TIRANË - Avokati i deputetit Mark Frroku i bën apel Gjykatës së Lartë të ndërpresë pushimet dhe të shqyrtojë kërkesën për lirimin e tij.

Saimir Visha ka deklaruar se ka kaluar afati për shqyrtimin e kësaj kërkese dhe Frroku duhet të lirohet. “Ka kaluar afati, çka e shuan masën e sigurisë. Gjykata e Lartë duhet patjetër të mbledhë një trup gjykues dhe gjatë kohës që ata janë me pushime, situata favorizon të mbrojturin”, tha Visha.
 
Mbrojtja ka vendosur garanci 10 mijë euro për lirimin, ndërsa kërkon që Gjykata e Lartë të japë pëlqimin që Frroku të ndjekë procesin në Belgjikë.

 Deputeti shqiptar Mark Frroku, i cili mban dhe postin e kreut të Partisë Kristian-Demokrate rezulton të jetë dënuar me 10 vjet burg në mungesë nga një gjykatë belge për akuzën e vrasjes. 

Mark Frroku akuzohet për vrasjen e një bashkëkombasit të tij, Aleksander Kurti, i vrarë në pasditen e 5 marsit 1999. Ai u qëllua për vdekje me thikë në një stacion metroje, Gare du Midi, në rrugën ‘Fonsny", në jug të Brukselit. 

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)