Call Center, ja ç’do të ndodhë
pas ndryshimeve ligjore në Itali

Call Center, ja ç’do të ndodhë<br />pas ndryshimeve ligjore në Itali
ROMË- “-Mirëmëngjez, jam Sonila, përgjigjem nga Shqipëria, si mund t’iu ndihmoj?- Ju falenderoj, por unë preferoj të flas me një operator nga Italia”.

Kështu nis një artikull tek “Corriere della Sera”, ku jepen informacione mbi amendimet e ligjit për Call Center. Nuk mungoi lajmi i keq nga Italia për gjithë shqiptarët e punësuar në kompanitë Call Center në Shqipëri.
Zv/ministrja italiane e Zhvillimit Ekonomik, Teresa Bellanova, duke folur për ndryshimet e ligjit të shoqërive Call Center italiane, thotë se ligji do të hyjë në fuqi 90 ditë pas publikimit në Fletoren zyrtare.

“Ky ligj do të hyjë në fuqi 90 ditë pas publikimit të tij në Gazetën Zyrtare. Pra, shoqërive që kanë vendosur degët jashtë vendit, ligji u jep mundësinë në tre muaj kohë për t’u organizuar”, thotë ministrja, e cila ka qenë tepër aktive për këtë ligj. Sipas saj, është në zgjedhjen e klientit të vendosë të ketë shërbimin nga ky operator jashtë kufirit italian apo të preferojë një operator shërbimi në Itali, apo në një vend tjetër të Bashkimit Europian.

Operatori i shërbimit Call Center jashtë Italisë ka për detyrë të vendosë menjëherë në dispozicion të klientëve, kërkesën e tyre për një operator shërbimi nga Italia apo nga një vend tjetër i BE-së.

Po çfarë ndodh në rast se shoqëritë Call Center nuk i përshtaten kësaj normative ligjore? “Për ta do të ketë një gjobë prej 50 mijë eurosh në ditë”, thotë zv/ministrja italiane Bellanova.
 
Objektivi
Ky ligj, i miratuar në mënyrë definitive më datë 7 dhjetor nga Parlamenti, ka marrë vëmendje të madhe në Shqipëri pasi, nëse Call Center-at zhvendosen nga vendi ynë, rrezikohen 20 mijë vende pune.

Në të vërtetë, ky ligj duket se është i konceptuar pikërisht për të dëmtuar operatorët e Call Center-at që punojnë në Shqipëri, ndërkohë që nuk do të ndihmojë në asnjë mënyrë – siç ishte edhe objektivi i qeverisë ‘Renzi’ – Call Center-at që operojnë në Itali. Bashkimi Evropian, në fakt, nuk ka qenë dakord të favorizojë ndërmarrjet italiane Call Center, kështu që ato të cilat do të përfitojnë nga rregullat e reja do të jenë kryesisht Call Center që operojnë në Rumani, i vetmi vend i BE ku flasin mirë italisht, si në Shqipëri.

Shoqëritë italiane të Call Center, në fakt, do të vazhdojnë të punojnë jashtë, pasi kostoja e punës në Rumani është shumë më e ulët se sa në Itali, ku një operator kushton rreth 1.300 euro në muaj, kundrejt 600 eurove që kushton në Bukuresht apo Tiranë.
 
Rreziqet
Janë të paktën katër, risitë që sjell ky ligj, të cilat rrezikon të penalizojnë Call Center që operojnë në Shqipëri.
  1. Abonentët italianë që telefonojnë, apo të cilëve u telefonojnë nga një Call Center, do të mund të zgjedhin të flasin me një operator që ndodhet në Shqipëri, apo me një tjetër, që ndodhet në një tjetër vend të Bashkimit Evropian.
Aktualisht, vetëm në 25-30 raste në ditë ndodh që një italian të mos dëshirojë të flasë me një operator shqiptar, në raport me miliona telefonata që kalojnë nëpërmjet Call Center-ave tanë. Megjithatë, kjo klauzolë mund të dëmtojë Call Center-at e vegjël, që nuk kanë seli të tjera përtej Shqipërisë. Ndërsa shoqëritë e mëdha do të kufizohen të devijojnë telefonatat drejt selive të tyre në Rumani, apo në Kroaci.
  1. Shoqëritë Call Center që kanë investuar apo investojnë në Shqipëri (ose në vende jashtë BE) do të humbasin privilegjet fiskale, që u rezervohen atyre të cilët, në të kundërt, investojnë në Itali apo në vende të tjera të BE.
Ky diskriminim do të godasë sidomos operatorët italianë, që e kanë selinë në Itali, si dhe në Shqipëri. Operatorët shqiptarë, në të kundërt, nuk do të preken nga kjo klauzolë.
  1. Shoqëritë Call Center që kanë investuar apo që investojnë në Shqipëri (ose në vende jashtë BE) duhet të njoftojnë me shkrim ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ministrinë e Punës dhe Autoritetin e Mbrojtjes së Privatësisë në Itali.
Rregulli shërben për të ndërlikuar burokracinë për operatorët e Call Center-ave italianë, por nuk do të godasë operatorët shqiptarë.
  1. Në tenderat publikë në Itali shoqëritë e Call Center nuk do të favorizohen po të paraqesin një kosto më të lirë të punonjësve.   Kjo klauzolë, që u heq shoqërive, të cilat operojnë me kostot shqiptare të punës, avantazhin që kishin deri më sot ndaj shoqërive që operojnë me kosto italiane, ka lidhje vetëm me tenderat publike në Itali. Në realitet, pjesa më e madhe e Call Center-ave në Shqipëri punojnë me operatorë privatë, kështu që kjo klauzolë nuk do të dëmtojë Call Center-at shqiptare.

Dëmet
Sikurse shihet, vetëm dy risitë e para, të sjella nga ligji italian, do të mund të dëmtojnë një pjesë të Call Center-ave që operojnë në Shqipëri. Në total, janë 250, Call Center-at e regjistruar në Shqipëri, me një numër total punonjësish, që varjon nga 10.000, deri në 20.000 dhe të gjithë punojnë me tregun italian.

“Problemi i vërtetë – shpjegon për ‘Shqiptarja.com’ një operator italian i sektorit – është ai, nëse qeveria italiane, pasi ka adoptuar këto rregulla, vendos të bëjë edhe presion mbi shoqëritë private italiane, për t’i bindur ato të mos lidhin kontrata të reja me Call Center-a që kanë seli në Shqipëri. Nëse ky presion nuk do të bëhet, dëmet për tregun shqiptar të punës do të jenë të kufizuara. Në rast të kundërt, kriza do të jetë e thellë”.
 
Reagimi
Po çfarë mund të bëjë qeveria shqiptare? Qeveria ‘Rama’ ka tre muaj në dispozicion që t’i mbushë mendjen Romës të modifikojë ligjin dhe të përfshijë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, edhe vendet kandidate: me të vërtetë do të ishte edhe logjike të mendohej që, nga njera anë të bësh avokatin e Shqipërisë për të bindur Brukselin të hapë negociatat me të dhe, nga ana tjetër, t’u mohosh vendeve, me të cilat kanë nisur negociatat, të njejta privilegje si vendet anëtare të Unionit, nuk ka asnjë sens.

Në rast se operacioni i lobimit politik do të arrijë objektivin, Shqipëria do të ishte në të njejtat kushte si Rumania dhe 250 Call Center-at tanë do të shpëtonin.            

(dy.b/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Rusia: Administrata amerikane në largim bën gjithçka për të minuar planin e Trump për paqe në Ukrainë

Rusia: Administrata amerikane në largim bën gjithçka për të minuar planin e Trump për paqe në Ukrainë