç është Naim Frashëri.
/k.m/f.n/







