Çorganizim në Portin e Barit
ndërkohë Durrësi ka ecur përpara

Çorganizim në Portin e Barit<br />ndërkohë Durrësi ka ecur përpara
Për ata, të cilët kanë shumë vjet që përdorin portin italian të Barit gjatë udhëtimeve të tyre, tanimë ka filluar të bjerë në sy një diferencë e dukshme në shërbimet portuale midis tij dhe portit të Durrësit. Kjo diferencë nuk binte në sy më parë pasi porti shqiptar paraqiste një performancë shumë të dobët, por kohët kanë ndryshuar.

Një situatë e papranueshme krijohet për të gjithë pasagjerët, italianë e shqiptarë, që vijnë me makinë apo si këmbësorë me tragetet e radhës, gjatë gjithë vitit. Janë vetëm dy policë që duhet të kontrollojnë dokumentat e personave dhe automjeteve që zbresin nga anije, të cilat sjellin edhe 1.000 vetë njëherësh. Dhe vonesat shumëorëshe krijohen edhe sikur të jenë vetëm 80 makina që zbresin. Ndërkohë, ka shumë punonjës civilë të portit, ashtu si edhe shumë të tjerë më uniformë, të cilët duket sikur nuk merren fare me procesin e kontrolleve dhe menaxhimin e lëvizjes në port.

Një pyetje del në mënyrë të pashmangshme: Në rast se autoritetet e këtij porti e menaxhojnë në këtë mënyrë fluksin e udhëtarëve, çfarë mund të pritet në një situatë energjence? Pse Bari të lejojë një shërbim disa herë më pak cilësor se porti shqiptar përballë Adriatikut, ku shërbejnë 12 policë njëherësh dhe ku i njejti numër automjetesh dhe udhëtarësh kontrollohen për 4-5 minuta?

Për të mos folur për raste, kur është dhënë urdhëri që të mos kontrollohet fare asnjë udhëtar, pasi policia në port nuk ka patur mundësi për të bërë një gjë të tillë!! A është logjike që të veprohet kështu në një portë hyrëse në hapësirën Shengen, sidomos në kushtet e një rreziku aktual dhe real të hyrjes së terroristëve?
Sipas të dhënave tona, Rajoni Pulja është vënë në dijeni së fundmi për këtë performancë dhe ka marrë masa për rregullimin e situatës. Por kjo do të ishte më mirë që të kishte ndodhur shumë kohë më parë…    
 
Dëshmia
I pranishëm ka qenë këtë fund javë, si në portin e Barit, ashtu edhe në atë të Durrësit, gazetari Carlo Bollino, i cili e ka përshkuar shpesh në 25 vitet e fundit rrugën detare midis Shqipërisë dhe Italisë.

Ja dëshmia e tij.
“Në portin e Barit janë krijuar radhë të gjatë të turistëve që vijnë nga Shqipëria, të cilët kanë zgjedhur Puljen për të kaluar fundjavën. Por skena është e njejtë me atë të 25 viteve më parë, kur porti u dynd nga emigrant dhe klandestinë. Është një turp për Italinë që kushtet e lëvizshmërisë dhe të pritjes në portin më të rëndësishëm turistik të Puljes të kenë mbetur në nivelin e një porti të Botës së Tretë” këtu nuk mungojnë vetëm strukturat logjistike minimale për t’i dhënë mirëseardhjen atyre që zbarkojnë, por për më tepër mungon respekti dhe edukata ndaj secilit që ka kuturisur të kalojë këtë pikë kufitare. Punonjësve të portit iu duhet shpjeguar se edhepaga e tyre varet në masën 60 për qind nga të ardhurat e përfituara pikërisht nga lëvizja e trageteve me Shqipërinë, ndaj së cilës në të kundërt shfaqin një ndjesi bezdie, të pashpjegueshme dhe arrogante (dhe, për këtë arsye, të padueueshme)!!

Në pikën kufitare ku kalojnë makinat, janë vetëm dy policë për të kontrolluar të paktën 150 autovetura, 10 autobusë dhe 20 kamionë. Në pikën e kalimit të këmbësorëve, dy policë të tjerë për të kontrolluar më shumë se 500 pasagjerë, të detyruar tëp resin radhën duke u shtypur në diell. As edhe një tendë të mjaftueshme për të gjithë nuk janë treguar në gjendje të ndërtojnë! Ndërkohë, nja dhjetë ushtarakë shohin njeri-tjetrin, të vendosur përgjatë rrethimit të portit, pa bërë absolutisht asgjë. Po të punësuarit e ngarkuar me administrimin e lëvizjes ç’bëjnë? Mos vallë përpiqen të vendosin rregull mes rrëmujës së makinave në radhë? Natyrisht që jo: janë disa dhjetëra, bëjnë muhabet me njeri-tjetrin, pinë cigare dhe bërtasin në dialekt barez fraza të pakuptueshme në përgjigje të ndonjë pyetjeje të ndrojtur që iu drejtohet.
Si të thuash, kostot e burimeve njerëzore mbeten të larta, por shërbimi i ofruar në një nivel shumë të keq”.

Ky konstatim ka hasur në një numër komentesh në Facebook, ku shumica e tyre, përfshirë edhe ato nga qytetarë italianë, pranojnë se situate duhet të ndryshojë rrënjësisht dhe sa më shpejt të jetë e mundur.

E. P.: Rrezikojmë të djegim burimin më të rëndësishëm që rajoni ynë ka patur gjithnjë. Kushdo që është viktimë e kësaj situate absurd, duhet të protestojë me zë të lartë, pasi për atë çka paguajmë, duhet të na japin shërbime shumë të efektshme. Në Shqipër janë shumë më mikpritës se tek ne.

L. M.: Do të më pëlqente që pas disa vjetësh të përjetonim situata të kundërta. Aq më tepër, kur më kujtohet se si ishin kushtet e dikurshme në atë port. Tashmë ne kemi mbetur në vend, të tjerë jo…

A. T.: Kam 18 vjet në Itali dhe 12 vjet që përdor atë port, i cili më duket si një galeri shumë e keqe, që përkeqësohet nga burokracia e forcave të rendit. Ndërkohë, në terminalet e Greqisë është një situatë krejt tjetër dhe nuk grumbullohen asnjëherë kaq pasagjerë sa këtu.       

M. G.: Porti, ashti si dhe stacioni, është kartvizita e një qyteti … Nga porti kuptohet se Bari është copë-copë…

S. R.: Këto ka vetëm dy sportele, ndërkohë që në Durrës ka shumë më tepër.

R. S.: Një port “i blinduar” sikur të ishte një burg dhe ku, megjithatë, kalon gjithshka … Përveç atyre që duhet të udhëtojnë … E kam përjetuar për 10 vjet … Një makth

A. V.: Në vend që të bëjmë zhurmë, pse nuk organizohemi në një protestë në Prefekturën e Barit apo tek Rajoni dhe të bombardojmë me video në internet gjendjen brenda dhe jashtë anijeve?

V. M.: Kështu ka qenë gjithnjë në Bari, në vapë dhe në acar, radhët si në vitet ’60 në Shqipëri.

A. P.: Është një turp. Kam qenë aty në korrik të vitit të kaluar për një takim dhe në mëngjez, kur mbërritëm në port, përballë na priste një target i djegur në det dhe kur zbritëm hymë në një lloj sere, kafazi pa ajër të kondicionuar, në pritje që të zgjoheshin policët dhe të nisnin punë për kontrollin në orën 9. Pasi erdhën, nga ana e tyre ajri i kondicionuar funksiononte, por jo nga ana e pasagjerëve, ku edhe mund të vdisje nën efektin serë me temperaturë 40 gradë. Policët ishin vetëm dy për një anije me më shumë se 1.000 pasagjerë. U betova që të mos vija më me anije në Itali.

N. M.: Jam dakord me kritikën për cilësinë e ulët të shërbimit dhe kushteve. Mund të përdoreshin më shumë burime në këtë drejtim dhe në shërbime të tjera të dobishme për subjektet ekonomike. Më pak nëpunës në ambasada e konsullata dhe në shumë operativë në terren, duke përfshirë struktura të përshtatshme, të shpërdorojmë më pak në përfaqësi diplomatike dhe në aparate të padobishme.  

A. Ç.: Skandaloze … Kam 15 vjet që e frekuentoj këtë port dhe është gjithnjë e njejta skenë. Le të shpresojmë që diçka të ndryshojë, tanimë që edhe një italian po lëshon kritika. Përndryshe, le ta bojkotojmë këtë linjë dhe t’i lemë administratorët e portit të hanë petulla tërë ditën!

E. S.: E drejtë, kështu vazhdon ende … nuk e kanë kuptuar akoma se duhet impenjim nga më shumë njerëz kundrejt mijëra vetëve që kërkojnë të hyjnë në Itali, ku prej vitesh punojnë ndershmërisht. Pasi mafiozët nuk vijnë me anije, të paktën jo me të tilla… Kanë plot para dhe përdorin të tjera mjete transporti. Dhe nuk është se mungon vetëm edukata, por edhe humanizmi ndonjëherë nga disa. Ende nuk është zhdukur ai mentalitet i tmerrësh ndaj shqiptarëve, për fat të keq. Shyqyr që ka gjithnjë italianë të vërtetë … ata me zemër të madhe, që rebelohen përballë gjithë kësaj, ata që u kanë hapur shtëpitë dikur, bashkë me zemrat e tyre. Shpresojmë që një ditë situata të ndryshojë dhe atëhere do t’i kundrojmë me dhimbje, por edhe me lehtësim këto pamje…   

F. Z.: I dashur Carlo Bollino! Vërejtjet tuaja janë shumë të drejta. Të mendosh se çdo turist apo emigrant paguan 15 euro për të marrë një shërbim të tillë, ky është fundi i botës. T’i shtosh pastaj kësaj faktin se gjithë ky personel paguhet, mbetesh pa fjalë…

C. B.: Pritja që i bëhet çdo ditë në portin e Barit kujtdo që niset apo vjen nga Shqipëria nuk i bën nder kultit të mikpritjes që Bari dhe Pulja kanë ditur të tregojnë më kohët e emergjencave.
 
Durrës
Ndërkohë, duket se Shqipëria vërtet ka ditur të mësojë dhe të ndryshojë shumë gjatë këtyre dy dekadave të fundit në shërbimet shtetërore dhe ato portuale në veçanti. Sërish Bollino është ai që konstaton ndryshimin midis dy anëve të Adriatikut.

“Pas ferrit të një dite më parë në Bari, me një pritje prej 150 minutash (dy orë e gjysmë!!!), rikthehem sot në portin e Durrësit. Shoh pak a shumë të njejtin numër makinash. Pritja në radhë? 4 minuta! Me një ndryshim të jashtëzakonshëm nga pikëpamja e sigurisë: në Bari një polic në këmbë kontrollon pasaportën, duke e shfletuar me duar pa asnjë aparat digjital. Me një fjalë, kontroll me sy. Në Durrës çdo pasaportë kalon në skanerin digjital dhe identiteti i kujtdo verifikohet nga sistemi qendror i Policisë, duke përfshirë këtu edhe targën dhe dokumentat e automjetit. E gjithë kjo, shpejt e shpejt, madje e shoqëruar edhe me buzëqeshje.
Pyes veten tani se kush është Italia dhe kush është Shqipëria…”  
 
Dy detaje
 
Kontrollet
Janë vetëm dy policë në portin kryesor të Puljes, të cilët duhet të kontrollojnë dokumentat e personave, si dhe automjeteve që zbresin nga anije të mëdha, të cilat sjellin edhe 1.000 pasagjerë njëherësh
 
Performanca
Në rast se autoritetet e këtij porti e menaxhojnë në këtë mënyrë fluksin e udhëtarëve, çfarë mund të pritet në një situatë emergjence? Pse Bari lejon një shërbim disa herë më pak cilësor se porti shqiptar?


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Tayna tregon momentin e arrestimit në Zvicër: Qëndrova 5 orë në burg

Tayna tregon momentin e arrestimit në Zvicër: Qëndrova 5 orë në burg