Filmat e rinj, idetë dhe energjia janë në qendër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Studentëve, që po mbahet për herë të parë në Tiranë prej mbrëmjes së të martës. Deri më 24 prill, në ambientet e Universitetit të Arteve, studentë dhe profesionistë të filmit nga Shqipëria dhe rajoni do të ndajnë përvoja, projekte dhe vizione artistike.
“Jam i lumtur që Shqipërisë t'i shtohet deri në tjetër festival, një arenë tjetër ku shfaqen filmat dhe kësaj radhe filmat e studentëve, filmat e të rinjve që kanë gjithë atë xhenuitetin dhe guximin për të shfaqur botën ashtu siç e shohin pa kurrfarë frike. Kështu që ne si qendra e kinematografisë jemi gjithmonë krenarë që kemi mbështetur një event të tillë dhe një festival të tillë.”, tha Jonid Jorgji, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, mbështetëse e festivalit.
Festivali është një nismë e Fakultetit të Artit Skenik në bashkëpunim me “Element Studio”, duke synuar të ndërtojë një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi mes shkollave të filmit dhe industrisë.
“Është një ëndërr e disa viteve më përpara e katedrës së filmit… për të krijuar një hapësirë të përbashkët ku studentët, pedagogët dhe profesionistët e industrisë takohen, dialogojnë dhe ndërtojnë ura bashkëpunimi për të ardhmen e kinemasë.”, tha Alert Çeloaliaj, pedagog dhe koordinatori i Programit të Doktoraturës në Departamentin “Regji - Regji Filmi dhe Tv”.
Ky organizim shënon edhe një moment reflektimi për rrugëtimin e shkollës së filmit në Shqipëri dhe zhvillimin e saj ndër vite.
“Jam shumë i emocionuar sot që mbas 21 vjetësh… kemi arritur në këtë pikë. Ne kemi dashur që studentët t’i nxjerrim nga atelieret dhe t’i përballim me industrinë… sepse vetëm kështu do të mund të bëhen njerëz të zotë të së ardhmes.”, tha Milto Kutali, dekan i Fakultetit të Artit Skenik.
Në fokus të këtij edicioni të parë është Ballkani Perëndimor, me pjesëmarrje nga universitete të rajonit dhe me synimin për zgjerim të mëtejshëm në të ardhmen.
“Ky festival synon të forcojë dialogun dhe shkëmbimin mes shkollave të filmit dhe të krijojë një rrjet të qëndrueshëm bashkëpunimi në rajon. Ne besojmë se do të rritet si një platformë e rëndësishme për kinemanë.”, tha Elis Mataj, drejtor i festivalit dhe zv.dekan në Fakultetin e Artit Skenik.
Me një program të pasur që përfshin shfaqje filmash, masterclass, ëorkshop-e dhe panele diskutimi, festivali pritet të kthehet në një traditë të rëndësishme për kinemanë studentore.
Komente











