Brenda vitit 2026, partitë duhet që të adresojnë Reformën Zgjedhore. Në konferencën për mediat, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, teksa shpalli rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura dje në 5 bashkitë Vlorë, Tepelenë, Cërrik, Berat dhe Mat, theksoi edhe rëndësinë e miratimit të ligjit të ri zgjedhor. 

“Shpresoj që ta fillojnë punën shpejt dhe ta përfundojnë brenda 2026 që të kishim ligj të ri zgjedhor. Nëse nuk do ta kemi, do të shkojmë në zgjedhjet 2027 në të njëjtën situatë gati këto 30 vite. “, u shpreh Celibashi.

Ai nuk e përjashtoi përdorimin e Inteligjencës Artificiale në proceset zgjedhore të ardhshme. Ky koment erdhi pasi pranoi se testi i numërimit të votave me AI në bashkinë e Tepelenës rezultoi një sukses. Celibashi tha se rezultatet e numërimit me inteligjencë ishin thuajse 100% të njëjta me ato të raportuara nga numërimi fizik. Megjithatë, ai shtoi se është e nevojshme që të kenë ndryshime në Kodin Zgjedhor për ta bërë këtë mënyrë numërimi legjitim.

“Në përgjithësi leximi dhe analiza e këtyre pamjeve prodhoi thuajse 100% të njëjtin rezultat të numërimit fizik. Pamjet e faqes ballore të fletës, u lexuan me saktësi të plotë nëpërmjet sistemit të AI. U konstatuan vetëm disa pasaktësi në leximin e pjesës së pasme të fletës së votimit. Vlerësojmë që në të ardhmen arritja e saktësisë do të varet nga ndërtimi i disa protokolleve teknike që do të dhe të respektohen nga numëruesit dhe komisionerët. Së pari, e qartë se duhet të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor që rezultatet nëpërmjet teknologjie të konsiderohen ligjërisht zyrtare”, tha Celibashi.

I pyetur për pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje, vetëm 18.45%, dhe sa legjitimë janë kryetarët e rinj të zgjedhur të këtyre bashkive, Celibashi u përgjigj:

“Në gjykimin e vlerësimin tim, i përkas grupit të atyre personave që angazhohen në procesin zgjedhor, që nuk është domosdoshmëri që të ketë kufi të pjesëmarrjes për t’i konsideruar zgjedhjet e vlefshme.”

Celibashi shpalli rezultatet: Brunilda Mersini Vlorë fitoi me 15 672 vota (78.44 %) kundrejt rivalëve të pavarur, Dionis Sota 2 333 vota (11.68 %) dhe Gjergji Nika 1 975 vota (9.88 %). Në Berat, Ervin Ceca siguroi 13 050 vota (83.35 %) kundrejt 2 607 vota (16.65 %) të Pavlo Shkarpës të mbështetur nga opozita.  

Cërrik, Florenc Doka i PS trimfoi me 6 201 vota (66.22 %) në krahasim me Amarildo Hoxhën që mori 1 888 vota (20.16 %) dhe kandidatin e Shqipëria Bëhet Eligert Hima që mori 1 275 vota (13.62 %). Në Mat, Altin Bojni i PS mori 7 425 vota (66.54 %) kundrejt dy rivalëve të pavarur Eduart Brahilika 3 184 vota (28.54 %) dhe Suzana Pasha që mori vetëm 549 vota ose 4.92 %. 

Tepelenë, socialisti Gramoz Sako fitoi me 3 261 vota (77.85 %) kundrejt kandidatit të pavarur të mbështetur nga opozita Gabriel Guma 928 vota (22.15 %). 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:47
Kosova shpalli rezultatin zgjedhor në kohë rekord, Celibashi: Për aq kohë sa nuk kemi ligj të ri elektoral, këtë përfundim do kemi

 

Vendoret e pjesshme në Shqipëri ditën e djeshme u zhvilluan paralelisht me ato në Kosovë. Kosova e mbylli procesin e votimit një orë më vonë, por rezultati përfundimtar për 18 komuna, doli në kohë rekord, krahasuar me 5 bashkitë në Shqipëri që u zhvilluan zgjedhjet.

Referuar kësaj pakënaqësie të shprehur prej vitesh tashmë në vend sa herë që ka zgjedhje, kryekomisioneri Celibashi tha se për aq kohë sa protokolli nuk ndryshon, që ka vendi i numërimit, apo vetë procesi i numërimit dhe përdorimi apo jo i pajisjeve elektronike, rezultati gjithmonë do të dalë 1 ose 2 ditë me vonesë.

Ilirjan Celibashi tha se kjo është në dorë të Kuvendit dhe se ligjvënësit duhet të hartojnë ligjin e ri elektoral brenda vitit 2026 ose në zgjedhjet e ardhshme do të kemi po të njëjtin rezultat nga ana e KQZ.

“Nëse nuk ndryshojmë këtë mënyrë të numërimit dhe vlerësimit të fletëve, të gjithë këtë protokoll. Këtë situatë do të kemi. Ne reuzltain do ta kemi të nesërmen apo pas 2-3 ditësh. Ose duhet të kthejmë numërimin në QV ose duhet të dakordësohemi për përdorimin e  pajisjeve elektronike. Ose do të ngeli kjo mënyrë do të gjejmë zgjidhje të tjera. Sot rezulton që nuk na prodhon dobi. Harxhojmë kohë para, procesi nuk ka duket i sigurtë. Kjo çështje është e parive politike dhe të Kuvendit. I kemi përcjellë propozimet tona. Ngelet në dorë të tyre për ta vlerësuar. Kjo mënyrë pak justifikon qëllimet që në fund të fundit ekzistojnë në rastin e numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit.

Janë shumë aspekte që në reformën e ardhshme zgjedhore të shikohen. Brenda 2026 do të ishte mirë që të kishte ligj të ri zgjedhor. Nëse jonë zgjedhjet e ardhshme do të kemi po të njëjtën situatë”, tha Celibashi.

Ora 13:38
Sa legjitimë janë kryetarët e zgjedhur? Celibashi: Kufiri i pjesëmarrjes nuk është domosdoshmëri për vlerësimin e zgjedhjeve

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, në konferencën për mediat u pyet edhe për pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje dhe sa legjitimë janë fituesit si kryetarë bashkie. Sipas tij, për të vlerësuar një proces zgjedhor, nuk është domosdoshmëri që të ketë një kufi të pjesëmarrjes.

“ Në gjykimin e vlerësimin tim, i përkas grupit të atyre personave që angazhohen në procesin zgjedhor, që nuk është domosdoshmëri që të ketë kufi të pjesëmarrjes për t’i konsideruar zgjedhjet e vlefshme. Po ka të tjerë që mendojnë ndryshe. Ka argumente për të dyja pikëpamjet. Ta vlerësojë politika se si e kanë interesin dhe si ato mendojnë se është interesi i qytetarëve. Për mua edhe ata që nuk votojnë, kanë një shprehje të interesit të tyre politik.”, tha ai.

Ora 13:34
Celibashi: Inteligjenca Artificiale mund të përdoret në zgjedhjet e ardhshme

 

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi nuk e ka shmangur mundësinë që të ardhmen inteligjenca artificiale të implementohet në procesin zgjedhor, por pa saktësuar aspektin, përfshirjen apo dhe kohën se kur mund të ndodhë.

“Ndoshta për të gjithë duhet sqaruar se Ai në rastin e zgjedhjeve, mund  të përdoret për shumë aspekte. Ne e pamë si me dobi pa përdorur për numërim dhe vlerësim të fletëve të votimit. Përdorimi i AI nuk shmang nga pikëpamja teknike komisionerët apo numëruesit de duhet të jetë dikush që i shfaq fletët e votimit përpara kamerës.

Në kuptim të kohës dhe saktësisë, për gjykimin tonë, do të ishte e udhës që të përdorej në të ardhmen. Nëse përdorim pajisje elektronike të numërimit dhe vlerësimit, këtë proces e kryen vetë pajisja përkatëse. Për sa kohë që AI po përdoret në shumë aspekte të jetës globale, nuk ka asnjë arsye pse dhe në proceset zgjedhore të mos përdoret. Pastaj në cilin moment apo aspekt do të diskutohet. E bëmë këtë test, as të nxitur dhe as të frymëzuar nga praktika t të 3-tëve. E ka sjellë zhvillimi global si mundësi për ta përdorur këtë risi. S’ka asnjë arsye që të kishim droje për të hezituar për ta testuar përdorimin e AI. Tej qasjeve sarkastike të dikujt, ne vlerësojmë që do t’ia vlejë në të ardhmen”, tha Celibahsi.