Çfarë duhet të mbajnë parasysh
drejtuesit për burimet njerëzore

Çfarë duhet të mbajnë parasysh<br />drejtuesit për burimet njerëzore
Për sipërmarrësit shqiptarë, gjëja më e rëndësishme në menaxhimin e kompanisë është reduktimi i kostove. Ky është një nga vlerësimet nga studimi i kryer nga grupi “Pendl & Pisëanger”, kompania e konsulencës për menaxhimin e burimeve njerëzore, me qendër në Vjenë, me degë edhe në Tiranë, i quajtur “Barometri i Strategjisë për vitin 2011”. Në këtë studim tregohet se çfarë ka vërtet rëndësi për ata që njihen si Top Managers (drejtuesit e nivelit lartë).

Mbi 1.300 menaxherë ekzekutivë të Europës Qendrore dhe Lindore u kontaktuan nga zyrat rajonale të “P&P”, ndërsa morën pjesë në anketim rreth 400 prej tyre. Shqipëria u rendit ndër vendet (së bashku me Bullgarinë dhe Hungarinë) me normën më të lartë të pjesëmarrjes, me 56%. Ky studim u bazua në tri shtylla kryesore, mbi strategjinë e korporatave, të burimeve njerëzore, edhe mbi karakteristikat kryesore të një menaxheri ekzekutiv.
Por, le të shohim se si pozicionet Shqipëria kundrejt vendeve të tjera, Austria, Bullgaria, Çekia, Hungaria, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Kroacia, Serbia në lidhje me këto aspekte të rëndësishme drejtuese.
 
Sa më kursimtarë
Për të çuar përpara sipërmarrjen, menaxherët e lartë në Shqipëri vlerësojnë si të rëndësishëm reduktimin e kostove dhe më pak aspekte të tjera, si optimizmi i proceseve, rritja e kënaqësisë së klientëve, hyrja në tregje të reja, zgjerimi i portofolave të produkteve e shërbimeve etj. Një sjellje e ngjashme u vërejt edhe te menaxherët e kompanive në Sllovaki, Rumani dhe Hungari. Sipas studimit të “P&P”, vendet që vlerësojnë si të rëndësishëm për zhvillimin e kompanisë, optimizmin e proceseve, e rendisin në nivel më të ulët strategjinë e reduktimit të kostove.

Ajo që mund të thuhet është se perceptimi që menaxherët ekzekutivë kanë në lidhje me strategjinë e korporatës ndryshon shumë nga njëri vend i Europës Qendrore dhe Lindore në tjetrin.

Në Austri, rreth 17% e CEO-ve janë të fokusuar kryesisht në optimizimin e proceseve dhe më pas në përmirësimin e kënaqësive të klientëve. Rreth 10% duan të zgjerojnë portofolin e shërbimeve apo produkteve, ndërsa 9% duan të përqendrohen te kompetencat thelbësore dhe realizimin e aktiviteteve mbështetëse nga palë të treta. Natyrisht, kriza financiare ka dhënë efekte në ndryshimin e stilit drejtues.

Çështje të tilla, si kujdesi ndaj mjedisit apo përgjegjësia sociale kanë humbur rëndësi.
Në vendet e Europës Lindore, optimizimi i proceseve vlerësohet i rëndësishëm për Slloveninë, madje shifra e përqindjes është më e lartë në krahasim edhe me Austrinë.
Studimi tregon se panorama shfaqet e ngjashme në lidhje me fokusin te kënaqësia e klientëve, ku Sllovakia, Bullgaria, Sllovenia dhe Rumania e shohin këtë strategji si me rëndësi për suksesin e kompanisë, ndërsa kjo vlen për 5% e menaxherëve hungarezë.

Hyrja në tregje të reja në fakt është e rëndësishme për korporatat në Hungari dhe Kroaci, në Bullgari dhe Serbi fokusi kryesor është zgjerimi i portofolit të produkteve dhe shërbimeve.

Sipas studimit të “P&P”, vëmendja e menaxherëve ekzekutivë është më e përqendruar te çështjet e brendshme (46.5%) sesa tek ato të jashtme të drejtimit (37.1%). Te çështjet e brendshme vëmendjen më të madhe e zë optimizmi i proceseve (13.7%) ndërsa te çështjet e jashtme rritja e kënaqësisë së klientëve (9.8%) e ndjekur nga hyrja në tregjet e reja.

Studimi tregon se më të interesuar për zgjerim në tregje janë menaxherët ekzekutivë serbë dhe ata bullgarë
 
Burimet njerëzore
Biznesi në Shqipëri është ende në faza zhvillimi dhe kjo kuptohet edhe në mënyrën se si ata i perceptojnë çështjet e burimeve njerëzore. Të dhënat e studimit të ndërmarrë nga grupi “Pendl & Pisëanger” tregojnë se në Shqipëri, përmirësimi i kushteve të punës dhe përkushtimi i stafit vlerësohen të jenë të rëndësishme në masën rreth 20%, shifër kjo e njëjtë edhe për Sllovakinë, ndërsa në Serbi kjo strategji nuk ka rëndësi. Në korporatat e Europës Qendrore dhe Lindore, tri janë çështjet më të rëndësishme sa i përket burimeve njerëzore.

Zhvillimi i personelit, ekipit dhe organizatës vlerësohet i rëndësishëm për pjesën më të madhe të tyre (16.1%), rreth 12.9% vlerësojnë zhvillimin e mëtejshëm të aftësive drejtuese dhe 11.2% përmirësimin e kushteve të punës dhe përkushtimin e stafit.

Studimi tregon se strategjitë që përkrahin korporatat për burimet njerëzore nuk janë të unifikuara. Në vende si Shqipëria, Rumania apo Çekia, menaxhimi i talenteve merr rëndësi shumë të vogël (3.5%).

Ndryshe nga vendet fqinje, perceptohet trajtimi i burimeve njerëzore në korporatat në Austri, ku zhvillimi i ekipit drejtues është më i rëndësishëm. Fokusi është te zhvillimi i aftësive sociale si drejtimi, elasticiteti dhe aftësia për t’u përballur me situata të vështira dhe krizat.
Më pas, në renditje vjen (me 15%) zhvillimi i stafit dhe ekipit, i ndjekur nga përmirësimi dhe mbështetja e mendimit sipërmarrës. Austria renditet e para për sa i përket rëndësisë që i jep zhvillimit të ekipit drejtues.

Në rajonin e Europës Lindore, vetëm 11% e menaxherëve ekzekutivë e shohin këtë si çështjen më të rëndësishme, kjo vlen kryesisht për Serbinë. Në vende të tjera, sipërmarrjet janë më të orientuara kryesisht drejt zhvillimit të personelit, ekipit dhe organizatës. Në Çeki, ndjekur nga Serbia dhe Shqipëria vlerësohet i rëndësishëm zhvillimi i menaxhimit të performancës. Në Slloveni i kushtohet më tepër vëmendje përmirësimit të klimës së punës dhe sistemit të performancës, orientuar nga pagat (15.4%).
Studimi tregon se në të gjitha vendet, gjithnjë e më shumë po i kushtohet vëmendje zhvillimit të markës së punëdhënësit, por edhe nxitjes së talenteve.
 
Drejtuesi
Si duhet të jetë një drejtues ekzekutiv në Shqipëri? Çfarë tiparesh duhet të ketë ai? Sipas barometrit të realizuar nga kompania “Pendl & Pisëanger”, tipari kryesor që duhet të ketë ai është të jetë kryesisht i orientuar drejt të menduarit strategjik. Një cilësi që kërkohet gjithnjë e më shumë dhe kudo në botën e biznesit.

Në studim ky tipar zë vendin e parë dhe duket se menaxherët e cilësojnë si emëruesin e përbashkët me 21.7%. Më pas, përbërja e profilit ndryshon ndjeshëm.
Po çfarë ndodh në sipërmarrjet shqiptare? Çfarë tiparesh ka menaxheri ekzekutiv? Studimi tregon se në vende si Shqipëria e Serbia, tipari i tolerancës ndaj rrezikut është jashtëzakonisht i ulët, afër zeros (mesatarja 1.6%, 3.3% në Bullgari). Në Shqipëri te një menaxher ekzekutiv, korporatat vlerësojnë më shumë orientimin ndaj rezultateve (15%) kundrejt vendosmërisë (5%). Kreativiteti është një tjetër tipar që vlerësohet në korporatat shqiptare (11.7%) dhe në ato serbe (10.4%). Sipas drejtuesve të grupit “P&P”, zhvillimi i ekipeve drejtuese duhet të përfshijë të menduarit strategjik, marrjen e vendimeve dhe aftësitë komunikuese. Dr. Peter Pendl, një nga dy themeluesit e grupit ndërkombëtar “P&P”, në lidhje me këto rezultate, thotë se ato përputhen edhe me përvojën e tyre për rekrutimin e ekzekutivëve, kudo ku konsulentët e “P&P”-së punojnë për të kërkuar një CEO apo pozicione të të njëjtit nivel. Gjithmonë kur diskutohet profili dhe kriteret kryesore të një menaxheri, flitet për të menduarit strategjik, personalitetin autentik dhe vendosmërinë. “Gjithmonë mendohet për një person, që duhet të përfaqësojë një vizion dhe një koncept, i cili përfshin ekipin menaxhues dhe i bën ata të bashkëpunojnë për të zbatuar këtë strategji në mënyrë të vazhdueshme”.
 
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja