Carlo Bollino: Nga Himara mesazh i qartë për kreun e ri të PD, Sali Berisha! Ai dhe Noka kanë larguar votues në krahasim me zgjedhjet e 2023

Carlo Bollino: Nga Himara mesazh i qartë për kreun e ri të PD, Sali Berisha! Ai dhe Noka kanë larguar votues në krahasim me zgjedhjet e 2023

Në Himarë nuk kishte kopertona për të djegur, për të hedhur shishe me molotov apo për të goditur policë. E vetmja gjë që duhej bërë, ishte të bindeshin zgjedhësit se kandidati për kryebashkiak i propozuar nga Sali Berisha ishte më i mirë se ai i propozuar nga Edi Rama. Por fushata e parë zgjedhore e Partisë Demokratike që kur Sali Berisha ka sërish kontrollin e vulës, e pamë të gjithë se si përfundoi. Në Himarë, më shumë se fitorja e Vangjel Tavos (që thjesht i shtohet 53 bashkive nga 61 të fituara nga Partia Socialiste në majin e një viti më parë) shkëlqen humbja triumfale e çiftit Berisha-Noka e simbolizuar nga mbi 1400 vota më pak të marra nga kandidati i tyre Petro Gjikuria.

Para se të niste numërimi i votave, filluam të dëgjojmë refrenin e zakonshëm të ''votës së vjedhur'' dhe të ''manipulimeve spektakolare''. E dimë tashmë se për Sali Berishën dhe çetën e tij të ekstremistëve, të vetmet zgjedhje korrekte janë ato që fiton ai, prandaj bla bla-ja e zakonshme për votat e vjedhura edhe këtë herë nuk ka për të prodhuar asnjë avantazh. Ndërsa sinjali politik që vjen nga Himara është i qartë dhe do të duhej të lexohej me përulësi dhe realizëm: humbja e disatë e Berishës konfirmon jo vetëm rezultatet e të gjithë sondazheve që qarkullojnë prej muajsh dhe që tregojnë socialistët në avantazh të vazhdueshëm  mbi kundërshtarët e tyre, por edhe përsenë e mungesë së madhe të njerëzve në protestat e tij. Kjo humbje konfirmon se me Sali Berishën në krye kjo opozitë nuk fiton.

Të dëgjosh anatemime të Sali Berishës nga frengjitë e tij në qendër të Tiranës dhe të dërgosh Flamur Nokën në Himarë me metodat e tij rrugaçërore dhe vulgaritetin e argumentave të tij, mobilizoi edhe atë pjesë të elektoratit socialist që në maj të vitit 2023 nuk shkoi në kutitë e votimit, duke ndikuar me një forcë shtese përfundimtare në humbjen e Petro Gjikurisë. E tregon numri i votave të marra: Partia e Edi Ramës të dielën mori 1201 vota më shumë se sa mori në majin e 2023, ndërsa Berisha 295 vota më pak. Nuk vlen të thuhet më shumë. Metodat vulgare dhe agresive të Berishës dhe Nokës bëjnë që të humbasin vota në vend që t’i shtojnë dhe të gjitha argumentat rreth votës së humbur prej atyre që kishin kartat e identitetit të skaduara, janë alibi pa asnjë kuptim. Është qesharake të pretendosh së kartat e identitetit të skaduara i kishin vetëm zgjedhës të PD-së dhe jo edhe zgjedhës të PS-së. Ndoshta, zgjedhësit socialistë kishin një motivim më të madh për të rinovuar në kohë dokumentin e identitetit në krahasim me zgjedhësit e Berishës që prej kohësh e kanë humbur shpresën për të fituar, dhe si rrjedhorë, dhe dëshirën për të votuar. Siç është qesharake të protestosh sot për hartën zgjedhore të 2015-s që grumbulloi në bashkinë e Himarës disa komuna të njohura si socialiste. Është qesharake, pasi në 2015 opozita e bojkotoi reformën administrative, duke lënë në këtë mënyrë Ramën të lirë të vizatonte qarqet si i mendonte ai më të drejtë. Edhe pse pastaj, pavarësisht asaj reforme, një vit më parë, opozita e fitoi Himarën, por pa Berishën dhe Nokë, direkt në terren. Një ndryshim që u vërtetua si vendimtar.

Vota e Himarës është parathënia e qartë e asaj që po projektohet në zgjedhjet politike të 2025-s: Me Berishën në krye të Partisë dhe me çetën e tij të ekstremistëve “alla Noka” në terren, zgjedhësit largohen, e për këtë arsye nuk do të ketë pengesë për Edi Ramën për të marrë dhe mandatin e tij të katërt. Dhe nëse ky është një lajm i mirë për kë bëson në projektin e socialistëve, mbetet një lajm shumë i keq për atë pjesë të popullit që kultivon një shpirt opozitar, por që për faj të Berishës, të intrigave të tij familjare dhe të kulturës së tij arkaike, hakmarrëse dhe të dhunshme, është e dënuar të mbetet pakicë në vend.

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë