Menjëherë pasi u publikua të premten e kaluar një dekret i Presidentit të Republikës, për të mos e shpallur ligjin nr. 161, datë 17 tetor 2013, për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit të Këshillit të Ministrave, për disa ndryshime në ligjin “Për nëpunësin civil”, duke ia kthyer për shqyrtim Kuvendit të Shqipërisë, një stuhi kritikash dhe debati shpërtheu në drejtim të këtij akti presidencial dhe të figurës së vetë Kreut të Shtetit. Sigurisht, nga argumentet që do të përmbanin këto akuza mund të vlerësohej edhe serioziteti i paralajmërimit për mbajtje të përgjegjësisë nga ana e Nishanit. Megjithatë, sipas nenit 90/1 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës nuk mban përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij.
Por po t’i hedhësh një sy të vemendshëm tekstit të dekretit duket që ai gjatë citimit të disa dispozitave kushtetuese është kapur te ndonjë vjegë, sidomos kur përmendet pika 4 e nenit 84, ku parashikohet që për ligjet e miratuara në rastet e masave të jashtëzakonshme, si edhe në rast nevoje e urgjence, duhet që Presidenti të japë pëlqimin, që ato të hyjnë në fuqi menjëherë, vetëm pasi të bëhet njoftimi publikisht. Sipas Nishanit, mosmarrja prej tij e pëlqimit i dha atributet t’ia kthejë për shqyrtim Kuvendit ligjin nr. 161/2013. Mirëpo, vënia e pikës së dekretit te kjo dispozitë i shket logjikës dhe arësyetimit juridik, përderisa në paragrafët e mëparshëm dekreti përqendrohet te shpjegimi i nenit 101, i cili i jep Këshillit të Ministrave të drejtën për të nxjerrë akte normative me fuqinë e ligjit, për të siguruar marrjen e masave të përkohëshme. Pra, edhe pretendohet që duhej të ishte marrë më parë pëlqimi i Presidentit, edhe nuk paska qenë e nevojshme kjo, sepse në vlerësimin e tij akti normativ i kthyer në ligj nuk plotësonte qoftë edhe njërin prej tre kushteve të parashikuara: nevoja, urgjenca dhe marrja e masave të përkohëshme(?!).
Në kuptimin juridik formal, por edhe në atë përmbajtësor, zgjidhja me akt normativ në rastin e diskutuar kaq shumë nuk mund të përjashtohet kategorikisht, apo të emërtohet si një shkelje kushtetuese. Ligji i miratuar në maj të këtij viti dhe vendosur të hynte në fuqi më 1 tetor s’mund të ishte i zbatueshëm pa hartimin e disa akteve nënligjore, për të cilat qeveria e rrëzuar me votë masive më 23 qershor nuk “gjeti” kohë t’i përpunonte dhe legjitimonte gjatë tre muajve të transferimit të pushtetit. Dhe, kjo ishte arësyeja që Këshilli i Ministrave u detyrua të miratojë në fund të shtatorit aktin normativ, që me aprovimin e tij në Kuvend, duke u kthyer tashmë në ligj, do t’i shtynte efektet juridike deri më 1 prillin e ardhshëm. Reagimet e ashpra dhe kërcënimet e forta të opozitës, e cila hamendësonte se anullimi i hyrjes në fuqi më datën e parashikuar fillimisht do të ndikonte deri në mosrekomandimin e Komisionit Europian për t’iu akorduar në dhjetor Shqipërisë statusi i Shtetit kandidat për në BE, nuk u mbështetën nga Brukseli. Përkundrazi, prej kancelerive të tij u shpreh opinioni, se me miratimin e aktit normativ të Qeverisë nuk vihej në dyshim përmbushja e një prej objektivave të renditur në listën e prioriteteve të kërkuara për të dytën herë rradhazi, që nga fundi i vitit të kaluar. Përkundrazi, kishim të bënim vetëm me zgjidhjen e çështjeve teknike. Kjo përgjigje uli paksa tonin e zënkave të opozitës në Parlament dhe e zhvendosi shpresën e saj te Zyra e Bujar Nishanit, nga ku – për hir të së vërtetës - nuk kanë munguar në vazhdimësi prova kompromentuese të lidhjeve të veçanta politike.
Mirëpo, pyetja që kërkon tani më tepër vëmendje është: Çfarë do të ndodhë pasi Presidenti ushtroi votën pezulluese, e cila në referim të nenit 85/1 të Kushtetutës ushtrohet që ai të kthejë ligjin për shqyrtim vetëm një herë? Te ky përcaktim gjeti mbështetje Komisioni parlamentar i Ligjeve, i cili në mbledhjen e tij të djeshme, me shumicë votash nuk e mori në konsideratë dekretin. Bazuar te ky përcaktim edhe mund të pritet që akti i kthyer të hidhet përsëri në votim në seancë plenare të Parlamentit dhe të hyjë menjëherë në fuqi pas miratimit me votat e jo më pak se sa 3/5 – ve të të gjithë anëtarëve të Kuvendit (që maxhoranca i disponon). Por, pas supozimit për zbatimin e shpejtë të kësaj procedure, ndonëse Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u tregua i kujdesshëm për këtë çështje gjatë një komunikimi me median të dielën, vetvetiu shtrohet një tjetër pyetje: “A do të rezultonte kjo tërsëllimë plotësisht e suksesshme?”.
Këtu hamendjet shtohen dhe shanset pakësohen. Shanset pakësohen vërtet, po të mbajmë parasysh që ndërkohë, për të njëjtën çështje, në Gjykatën Kushtetuese është depozituar një ankesë, ndoshta e radhitur nga po ajo dorë që formuloi dekretin e Presidentit. Duke mos harruar, gjithashtu, se trupa e këtij organi të rishikimit kushtetues, në më të shumtën e vet përbëhet nga anëtarë, që s’kanë nguruar të shprehin, nëpërmjet disa vendimeve rresht, “mirënjohjen” ndaj interesit të atyre që u dhanë pëlqimin për të fituar mandatin e gjyqtarit kushtetues. E pra, pak gjasa ka që ata të mos e shfuqizonin si antikushtetues ligjin e rimiratuar me votim të cilësuar. Por, nëse në Kuvend nuk do të nxitohej për t’ia paraqitur seancës plenare të njëjtin akt ligjor, që Presidenti e ktheu për shqyrtim, pra, duke e lënë atë pezull, atëhere hë për hë Gjykata Kushtetuese nuk do të kishte objekt, për të dhënë vendimin e saj mbi ankimin e Partisë Demokratike.
Në këto rrethana ngrihen opsione të reja, ndër të cilët, mbase më i pranueshmi apo më i pakontestueshmi me argumente kushtetuese do të ishte hedhja për rivotim e tekstit fillestar të ligjit të miratuar në maj, por i shoqëruar ky me disa dispozita kalimtare, të cilat do të justifikonin synimet e shërbyera si bazë për hartimin e aktit normativ të Qeverisë, që u miratua në Kuvend me votim të cilësuar, duke shtyrë kështu përkohësisht fillimin e efekteve juridike të ligjit “Për nëpunësin civil”. Sidoqoftë, deri në rivotimin e këtij varianti të mundshëm, apo të ndonjë opsioni tjetër, ndoshta një pyetje e ditës do të vazhdojë të mbetet ajo që u vu në krye të këtyre rradhëve: Ç’do të ndodhë pas dekretit të Presidentit?
/Shqiptarja.com