Të lexosh rresht pas rreshti 416 faqet e urdhër-arrestit të nënshkruar nga Gjykata e Catania-s dhe që, për herë të parë pas 18 vitesh veprimtarie kriminale, çoi në arrestimin e pjesëtarëve të bandës Habilaj të Vlorës, kjo i ngjan një udhëtimi vajtje-ardhje mes dy botësh, që prekin njëra-tjetrën, por megjithatë, janë shumë larg. Na udhëheq në këtë udhëtim zëri i trafikantëve, të përgjuar në katër vjet nga “çimkat” e Guardia di Finanza-s dhe ato zëra të zvarritin çast pas çasti në përditshmërinë e keqbërësëve që jetojnë mes Italisë e Shqipërisë dhe që lëvizin vazhdimisht, nga një vend ku shtet ka, në një vend ku ende nuk ka shtet.
Deri tani, mediat dhe politikanët janë ndalur mbi tri fraza që ndodhen në atë dosje, me të cilat, direkt apo indirekt, trafikantët që flasin mes tyre duket se i referohen Saimir Tahirit, në atë kohë ministër i Brendshëm dhe kushëri i vëllezërve Habilaj. Për këtë do të flasim edhe ne, por, veç frazave të veçanta, kur lexon atë lumë përgjimesh, zbulon shumë gjëra të tjera.
Ndjek trafikantët në udhëtimet e tyre në Itali: që nga momenti i zbritjes nga trageti në Pulja dhe gjatë gjithë qendrimit në Siçili, ata janë të fiksuar prej frikës nga shteti, se mos i ndjekin, i përgjojnë, i arrestojnë. Ndryshojnë makina, ndryshojnë numra telefoni, ndryshojnë edhe shtëpi. “Pashë njërin që rrinte tek porta, mos ishte nga të zinjtë”, i thotë Moisiu bashkëpunëtorit të tij, duke aluduar se ishte fjala për një polic veshur civil. Shohin gjithandej armiq, janë të tmerruar nga kjo. I sheh më pas të njejtët trafikantë, të sapokthyer në Shqipëri, që shtendosen: Jemi në shtëpi këtu, vëlla, dhe flasin për peshqit, për femra, për biznes dhe se si do të vazhdojnë të trafikojnë drogë. Shteti nuk i shqetëson më.
Në ato 416 faqe është fotografia e një policie italiane që ka dëshirë të luftojë krimin, forca e së cilës është jashtëzakonisht më e madhe se ajo e trafikantëve: policët italianë dinë gjithshka mbi trafikantët, u vendosin fshehurazi “çimka” kudo, nëpër shtëpi, makina, telefona. Dinë se me kë rrinë, kë takojnë, çfarë flasin. I regjistrojnë, i filmojnë, i fotografojnë. Ata ndryshojnë makinën për të mos u zbuluar dhe pas dy orësh policia italiane e zbulon makinën e re dhe u vendos “çimka” të tjera brenda. “Këtu mund të flasim të qetë”, thotë Moisi, ndërsa Guardia di Financa po e përgjon. Trafikantët lodhen një muaj të tërë që të sjellin peshkarexhën “Fatima” nga Catania deri në Porto Palermo për të ngarkuar drogën: nisen, kthehen mbrapsht, u duhet të përballojnë një stuhi, kërkojnë në brigjet siçiliane vendzbarkime të sigurta, shkëmbejnë SMS me kode duke shpresuar të mos zbulohen, ndërkohë në peshkarexhë “çimkat” regjistrojnë gjithshka. Dhe porsa droga mbërrin në tokën italiane, për trafikantët duket se odiseja mbyllet përfundimisht, në pak minuta mbin nga dheu Guardia di Finanza, që sekuestron drogën dhe i arreston të gjithë. Ëndërra mbaroi.
Nëse shteti do, ai i lufton trafikantët dhe i mund ata, sepse shteti është më i fortë. Dhe për këtë është provë përmbajtja e atyre faqeve. Por, duke lexuar ato faqe, kuptohet edhe se sa i dobët është shteti shqiptar, madje ndonjëherë edhe bashkëfajtor. Policia shqiptare trafikantët nuk i frikëson, policët ata i përmendin me përbuzje si të korruptuar, dhe citojnë ministrin e Brendshëm si person i zakonshëm, me të cilin mund të krahasohen (“ç’i duket Saimir Tahirit, se është më i pasur nga ne?”) Këtu policët kalojnë dhe trafikantët i përshëndetin, ndërkohë tregojnë edhe që, nëse ju duhet, i thërrasin të ngarkojnë thasë me drogë. Habilajt kanë bërë trafik drogë që nga viti 1998: shumë qeveri kanë ndryshuar që atëhere, shumë ministra të Brendshëm, shumë drejtorë të Policisë, e megjithatë në data base-n e Drejtësisë shqiptare ende vëllezërit Habilaj rezultojnë sipërmarrës të respektueshëm, pa precedentë penalë. Për trafikantët, shteti shqiptar është një nga zërat e shpenzimeve, pikërisht ashtu si janë prodhuesit e drogës apo skafistët: “Ky është shpenzimi që na rëndon më shumë”, thonë ata të mërzitur. Shteti është vetëm një nga të punësuarit e tyre.
Krahas kësaj, del në pah mjerimi, në të cilin jeton kjo botë e krimit, trafikantë që sillen si barbonë, që lëvizin në Catania me një Fiat Panda të vjetër, të dënuar me një ekzistencë të varfër, shantazhe, frikë, kërcënime, para’ që nuk i marrin dot dhe një mal me borxhe për të paguar. Të burgosur të asaj çka bëjnë ndonëse nuk përfundojnë burgjeve, liria e vetme e të cilëve është ajo që gjejnë menjëherë sapo kthehen sërish në Shqipëri, ku ngasin sërish makina luksoze, ulen nëpër restorante elegante, me pako eurosh në xhepa, të cilat në Itali detyroheshin t’i fshihnin tek vaji i motorrit të makinës apo brenda kutive me lëndë larëse.
Për Saimir Tahirin dosja italiane është një dënim politik, që rrezikon të jetë i paapelueshëm, pasi ajo çka është aty brenda është shumë pak për t’u provuar, por edhe shumë pak për t’u përgënjeshtruar. Nuk e nxjerr zbuluar ndaj përgjegjësisë penale, pasi nga pikëpamja gjyqësore nuk ka asnjë provë në dosje, por mbetet faji politik që ndoshta nuk ka ditur të mbajë distancën e duhur me atë botë. Është pikërisht i njejti faj i një aparati të tërë publik, i cili prej 25 vjetësh – me përjashtime të pakta – nuk arrin të kryejë detyrat e tij deri ne fund dhe të vendosë një kufi të qartë dhe të pakapërcyeshëm midis së ligjshmes dhe së paligjshmes. Ato 416 faqe nuk janë vetëm një akt-akuzë kundër një bande çfarëdo trafikantësh: për fat të keq, janë fotografia e trishtuar e një vendi, ku Drejtesia nuk ushtron ende detyrat e Drejtësisë, Policia nuk ushtron ende detyrat e Policisë dhe Shteti nuk ushtron ende detyrat e Shtetit.
(Redaksia Shqiptarja.com)