"S'kam fjalë për të përshkruar ndjesitë e jashtëzakonshme që më krijoi hyrja në këtë pallat nëntokësor ku regjimi komunist synonte ti mbijetonte një sulmi atomik", tha Rama.
Para disa kohësh, vijoi Kryeminsitri Rama,"kur vizituam Berlinin patëm mundësinë të kalojmë në muzeun e famshëm që është një godinë e rëndomtë aty ku dikur ndahej Berlini perëndimor dhe lindor, pak metra larg murit që mbajti të ndarë dy botët e Luftës së Ftohtë dhe që mbajti të izoluar përtej horizontit të lirisë gjysmën e botës. Një godinë e rëndomtë që pret çdo vit miliona e miliona njerëz ku është e pa mundur të kesh një minutë të vetme pa prekur trupin e dikujt tjetër për nga shpejtësia e vizitorëve. Godina e një regjimi të vjetër ku përmes vet mureve të godinës, objekteve, fotografive dhe dëshmive u jepet mundësia qytetarëve të botës së lirë të krijojnë një perceptim me atë që ishte bota ku jetonin qindra miliona njerëz dhe sot është e vështirë tua tregosh me fjalë gjeneratave të reja", tha Rama.
"Këtu ka gjimnazistë që nuk e kanë jetuar atë kohë dhe nuk ua shpjegon dot me fjalë sesi Shqiperia e vogël mund të ishte një botë e tretë e izoluar nga dy botët e tjera që luftonte në mënyrë imagjinare me imperializmin amerikan dhe socialimperializmin sovjetik", u shpreh Rama.
Sot, theksoi Kryeminsitri, "ne jemi dëshmitarë se kemi çelur derën e një thesari të kujtesë sonë kolektive. Një thesari ku pa as më të voglin dyshim mund të zbulohen qindra mijëra copëza të një mozaiku të madh, ngjarjesh, personazhesh, kontradiktash ku gjakderdhja ka bërë rëndom lëndën lidhëse dhe të cilin historianët dhe historia nuk na e kthjellojnë dot edhe sot. Nga një kujtesë që rëndom bëhet selektive. Çdo përpjekje qeveritare politike që niset qoftë edhe nga qëllimi më i mirë për ti dhënë fund diskutimit për historinë është e destinuar të dështojë dhe të prodhojë rrethin vicioz të një historie që nuk shkruhet dot deri në fund".
Duke folur për historinë, Kryeministri Rama tha se është koha për të treguar historinë, jo për ta rishkruar atë, por për t'i treguar gjithë anët e saj.
"Shkrimi i historisë le t'iu mbetet historianëve. Përpjekja për ta vetëpikturuar vetveten në kontekst të zgjedhur politikisht ka rezultuar sa tragjike në të shkuarën e largët, sa qesharke në të shkuarën e afërt. Ne i takojmë një shkolle të re për Shqipërinë, ku histroinë e shkruajnë shkencëtarët. Nuk e shkruan, as Shtëpia e Bardhë, as Kongresi Amerikan, as qeveritë e vendeve europiane histroinë e vendeve të tyre, por historianët. Ne i përkasim shkollës së vendeve demokratike që nuk ia fshehin publikut misteret e së shkuarës.
Kryeministri Rama gjithashtu tha se, këto vende duhet t'i tregohen publikut pasi nuk ka arsye pse të mos tregohet e shkuara.
"A mund të më thotë njeri pse kjo godinë ruhej si sekret, jo vetëm nga ata që besuan se këtu do luftonin vërtetë me superfuqitë, por edhe nga ata të cilët gënjyen se bashkë me përmbysen e regjimit komunist, përmbysën edhe mendësinë e tij. Njëlloj si me misterin e së shkuarës, dosjet e sigurimit të shtetit, ku fshihen plot të vërteta të hidhura janë vazhdimsësi e së njëjtës shkollë, asaj të të sunduarit mbi tjetrin pavarësisht kosotove. Ne jemi këtu për të çelur një fazë të re raportesh me të shkuarën, jo për ta rishkruar historinë, por për të mos ta fshehur", - theksoi kryeministri në fjalën e tij.