Cani: Tatim-taksat e doganat
kush ka shkelur ligjin, para ligjit

Cani: Tatim-taksat e doganat<br />kush ka shkelur ligjin, para ligjit
UASHINGTON - Ministri shqiptar i Financave Shkëlqim Cani tha se punonjësit e administratës së tatim-taksave dhe doganave që do të rezultojnë se kanë shkelur ligjin, do t’i përgjigjen ligjit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës", zoti Cani foli komentoi dhe mbi nivelin e borxhit të qeverisë ndaj biznesit, duke thënë se shifrat që zotërohen janë vetëm të përafërta dhe se për të dhëna të sakta do të përdoret ndihma e një kompanie ndërkombëtare. Ministri Cani u intervistua nga kolegia Rudina Dervishi.   
 
Zëri i Amerikës: Një nga shqetësimet kryesore është borxhi ndaj ndërmarrjeve private. Ju thoni që ky borxh është në shifrat 570 milionë dollarë. Ndërkohë opozita thotë se kjo është një fryrje e qëllimshme e shifrës, për të rritur tavanin e borxhit. Si i përgjigjeni këtyre akuzave dhe pse kjo përplasje në shifra? 

Shkëlqim Cani: Çështja e shifrave nuk është një çështje që nuk po e dëgjoni për herë të parë, edhe ju edhe publiku. Ne vazhdimisht kemi pasur mosrakordim shifrash, kur kemi qenë në opozitë me qeverinë. Tani jemi ne jemi në qeveri dhe përsëri kemi mosrakordim shifrash. Ndërsa në fazën e parë mund ta mirëkuptoja qeverinë pasi opozita me ato mundësi të pakta për gjetjen e shifrave që kishte, natyrish edhe mund të gabonte, mund edhe ti ekzagjeronte. Ndërsa tani që jemi në qeveri dhe kemi burime të dhënash, natyrisht që është pak më e vështirë dhe do ti kërkoja kujtdo që flet për çështjen e borxhit të jetë më i vëmendshëm, të jetë më i kujdesshëm, për arsye se duhet të kuptojnë që diçka nuk shkon në anën e tyre. Së pari, unë si ministër Financash nuk është se kisha një borxh të shtëpisë time dhe unë po e përfshij në borxhin e qeverisë sepse do të marr diçka në shtëpi. Së dyti ne nuk kemi folur për shifër të saktë, për arsye se ne themi që po bëjmë vlersime të përafërta të shifrave të borxhit që qeveria i ka biznesit. Së treti, ne nuk kemi hezituar të themi se një tjetër kompani private e njohur  në tregun ndërkombëtar – një nga katër të mëdhatë – do të bëjë rivlerësimin dhe matjen e borxhit që qeveria i ka biznesit dhe atëherë do të kemi shifrën e saktë të këtij borxhi. Por një vlerësim i përafërt ekziston, për arsye se institucionet shtetërore – që në kohën që në qeveri ishin këta që sot komentojnë shifrat – kanë patur shifra të përafërta. Sa do të jetë saktësisht, kjo do të verifikohet nga kompania ndërkombëtare, pasi pikërisht ishim të shqetësuar që në fillim se do të na akuzonin që po manipulojmë shifrat.
Madje, meqënëse më jepet mundësia, unë e ftoj vetë ish ministrin e Financave Bode si edhe ish zv. ministrin e Financave Sherefedin Shehu, të jenë pjesëtarë të grupit që po bën verifikimin. Le të jenë ata atje në atë grup, dhe të nxjerrim shifrën e vërtetë. Unë nuk kam ndërmend si ministër i Financës të paguaj për gjëra që nuk i ka borxh shteti ndaj biznesit.
 
Zëri i Amerikës:
Ju parashikoni të rrisni huamarrjen dhe të shlyeni detyrimet ndaj biznesit privat siç e thatë, dhe parashikoni që kjo ta çojë borxhin publik deri në fund të vitit, në nivelin 73 për qind. Sa shqetësuese është kjo shifër për qeverinë, për ekonominë shqiptare, në një kohë që kur ju ishit në opozitë, kritikonit qeverinë e atëhershme për tavanin e borxhit që kaloi kufijtë e 60 përqindshit.
 
Shkëlqim Cani: Ka dy interpretime. Një interpretim është teknik, dhe një tjetër është më popullor do të thoja. Në interpretimin teknik, unë përsëri do të doja që të mos flasim vetëm ne, teknikët shqiptarë, por le të fusim në lojë përsëri interpretimin e teknikëve, ekspertëve të huaj. Janë dy grupe ekspertësh që janë të Bankës Botërore dhe të FMN-së që përgjithësisht në Shqipëri kanë gjetur pajtim, në publik apo edhe në institucionet publike shqiptare. Të dy këto ekspertë bien dakord se shifra e borxhit optimale, më e mira për Shqipërinë, është diku tek 40 përqindshi, dikush e çon edhe 45, po asnjë nuk e çon mbi 50 për qind. Ndërkohë ju përmendët shifrën 60 për qind. Kuptohet që shifra 60 për qind e cila është pjesë e realitetit dhe ne nuk mund t’i shmangeshim. Jo se është optimale, jo se është e dëshiruar, përkundrazi, qeveria që iku, kishte detyrimin që ta çonte 50 për qind dhe nuk e realizoi dot. Kështu që shifra 60 përqind nuk është e dëshiruar por është e imponuar. Ndërkohë, të kërcesh nga 60 për qind në 72 për qind, kuptohet që shifra bëhet shqetësuese, sepse prek raporte të rritjes së ekonomisë, të punësimit, prek raporte të mundësisë së balancimit të buxhetit, të deficitit buxhetor, dhe të mundësisë së shlyerjes. Përveç faktit që kthehet në problem edhe ndaj kredi dhënësve, për arsye se duhet të kesh një raport të caktuar. Kjo është ajo që na shqetëson ne. Ne nuk duam ta lëmë Shqipërinë që të shkojë në këtë fazë, kur të gjithë na jepnin buzëqeshjen dhe të mos na jepnin më hua. Ne duam ta çojmë vendin drejt disa kufijve normalë, të quhemi një vend që kemi kredi-marrje, në një nivel – nuk po them dot optimalin se nuk guxoj më të artikuloj optimalin – por jo tej kufijve shqetësues.
 
Zëri i Amerikës: Ju keni deklaruar se do të bashkëpunoni me FMN-në, se do të kërkoni hua nga FMN-ja dhe nga Banka Botërore. Gjatë takimeve këtu në Uashington, keni filluar tratativat për këto hua?
 
Shkëlqim Cani: Qeveria shqiptare, kryeministri, më kanë ngarkuar që të hulumtoj të gjithë tregjet, në mënyrë që të marr huanë me kushtet më të mira të mundshme. Kështu që, opsioni i FMN-së dhe i Bankës Botërore është ndër opsionet e para, para se të dalim në tregun ndërkombëtar, tek të tjerë aktorë huadhënës. Natyrisht që ne do të shohim për FMN-në dhe Bankën Botërore. Por në qoftë se ne shohim hapësira më të mira dhe në tregun e brendshëm apo nga huadhënës të tjerë ndërkombëtarë, natyrisht që ne do t’i marrim atje. Kështu që pjesë e bisedimeve këtu me FMN-në, në rradhë të parë është gjendja e ekonomisë shqiptare në tërësi, dhe çfarë masash mund të marrim për ta sistemuar ekonominë shqiptare.
 
Zëri i Amerikës: Ju pra flisni për një keq-administrim të tatimeve dhe të doganave dhe keni kritikuar 8 muajt e qeverisjes së mëparshme. Megjithatë, edhe parashikimi për pjesën tjetër të vitit është me rënie të këtyre të ardhurave. Sa do të zgjasë reformimi i sistemit fiskal?
 
Shkëlqim Cani
: Të them të drejtën, nuk është se nuk e kam marrë parasysh edhe këtë lloj indirekt kritike që i bëhet Ministrisë së Financave për një vazhdimësi të ritmit të ulët të mbledhjes së të ardhurave. Njëherë duhet të ndajmë një mendim shumë të qartë. Në tetë vjet rresht, nuk ka qenë opozita që ka kritikuar tatim-taksat dhe doganat. Kanë qenë institucione ndëkombëtare që kanë bërë vlerësime apo intervista të ndryshme në publik për perceptimin e tyre për këto institucione. Ka qenë biznesi i cili i ka quajtur marrëdhëniet me tatim-taksat, me institucionin e drejtorisë së përgjithshme të tatim-taksave dhe të doganave, marrëdhënie thuajse brutale kundër tyre. Pra, nuk është vetëm një mendim i hedhur nga një individ apo një grup individësh apo nga opozita për të fituar terren. Këto janë vlerësime që janë të shpallura. Nuk është që lind nevoja që ne t’i ridimensionojmë. Kush i ka bërë këto veprime? Njerëzit, se nuk besoj që të kenë qenë robotët që i kanë bërë. Këta njerëz janë aty. Pavarësisht nga britmat e opozitës, ata janë përsëri në punë. Ata janë ata që i kanë krijuar këto marrëdhënie. Ne do t’i japim shansin atyre për të ndërruar mentalitetin, për të ndërruar mënyrën e të vepruarit, që, më shumë shohin xhepin e tyre, se sa kanë parë xhepin e shtetit, se sa kanë parë interesat e atyre njerëzve që quhen “popull” në fund fare. Dhe disa nga ata janë majmur kaq shumë. Natyrisht që do të përballen me ligjin dhe unë nuk hezitoj të them se kushdo që do të dalë në shkelje të ligjit, natyrisht që do t’i përgjigjet ligjit. Ne kemi në një projekt për të thirrur në ndihmë të doganave shqiptare, një kompani të njohur në botë, në mënyrë që t’i japim një pjesë, “outsourcing,” jo të gjithë doganat shqiptare. Doganat shqiptare do të bëhen nga shqiptarët. Atë që pak a shumë do të bëjë kjo kompani është që një firmë, një biznes privat që do të kalojë mallra pa doganë, ose në mashtrim të doganës, ku doganieri bie dakort me të, ku anti-kontrabanda apo kontrollori i doganierit bie dakort me të, këto të jenë në një pjesë fundore të gjithë këtij cikli.
 
Zëri i Amerikës: Zoti Ministër gjatë fushatës Partia Socialiste premtoi të zbatojë taksën e sheshtë, një prej premtimeve më të debatueshme në atë kohë. A do të zbatohet kjo taksë në Shqipëri dhe kur?   
 
Shkëlqim Cani: Ne jemi përpara një fakti që jemi në pushtet, është një qeveri koalicioni që ka deklaruar taksën progresive. Pra, kjo pyetje nuk mund të bëhët më. Tani, pyetja bëhet ndryshe: cili do të jëtë niveli i taksës ose i progresivitetit. Natyrisht që nuk është kënaqësi as për biznesin ose atë që e paguan taksën, as për atë që e vendos taksën të rrisë taksat. Sepse taksat janë të dhimbshme për atë që e paguan. Besoj edhe ju, sa më pak taksa të paguani nga paga, aq më e kënaqur do të ishit.
Por ndërkohë, ju merni edhe një mori shërbimesh për taksën që paguani. Në qoftë se taksat shkojnë si në Shqipëri, jo në drejtimin e duhur, dhe populli nuk sheh ndonjë gjë të prekshme nga shpenzimet që bën qeveria, është e natyrshme që të qenit kundër taksës do të jetë më i fuqishëm se sa kur shohin shërbimet. Në qoftë se ju ka rastisur kur keni ardhur në Tiranë të shihni gjendjen e spitaleve, nuk po flas për rrethet, natyrisht që ju do të ishit kundër rritjes së taksave. Në qoftë se do të shihnit gjendjen e shkollave, natyrisht që do të ishit kundër taksave. Po kështu janë një varg shërbimesh, cilësi rrugësh që riparohen, e të tjera, për të mos thënë pastaj rrugë që rregjistrohen si të riparuara, por thjeshtë janë në xhepin e dikujt. Natyrisht që njerëzit do të jenë kundër. Po nuk ndërruam këtë filozofi, ne, si qeveri e re, nuk kemi fituar gjë në raport me publikun. Ka një akuzë të përditshme për shembull në media që qeveria socialiste u zmadhua. Është e kundërta. Do t’i shihni shifrat shumë shpejt, që, sapo të miratohen strukturat nëpër ministri, do të jetë me një ulje, një ulje që unë do ta quaja edhe të nivelit drastik të shpenzimeve nga këto institucione, edhe të uljes së numrit të punonjësve duke e bërë edhe më mirë punën. Natyrisht një administratë e fryrë, e bën më keq punën, se sa një administratë në numrin e kërkuar në optimumin e vet, nuk po flas për optimumin që në goditjen e parë, se ndoshta do të ketë nevojë edhe për një rishqyrtim, por kjo le t’i lihet kohës. Le të shohim njëherë se çfarë do të ndodhë me kohë. Kështu që, taksa progresive do të jetë e sigurtë që do të vendoset. Është po aq e sigurtë që biznesi i vogël, njerëzit më në nevojë, do të paguajnë më pak nga ç’kan paguar deri më sot. Ç’ka flet për një shifër që është dhënë dikur, që flitet për 95/90 për qind të popullsisë, pra që do të paguajë më pak, dhe natyrisht një shtresë tjetër, do të shihet për të mbajtur një barrë më të rëndë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Refleksionet e historianit të njohur: Ismail Qemali e mori flamurin e Pavarësisë të qëndisur me fije ari prej Naços, i cili e mbante në duart e veta, por sot kësaj dite mbetet enigmë

Refleksionet e historianit të njohur: Ismail Qemali e mori flamurin e Pavarësisë të qëndisur me fije ari prej Naços, i cili e mbante në duart e veta, por sot kësaj dite mbetet enigmë