Gjoba që arrijnë deri në 500 mijë lekë për çdo 24 orë vonesë janë arma kryesore e ligjit të ri për të detyruar platformat dhe ofruesit e shërbimeve online të heqin përmbajtjet e dëmshme në internet.
Me vendim të Këshillit të Ministrave, qeveria ka përcaktuar mekanizmin administrativ që i jep Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) kompetenca të drejtpërdrejta ndëshkuese ndaj subjekteve që nuk zbatojnë vendimet gjyqësore për mbrojtjen e viktimave nga dhuna digjitale.
Sipas vendimit, AKEP do të vendosë gjoba administrative nga 30 mijë deri në 500 mijë lekë për çdo 24 orë vonesë ndaj ofruesve të shërbimeve online që nuk heqin, bllokojnë ose fshijnë përmbajtje digjitale të përcaktuara si masa mbrojtëse nga gjykata. Këtu përfshihen, ndër të tjera, imazhet intime të publikuara pa pëlqimin e viktimës, llogaritë apo fjalëkalimet e përdorura për përndjekje, si edhe profilet ose lidhjet elektronike të përdorura për ngacmim.
Gjobat e vendosura nga AKEP përbëjnë titull ekzekutiv dhe derdhen në buxhetin e shtetit. Subjektet përgjegjëse përfitojnë një ulje automatike prej 15% të shumës së gjobës, nëse pagesa kryhet brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit. Ndërkohë, ligji parashikon të drejtën e ankimit brenda 45 ditëve në gjykatën administrative kompetente.
Përtej sanksioneve financiare, ligji zgjeron ndjeshëm juridiksionin territorial të autoriteteve shqiptare. Masat mbrojtëse dhe administrative zbatohen në territorin e Republikës së Shqipërisë, por AKEP dhe autoriteti rregullator i medias audiovizive mund të urdhërojnë heqjen, bllokimin ose kufizimin e përmbajtjes digjitale pavarësisht vendndodhjes së serverit apo ofruesit të shërbimit.
Në raste të caktuara, gjykata civile mund të shkojë edhe më tej, duke urdhëruar ndalimin e kontaktit online dhe offline, si dhe sekuestrimin e çdo mjeti digjital të përdorur për ushtrimin e dhunës, për sa kohë që këto mjete ndodhen brenda territorit të vendit.
Procedurat, formatet e kërkesës dhe mënyra e njoftimit elektronik për këto masa do të miratohen me një vendim të përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor, autoritetit përgjegjës për drejtësinë dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, duke synuar standardizimin dhe përshpejtimin e ndërhyrjeve në mjedisin digjital./ Monitor
Komente








