Çela: Vetëm Topi, rrëzon
Berishën për Presidentin

TIRANE- Një ndër ish-themeluesit e PD, ish-kryetar i KSH dhe ish-deputet i kësaj partie, Blerim Çela, në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" rrëfen përjashtimin nga PD të qëndrestarëve dhe katapultimin në krye të partisë të klanit të Berishës. Sipas tij në PD s'ka garë, s'ka struktura ka vetëm njëshin, i cili po tregon se kërkon të qëndrojë përjetësisht në krye të partisë. Ai flet për partitë e reja FRD dhe AK, LSI, opozitën e zgjedhjen e Presidentit, ku vetëm votat e FRD mund të sjellin zgjedhjet e parakohshme.

Sipas Çelës "Demokracia s'duhet të ketë sulltanat e dinasti të trashëgueshme në partitë shqiptare, por demokraci, rotacion, debate e votime të ndershme jo me fjalë. Kush ka guxuar të konkurrojë me Berishën, është parë si armik i PD. Ky këndvështrim aspak demokratik është kultivuar e përhapur në anëtarësi.

Në intervistën e botuar sot në gazetën Shqiptarja.com do të lexoni dhe pse mendon se vetëm Topi mund të rrëzojë Berishën për President.

"Nëse FRD krijon grupin e saj parlamentar me 7 vetë, presidenti s'zgjidhet as me shumicë të thjeshtë dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme"- deklaron Çela.

INTERVISTA E PLOTE
Jeni ndër eksponentët më të vjetër drejtues I PD, si deputet por dhe si detyratë rëndësishme. Duket sikur jeni I mënjanuar. Cfarë ka ndodhur mekëto marrëdhënie?
Më larguan nga forumet drejtuese të PD, mua dhe shume drejtues të tjerë të vjetër e me kontribute të qënësishme në këtë parti, duke na zëvendësuar me emra të panjohur të servirur nga Klani i tij i afërt nëpërmjet votimit të manipuluar në kongresin e vitit 2009. Nëse merret si kriter mosha, në atë Këshill Kombëtar ka dhe njerëz të tjerë moshatarë me ne. Mendoj se s'ka qenë kriter mosha për të rinovuar partinë, por shkaqe të tjera që lidhen në radhë të parë me shkallën e inferioritetit të ketij klani ndaj kontributeve tona që nga themelimi i PD e në vazhdimesi, nga mbrojtja që i kemi bërë qëndrestarëve të PD të cilët ky klan i ka injoruar fare, si dhe të kritikave që ne të "vjetrit" nuk kemi ngurruar t'i bëjmë në mënyrë të vazhdueshme Berishës dhe këtij klani për mungesën në rritje të demokracisë së brendshme në atë parti, kërkesës për reformimin e saj, zbatimin e votimit 'një anëtar një votë' dhe rotacionit të kryetarit i cili është kthyer i përjetshëm dhe pa konkurentë objektivisht të pamundur që të fitojnë. Sepse konferencat e partisë në rrethe për delegatët e kongresit i organizon z.Berisha me këtë klan dhe siç ka treguar eksperienca, konkurentëve nuk u lihet asnjë hapësirë për fushatë brenda partisë. Madje kush ka guxuar të konkurrojë me Berishën, është parë si armik i PD. Ky lloj këndvështrimi aspak demokratik është kultivuar e përhapur në anëtarësinë e delegatët e partisë nga z.Berisha e klani i tij që duke i bërë hyzmet Berishës, kanë konsoliduar veten e tyre në drejtim pa iu bërë vonë për partinë e demokracinë brenda saj.

Pra PD ka shujmë probleme demokracie...?
Sidoqoftë këto dhe shumë probleme të tjera të PD i kam trajtuar në librin tim 'Deformimi i PD' me shqetësimin që kjo parti me kontribute të mëdha në ndryshimin e rendit shoqëror për ndërtimin e një shteti demokratik, s'mundi të arrijë plotësisht këtë objektiv madhor, përderisa s'ka demokraci brenda vetes së saj dhe kundërshtarët politikë i konsideron armiq. Ajo s'bashkëpunon me ta për integrimin e Shqipërisë në BE, por e transferon fajin tek opozita, kur përgjegjësia është totalisht në duart e partisë qeverisëse së bashku me aleatët e saj. Unë s'bëj me faj vetëm PD, por dhe ato parti parlamentare aleate të saj për këtë problem. Ata duhet të ushtrojnë presion mbi Berishën që Shqipëria të mos humbasë shanset që i vijnë, ndryshe nuk u vlejnë fjalët e bukura për integrim, kur bëhen palë apo bashkëfajtorë me Berishën vetëm për të ruajtur beneficet që u jep pushteti.

Shumë figura nga PD vihet re se po zgjedhin ose heshtjen, ose largimin nga kjo parti. Përse ndodh kjo, apo më saktë si po e drejton Berisha PD-në?
Unë nuk përgjigjem për figurat e tjera të PD, megjithëse një pjesë e tyre e kanë ngritur zërin në media, por hapësirat janë të vogla. Mediat pranë Berishës nuk i afrojnë, përkundrazi i anatemojnë. Mediat e majta duan vetëm të kritikosh Berishën, ato të heqin fjalët dhe idete që kritikojnë të majtën në përgjithësi e PS në veçanti. Këto më kanë ndodhur dhe mua. Nuk them shtypi pranë PD se ajo është vetëm fasadë. Kur them PD nënkuptojmë Berisha, e kur themi Berisha nënkuptojmë PD. Njëlloj si vargjet e Majakovskit për Leninin. Kështu është bërë zakon të quhen të gjitha partitë. Po the PSD nënkupton Gjinushin, po the PDS nënkupton Milon, po the PLL nënkupton Spahinë, po the PS nënkupton Ramën etje. dhe tani kur z.Topi është president dhe s'ka asnjë lidhje direkte me FRD, e quajnë partia e Topit. Kjo vjen se partitë janë të uzurpuara nga statute që përjetësojnë kryetarët. Nuk kam asgjë me ata kryetarë që i drejtojnë, por me sistemin partiak të krijuar në Shqipëri, që po i hypi kalit nuk zbret më pa të rrëzuar të tjerët me force. Kjo duhet ndryshuar një herë e mirë te të gjitha partitë.

Më konkretisht...?
Nuk është Berisha që e drejton heshtjen e kundërshtarëve apo rebelëve të tij, por janë të gjithë Berishët e tjerë që të shtypin me të gjitha mjetet po i bëre hije apo i kundërshtove. E përsëris që s'duhet të ketë sulltanat e dinasti të trashëgueshme në partitë shqiptare, por demokraci, rotacion, debate e votime të ndershme jo me fjalë, por me statute që ia presin kokën tendencave autokratike. Në SHBA janë ndërruar 4 presidentë gjatë këtyre 22 vjetëve, ndërsa te ne janë po ato fytyra, po ato mendësi që na kanë lënë të përçarë dhe me një ritëm rritjeje ekonomike e sidomos sociale që s'na ka afruar sa duhet me Europën. Infrastruktura dhe objektet socialkulturore nuk janë kusht vendimtar për të na afruar me Europën. Jo! Mbi të gjitha në duhet të kemi respekt për mënyrën e të menduarit ndryshe, për mirësi, ngrohtësi, komunikim e dashuri njerzore dhe bashkëpunim partiak, jo zili e hakmarrje, inat e mungesë respekti për tjetrin.

Vihet re një afrim i figurave të reja në PD, ndërkohë që është rritur shumë konkurrenca për numrin dy të kësaj partie. Si e mendoni betejën brenda PD mes grupeve dhe korenteve të ndryshme. Sa shans ka grupi i Bashës të triumfojë në periudhën postBerisha?
Kjo pyetje lidhet dhe me largimin tonë që tani quhemi 'të vjetrit, duke përjashtuar Berishën, se ai ngelet gjithmone i ri, ndërsa ne të tjerët plakemi. Të vjetrit s'largohen nga drejtimi i partisë për hir të asaj që duhen figura të reja, por vetëm nëpërmjet votës së ndershme konkuruese. Duhet të vijnë të rinjtë në parti, por jo nga rruga e direkt anëtar i KK, deputet, kryetar Bashkie, Komune, zyrtar i lartë, pa patur në radhë të parë kontribute në forumin rinor të partisë përkatëse, apo dhe në parti, të shkolluar brenda e jashte shtetit me rezultate të mira dhe me figurë të pëlqyeshme morale.

Më konkretisht...?
Nuk mund të flas për partitë e tjera, por të paktën me sa kam parë në LSI afrohen njerëz që kanë kontribuar në forumet e asaj partie. Më duket se diçka në këtë drejtim po bën dhe PS e sidomos AK dhe FRD, por nuk shikoj asgjë te PD e cila është mbërthyer fort pas pushtetit, ndersa klani rreth Berishës heq dhe vë ata që i rrinë gatitu dhe i bëjnë elozhe këtij klani. PSh, në Shkodër shumë njerëz i kanë parë hajrin pushtetit vetëm se i thonë znj. Topalli 'zonjë e hekurt'. Këto lloj rinovimesh janë fasada që e dëmtojnë partinë përkatëse. Përsa i përket numrit dy të PD, atje ka vetëm numer 'NJE', numrat dy e poshtë s'ekzistojnë në saj të kontributeve vetiake, por në saj të dashamirësisë së fituar me konformizëm, lajka e servilizëm ndaj NJESHIT. Kjo strukturë drejtuese e dalë nga votime të pandershme të paraplanifikuara nga NJESHI s'është legjitime dhe s'ka forcë të bëjë ndryshime në jetën e brendshme të partisë se çdo përpjekje për demokratizim të saj, do çonte në largimin e tyre si armiq e tradhtarë të PD, dmth. të kryetarit.

Pra lufta brenda PD bëhët për të qënë në sy të Berishës...?
Ky mentalitet i formuar qëllimisht në PD për të hyjnizuar NJESHIN i ka lënë me vite dritë pas dyshat e treshat. Ky është shkaku që askush nga këta dysha e tresha nuk mund t'a zëvendësojë Berishën. Largimi i Berishës nga PD do ishte një shembje e madhe e kësaj godine partiake që do t'i zinte të gjithë nën vete. Nuk mund të mendohet që klanet brenda PD bëjnë luftë për pushtet. Ata s'kanë as staturën, as guximin dhe as përkrahjen e nevojshme nga anëtarësia e gjerë e partisë për të zhvilluar një luftë të mirëfilltë për pushtet që t'i zënë vendin Berishës. Berisha do të lëshojë atë vend kur t'ia dojë qejfi e pasardhësin do ta vendosë vetë siç ia kërkon interesi i tij vetjak që të drejtojë pas kuintave. E ashtuquajtura luftë politike brenda klaneve të PD është e vërtetë që zhvillohet, por jo për t'i zënë vendin Berishës, por për të fituar më shumë kredibilitet tek ai, për të marrë statusin e trashëgimtarit, si dhe për të patur më shumë influencë në pushtet që të shtojnë pasuritë vetiake. Ndryshe po lëvizën gishtin për të rrëzuar Berishën, do hanë kokat e tyre.

PD ka tetë vite në qeverisje, mendoni se me këtë kabinet qeveritar mund të marrë një mandat të tretë, përballë një Rame dhe PS të "uritur" për pushtet?
Rama e PS le të kenë po të duan uri prej ujku për pushtet. Ai nuk merret me uri, por me punë e besim në radhë të parë brenda partisë e cila duhet të gjeje forcën e mençurinë që të luftojë intolerancën e të bashkojë të gjithë të pakënaqurit. Tashmë, për fat të keq, qeverisja s'mendohet si një detyrim i madh shoqëror e politik në shërbim të interesave publike, por si një mjet përfitimi. Kjo është kthyer në një mendësi e keqe jo vetëm për PS, por të pakten për të gjitha partitë tradicionale politike shqiptare. Kësaj mendësie ia kanë venë emrin PRAGMATISTE. Këtej e tutje do ta quaj me këtë emër mendësinë e qeverimit. PS duhet të marrë shembull nga Berisha, i cili është politikan më i zoti në këtë fushë se Rama. Ai bashkoi rreth vetes me kuç e me maç të gjitha partitë që iu afruan duke u ofruar thela të vogla e të mëdha torte sipas votave që ata do t'i jepnin koalicionit. Fitoi se LSI-së i dha 20 përqind të pushtetit. Po PS s'paska një kryetar aq PRAGMATIST sa të dëgjojë zërin e burrave të mençur se si duhen bërë koalicionet para e pas zgjedhore që të fitojë zgjedhjet? Nëse kryetari me fuqinë që disponon s'do pyesë të mençurit, por do vendosë unin e tij, nuk i fiton zgjedhjet, nëse ai së bashku me të mençurit nuk bien dakort që të heqin dorë nga intoleranca, nuk i fitojnë zgjedhjet.

Mendoni pra se Berisha i fiton zgjedhjet...?
PD i fiton zgjedhjet nëse reformon dhe demokratizon seriozisht partinë duke afruar të gjithë të larguarit duke bërë një kongres të jashtëzakonshëm partie që të miratojë një statut vërtetë demokratik, ku kryetari duhet të zgjidhet me mbi 2 konkurentë që të kenë të njejtin akses si kryetari në detyre në shtypin e partisë, në financat e saj si dhe të kenë grupin e tyre për fushatë të paktën 6 muaj para zgjedhjeve në parti. Z.Berisha nuk duhet të jetë në asnjë menyrë kandidat dhe asnjë nga anëtarët e kryesisë apo të Keshillit Kombëtar të PD, por njerez jashtë këtyre forumeve. Të ngrihet një komision për të zgjedhur delegatët për në kongres jo nga Berisha e klani i tij, por të dalin emrat e tyre nga konferencat e degëve që do numërojnë votat e kandidatëve sipas parimit 'një anëtar një votë' etj. Pra duhet bërë një kalim i shpejtë pushteti nga ky kryetar, kryesi e KK në duart e atyre demokratëve që do zgjidhen realisht e ndershmërisht nga anëtarësia e PD, që kjo anëtarësi të rifitojë besimin tek udhëheqja e partisë e cila duhet të respektojë çdo anëtar e forum partie, që dhe pjesa tjetër e popullit të besojë se PD u rikthye në identitet me figura të reja e të pastra drejtuese që japin shpresë për një politikë bashkëpunuese me opozitën dhe ngritjen e një administrate të aftë e jo me militantë të pashkolluar që janë bërë drejtorë me diploma të falsifikuara apo të pamerituara. Kjo kryesi duhet të angazhohet se do krijojë një qeveri që do kontrollojë të gjitha shkeljet ligjore të qeverive paraardhese të PD si dhe administratës pushtetore duke i dënuar ata që kanë qenë të korruptuar sipas shkallës së fajësisë.

E shikoni të realizueshme këtë që kërkoni...?
Kjo që parashtrova nuk mund të bëhet se deri më sot s'di që ata që janë në majë të malit të rrëzohen e të thyejnë kokën për hir të së drejtës. Ata i kanë mbushur mendjen vetes se jane më të ndershmit, më të drejtët, më patriotët, më të aftit, më të zgjuarit, më të pazëvendësueshmit e kësaj dynjaje, prandaj ajo që thashë më lart ngelet vetëm një utopi që do rrëzojë patjetër PD nga pushteti. Në fakt masa e gjerë e demokratëve janë të rrëzuar e të rrënuar nga pushteti. Tani bëhet fjalë për ata që janë në majë të kalit që i kanë shijuar frutet e pushtetit, por nuk e di, nëse ata qe do vijnë në pushtet do kenë ndershmërinë, trimërinë, zotësinë e dashurinë për popullin që të korruptuarve t'u tregojnë vendin jo për hakmarje politike, po me fakte e dokumenta e t'ua sekuestrojnë pronat e paratë fituara në menyrë të paligjeshme.

U përfol shumë se ju do jeni pjesë e FRD. Pse janë të ftohta marrëdhëniet me ju, por dhe me figura të tjera, përfshi ish-kryeministrin Meksi dhe ish deputetin Rexhep Uka?
U përfol nga shtypi kot se koti, siç e ka zakon shtypi ynë që kur ke bisht ta heqin e kur se ke ta vënë. Kam qenë i predispozuar të bashkëpunoja me FRD e për këtë kam dhënë intervista në disa gazeta, jo si anëtar i saj, por duke parë te ajo një forcë me ide të reja perparimtare, gjithëpërfshirëse e demokratike, i ofrova veten time. Ata që e themeluan këtë parti me sa duket s'deshën që njerëz me integritet, kulturë e eksperiencë partiake, me ide të qendrës së djathtë, të afroheshin në themelimin e kësaj partie. Kjo është e drejtë e tyre, unë e respektoj. Me sa di FRD do afrojë sa më shumë njerëz që i përkasin brezit të ri, dhe mirë bën se e ardhmja i takon rinisë. Madje në një bisedë që kam bërë me zotin Biberaj disa muaj më parë i kam thënë që s'aspiroj për asnjë post në këtë parti, por dua t'a ndihmoj me sa të kem mundësi dhe kam shumë miq që presin fjalën time që të anëtarësohen në të. Ata jo vetëm që s'me pranuan si themeleues të saj, por as s'më ftuan në prezantimin publik të saj. Edhe kjo është e drejta e tyre. Unë nuk e di nëse e kanë ftuar zotin Aleksandër Meksi apo Rexhep Uka e të tjerë si ata, por di të them se këta emra do të ishin një mbështeteje e fuqishme për FRD si për organizimin, ashtu dhe për mbështetjen në radhët e popullit e të PD që i njohin për burra të mençur e energjikë. Eksperienca politike më ka mësuar se sa më shumë krahë të kesh, aq më i fuqishëm bëhesh. Pushteti fitohet me punë, organizim, proprogandë, miq, dashamirës që fitohen me njohje, takime dhe gjuhë të kuptueshme nga njerëzit. Mënyra e veprimit politik është profesion më vete që ne të vjetrit e njohim dhe dime të vëmë në jetë. Zërat tanë vetem do e fuqizonin këtë parti.

Po Aleanca Kuq e Zi...?
Kam ndihmuar me programin ekonomik AK-në. Nëse u hyn në punë le ta marrin në konsideratë, po nuk u pelqeu, të bëjnë një tjetër më të mirë. Ua uroj me gjithë shpirt dhe do miliotoja në këtë parti, por z.Spahiu ka deklaruar se s'do pranoje ish ministra e deputetë në AK. Kjo më ka bërë të tërhiqem. Po kështu dhe FRD do të tjerë njerëz, prandaj jam elektron i lirë që s'militoj në asnjë parti politike. Kam bindje të plotë se është momenti politik, madje dhe historik që partitë e mëdha PD e PS të dalin forca të treta e të katërta sepse populli është mërzitur me të dyja, por kjo varet tërësisht nga dy partitë e reja AK dhe FRD që duhet të hidhen në terren me të gjitha forcat e tyre organizative që të anëtarsojnë sa më shumë njerëz në qytet e në fshat e të ngrenë për çdo qendër votimi nga një seksion. Kjo është një punë kolosale që do eksperiencë, para, makina, njerëz të devotshëm e oratorë që duhet të njohin shumë mirë programin e partive të tyre e të dine ta transmetojne thjeshtë në popull që të fitojnë simpatinë e besimin e tij. Tendenca e këtyre dy partive të reja duhet të jetë jo për të marrë 3-4 deputetë, por të dalin sëbashku forca që do të marrin në dorë qeverisjen e vendit. Të zotërojnë mediat, nuk flasim për TV pubblik që i bën fresk qeverisë, por për mediat e pavarura. Duam që këto parti të reja të trajtohen njëlloj si partitë e tjera politike, aq më tepër që FRD është parti parlamentare se ka zotin Oketa, madje thuhet se do ketë dhe deputetë të tjerë, gjë që unë e besoj meqë i njoh personalisht deputetët e PD e ua di pakënaqësitë që kanë për udhëheqjen e saj.

Tashmë është në kulmin e tij debati për Presidentin. Mendoni se PD i ka numrat për të zgjedhur një kryetar shteti me votat e saj siç pretendon Berisha?
Mendoj se PD i ka numrat për presidentin e thjeshtë me 71 vota, por kjo nuk i kënaq me të drejtë as popullin e as ndërkombetarët. Nëse FRD krijon grupin e saj parlamentar me 7 vetë, se aq duhen për një grup, siç e ka lancuar FRD, presidenti s'zgjidhet as me shumicë të thjeshtë dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Nëse FRD voton presidentin e Berishës, do humbë besueshmërinë në popull se është kundër tij e shpresat për një parti të vërtetë opozitare me Berishën do veniten. Nëse FRD deklaron se do bejë koalicion me Berishën pas zgjedhjeve, shanset e saj për të fituar shumë deputetë më 2013, humbasin se e mbajnë atë në pushtet dhe krijimi i partisë së tyre do dukej si një lojë e dirigjuar nga Berisha që të pakënaqurit e tij të shkojnë tek FRD e kjo t'ia japë Berishës këto vota me koalicionin paszgjedhor. Në politikë s'luhet me dy porta. Do shumë kujdes në deklaratat që bëhen në media dhe në vendimet që merr partia. Berisha ka deklaruar se nuk pretendon për president dhe unë e besoj këtë.

Zgjedhja e kreut të ri të shtetit do të jetë një test për mazhorancën aktuale por dhe për marrëdhëniet me LSI?
Po, do jetë test për mazhorancën, por dhe për LSI e cila duhet ti qëndrojë deklaratës që presidenti të jetë konsensual. Po u zgjodh me 71 vota s'humbet vetëm PD e LSI por e gjithë Shqipëria.

Meqë jemi tek LSI si e konsideroheni koalicionin me këtë parti, ka humbur apo ka fituar PD nga aleanca me partinë e Metës?
Koalicioni me Meten ka bërë që Berisha e klani i tij të fitojë pushtetin, por kanë humbur demokratët e kjo i ka bërë të pakënaqur ç'ka do ta tregojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Dhe në fund, duke parë përplasjet për reformën zgjedhore dhe faktin që asnjëherë nuk janë njohur zgjedhjet nga palët, mendoni se një qeveri teknike do t'u jepte fund këtyre problemeve?
Reforma zgjedhore bëhet për dy jave, por partitë politike e zgjasin vetëm për të fituar opsionet e tyre që çojnë në konsolidimin e mundësisë për të fituar zgjedhje të manipuluara. Kështu ka ndodhur kur PS ishte në pushtet e kështu po ndodh tani që është PD. Prandaj këto dy parti s'duhet të dalin fitimtare. Populli shqiptar duhet të veprojë si populli grek, që nuk votoi partitë tradicionale, por partitë e vogla e të reja që të mos ketë më dinasti partiake e pushtetore që lindin korrupsion, pasiguri, antiligj e mbretër të pakurorëzuar.
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Në arrati nga viti 2023, SPAK shtyn me 3 muaj hetimet për Arben Ahmetaj

Në arrati nga viti 2023, SPAK shtyn me 3 muaj hetimet për Arben Ahmetaj