TIRANË - Policia ka ndaluar ditën e sotme 28-vjeçarin David Prendi, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër ndalimi nga Prokuroria e Posaçme, pasi dyshohet se ishte pjesë e grupit kriminal të “Call Center-ave”, që mashtronte qytetarë evropianë me kriptomonedha, me bazë në në kullën luksoze në Tiranë, Atti Tower, e në godinën tjetër të e famshme dhe shumë të shtrenjtë të kryeqytetit, “Downtown One”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike:

-vunë në pranga shtetasin D. P., 28 vjeç, pasi ndaj tij është nxjerrë urdhër ndalimi nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”,- njofton policia.

SPAK tha se hetimet për aktivitetin mashtrues, që Report Tv mësoi se e drejtonin 3 vëllezër, Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj, nisën pasi nga emisioni investigativ italian “Le Iene” u dorëzuan materiale.

Nga videot e filmuara nga gazetari italian i “Le Iene” që ishte i infiltruar si punonjës në këtë call center, pikërisht në zyrat e vendosura në katin e 9-të dhe të 13-të shihet se është një qendër e mirëorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.

Sipas SPAK organizatorët kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj Qendre.

Ishin pikërisht vëzhguesit jashtë kullës “Atti Toëer” që sipas Prokurtorisë së Posaçme mbrëmjen e datës 15 Janar, pas përfundimit të punës, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme. Pas kësaj, në orët e para të mëngjesit të datës 16 Janar 2026, janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i Qendrës së Thirrjeve.

Kur hetuesit e BKH-së kanë shkuar në kullën luksoze më 16 janar i kanë gjeture të boshatisura zyrat, pasi ishin larguar pajisjet dhe personelit. Pas këtij momenti BKH ka identifikuar mjetet që kanë larguar kompjuterat dhe pajisjet e tjera të Call Centerit. Pas gjurmimit të tyre, në një kohë të shkurtër, u realizua kapja në flagrancë e disa personave, kryesisht transportues, që kishin lëvizur pajisjet nga “Atti Toëer” në një ambient tjetër të marrë me qira në kullën “Doëntoën One”. Me iniciativën e tyre hetuesit janë ngjitur menjëherë në katin e pestë të kësaj kulle, ku kanë gjetur një tjetër “Call Center”, në ndërtim e sipër.

Pasi kërkoi përforcime nga policia e Tiranës, u bë e mundur arrestimi i Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi, Odeas Kuqi, që u kapën në flagrancë dhe më pas ndalimi i dy të tjerëve, që dyshohen si punonjës të call centerit dhe akuzohen për mashtrim kompjuterik.

Një ditë më pas, më 17 janar, janë lëshuar edhe urdhrat e ndalimit për tre vëllezërit Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj, si organizatorë, që vijojnë të jenë në kërkim.

Investigimi mori shkas nga ankesat e disa italianëve të mashtruar. “Le Iene” mundi të infiltrojë një person, i cili nisi të punojë aty dhe realizoi regjistrimin e të dhënave në ambientet e Qendrës së Thirrjeve. Nga të dhënat se jo vetëm shqiptarë, por edhe italianë janë përfshirë në krim, që jetojnë në Itali apo Shqipëri. Transaksionet e fituara nga aktiviteti kriminal kryheshin në kriptovaluta, në portofolet e monedhave virtuale të menaxhuara nga kokat e grupit.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.