
Pas ndërprerjeve të reshjeve të shiut ekipet e punës në bashkëpunim me Bashkinë Maliq, Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit po punojnë për mbylljen e çarjes e argjinaturës së lumit Devoll.
Përmes një njoftimi nga prefektura e qarkut Korçë bëhet me dije se segmentet rrugore janë të kalueshme, përveç aksit Maliq-Kufi Gramsh ku problematikë mbeten aluvionet në formë balte që vijnë nga skarpatat, kryesisht në zonën e Lozhanit.
Njoftimi i plotë:
Prefektura e Qarkut Korçë informon se, sipas të dhënave nga ARRSH – Drejtoria Qendër–Lindje, gjatë natës nuk janë regjistruar reshje në akset rrugore të qarkut. Temperaturat kanë qenë nën zero dhe është kryer kriposje në zonat problematike.
Në segmentet Ersekë–Leskovik dhe Maliq–Kufi Gramsh qarkullimi vijon normalisht. Në aksin Maliq–Kufi Gramsh problematikë mbeten aluvionet në formë balte që vijnë nga skarpatat, kryesisht në zonën e Lozhanit.
Në akset Boboshticë–Dardhë, Lapidari Podgorie–Podgorie–Liqenas, si dhe në lotin 7 (Libonik–Rëmbec–Plasë dhe Korçë–Voskopojë), është kryer kriposje sipas nevojës dhe qarkullimi është normal.
Në akset Korçë–Ersekë dhe Zemblak–Goricë–Bilisht–Miras nuk raportohen probleme, ndërsa qarkullimi rekomandohet të kryhet me goma dimërore.
OSHEE – Drejtoria Rajonale Korçë raporton se aktualisht janë 3 fiderë pjesërisht të stakuar, me një numër të kufizuar abonentësh pa energji elektrike:
Në zonën e Maliqit, 14 abonentë ruralë;
Në zonën e Pogradecit, 4 abonentë privatë;
Në zonën e Gjançit, 2 abonentë.
Ekipet e OSHEE-së ndodhen në gatishmëri për riparimin e defekteve në terren. Të gjithë fiderët që furnizojnë konsumatorë të rëndësisë së veçantë janë funksionalë. Hidrovori i Pogradecit vijon punën normalisht.
Ndërkohë, vijon puna për mbylljen e çarjes së argjinaturës së lumit Devoll, me je angazhimin e mjeteve të Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëpunim me Bashkinë Maliq dhe Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit.
Nga bashkitë e qarkut nuk raportohen problematika të reja. Strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në terren për normalizimin e plotë të situatës dhe sistemimin e dëmeve të mbetura.
Lajmi kryesor:
Fier/ Çarja e argjinaturës së Semanit, përmbyten 20 banesa në fshatin Hasturkas në Libofshë









