Në shumë hapësira të kontinentit tonë, përjetësisht ka mbetur një zakon, që në prag të ndërrimit të viteve njerëzit të bëjnë bilancin e jetës së tyre të kapërcyer dhe, njëkohësisht, të artikulojnë me zë të ulët, si shpesh herë, thënien e vjetër, që ne e vumë në vend të titullit të këtyre rradhëve. Origjina e saj daton prej dhjetra shekujsh, kur arkeologët zbuluan në një territor mesdhetar Pallatin madhështor të të lashtit Knosos, mbretit minean të Kretës, nga ku u rinxorrën në dritë edhe detaje të lindjes së një legjende të mitologjisë helenike. Sipas kësaj legjende, Zeusi u shndërrua në një dem me fuqinë e jashtëzakonshme të një kafshe të tillë rrëmbeu princeshën fenikase me emrin Evropi, duke e çuar këtë si nuse të tij në majë të Olimpit.

Duan të thonë, se nga kjo histori romantike, e përmendur dhe e përhapur në mjaft vise, kohë dhe breza të ndryshëm, dikur u arrit të thirrej i gjithë kontinenti ynë me emrin e asaj të bukure princeshë fenikase. Dhe, si për t’i vënë vulën materiale kësaj fantazie njerëzore, aktualisht vizitorë nga e gjithë bota kanë rastin të shohin në kryeqytete të disa shteteve evropiane grupe skulpturore, që simbolizojnë përmbajtjen e legjendës mitike të famshme. Por, pa harruar asnjëherë të  mbajnë në vëmendje mesazhin që i dhanë asaj latinët: ”Quod licet Iovi, non licet bovi”, çka mbrujti gjithashtu themelet e emancipimit dhe përparimit të kontinentit të vjetër. Të kësaj Evrope, e cila e para, prej disa shekujsh me rradhë krijoi traditën e vet juridike me kodifikimin ligjor, ndërsa prej disa dekadash po ndërmerr trajtat e bashkimit të saj drejt një Shteti të vetëm federativ.
Mesazhi i përmendur më sipër i shkon për shtat edhe vendit tonë në këtë fundviti të shpresave, zhgënjimeve dhe forcave tona për të ardhmen.

Të shpresave, të cilat morën hov me rezultatet e votimit politik të përgjithshëm të 23 qershorit, kur nisi të përvijohet jo thjesht një legjislaturë apo mandaturë tjetër parlamentare. Më tepër se sa kaq. Një epokë e re, që edhe gjatë fillesave të së cilës shpresat për një jetë më të mirë të qytetarëve të këtij vendi nuk kuptohen më si ndonjë farë paradhënieje që fati i jep njeriut. Bëhet fjalë për një grusht të fortë që iu dha dhe që do t’i jepet akoma më energjikisht një elite politike të korruptuar, një kaste oligarkike financiare, që e zhyti shumicën e popullit të vet në varfëri të skajshme, e flaku atë në humnerë borxhesh totale dhe tërë shoqërinë shqiptare në shthurje morale. Ndërkohë që të ardhurat e kësaj kaste nga veprimtari të paligjshme, rreth 1 miljardë USD, ”demat” e asaj politike kriminale dhe të trafiqeve ilegale nuk kanë përtuar asapk që gjatë sundimit të furishëm t’i depozitojnë ato jashtë Shtetit tonë, për t’i fshehur dhe përdorur vetësisht atje dhe, njëherazi, për t’ua errësuar të ardhmen bashkatdhetarëve të tyre. Ah, sa për zhgënjimet, në këtë fundviti ato janë ndjerë kryesisht në dy rrafshe.

Së pari, brenda bërthamës së Bashkimit Europian, kur megjithëse Parlamenti dhe Kancelaria qendrore e këtij Unioni shprehu konsiderata të lartë për veprimtarinë dhe të dhënat premtuese që paraqiste Qeverie e re e këtij vendi, për t’iu akorduar këtij zyrtarisht statusi i Shtetit kandidat për në BE, ”dema” të ndonjë Shteti Anëtar ndërkryen brirët, për t’ua shkulur shqiptarëve nga gjiri i tyre ’të bukurën Evropi’.

Ndonëse përfaqësuesit e tyre nga Hollanda, nga Danimarka, nga diku tjetër gjetkë u shprehën që arritjet e Shqipërisë brenda një periudhë shumë të shkurtër i tejkalonin parashikimet, interesat e fokusuara te politika e pushteteve të veçanta brenda kufijve shtetërorë të tyre i detyruan të votojnë kundër dhënies së statusit për ne. Kjo ngjarje, që pasoi diskutimet në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Europës, të mbajtur në Luksemburg, nuk kaloi me indiferentizëm as në Bruksel dhe as në shumicën e Shteteve Anëtare të Unionit Europian, zëdhënës të të cilëve formuluan vlerësime të tjera, shumë më optimiste.

Së dyti, zhgënjimi gëloi edhe ndërmjet njerëzve të mirë të vendit tonë ballkanik, të cilët gjithsesi nuk e kanë humbur besimin se, në fund të gjashtëmujorit të vitit të ardhshëm statusi do të jepet, duke afruar me shpjetësi datën e çeljes së bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
     Por, ashtu si çdo e mirë rri bashkë me të keqen, edhe e keqja rrezikohet nga e mira, nëse përdoren dhe shfrytëzohen plotësisht forcat e kapaciteteve shtetërore e shoqërore të mundshme. Këtë filozofi e shprehën fare qartë edhe andej nga erdhi refuzimi për statusin. Vetë fakti që për një miratim pozitiv të ardhshëm u la veçse një periudhë gjysmëvjeçare dhe pa shtuar ndonjë kusht të ri, nuk mund të mos nxisë qeverinë dhe organet e tjera të Shtetit shqiptar për të qenë më të vendosur që, krahas reformës në drejtësi, integralisht me ’të të hedhin këtej e tutje hapa më të shpejtë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, çka priten në Perëndim, priten edhe këtu, brenda nesh.

A do të mbeten pa u ndëshkuar ish pushtetarët e 2 mandateve parlamentare të shkuara, të cilët është provuar se kanë bërë kërdinë me pronat dhe financat e shtetit? A do të mbeten pa u ndëshkuar rëndë ish Kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij, që shkaktuan masakrën e Gërdecin dhe atë 21 janarit famëkeq, e cila veçanërisht për nga mënyra e hakërrimit dhe sulmit ndaj qytetarëve të pafajshëm nuk ka precedent në të gjithë Evropën pas Luftës II Botërore?

     Këto pyetje duket se do të marrin përgjigje të shpejtë, duke përdtuar vlerën e provave bindëse, që priten me mjaft konsideratë nga Shtetet e Unionit dhe akoma më me entusiazëm nga populli shqiptar. Nga ky popull, që bashkë me daljen një herë e mirë nga varfëria e pllakosur mbi ’të, natyrshëm pret edhe dënimin e atyre që e shkaktuan atë, duke ia zgjatur edhe më shumë rrugët drejt Evropës. Në fund të fundit, edhe ky popull tashmë e di fare mirë, se çka i lejohet Zeusit, nuk i falet demit.
 
 
 Shkrimi u publikua sot (29.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)