Në vigjilje të Pashkës ortodokse, besimtarë të shumtë u mblodhën në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë dhe në qytetet e tjera për të marrë pjesë në një nga ritet më të rëndësishme, atë të procesionit të Epitafit.

Dalja e Epitafit nga Katedralja “Ngjallja e Krishtit" në Tiranë, është një akt simbolik që rikujton një nga momentet më të rëndësishme të besimit ortodoks, varrosjen e Jezu Krishtit.

Ceremonia u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi, i shoqëruar nga klerikët, të cilët bashkë me besimtarët zhvilluan procesionin përreth Katedrales.

Rruga kryesore u mbush nga qindra besimtarë të të gjitha moshave që mbanin qirinj të ndezur në duar për lutje.

Procesioni erdhi pas shërbesës së Vajtimeve, një nga ritualet ku përkujtohen vuajtjet dhe sakrificat e Krishtit.

Të shumtë ishin besimtarët e Korçës të cilët nën drejtimin e Mitropolitit të Korçës, Imzot Anastas, morën pjesë në shërbesën e vajtimeve dhe epitafin.

Në Elbasan, nën drejtimin e imzot Andonit, besimtarët të shoqëruar nga banda “Afërdita” përshkuan bulevardin kryesor të qytetit.

Në Vlorë, ceremonia e së Premtes së Zezë u mbajt në Kishën “Shën Thodhori”. Pas përfundimit të shërbesës, është zhvilluar edhe dalja e Epitafit nga kisha, një ritual simbolik që përfaqëson varrimin e Krishtit.

Procesioni i epitafit u ndoq edhe në Fier, Berat dhe Durrës, nga besimtarë të shumtë.

E Premtja e Zezë, apo e Premtja e Madhe, shënon vdekjen e Jezu Krishtit në Kryq dhe kremtohet me rituale si “Udha e Kryqit” dhe zbritja e Epitafit. Kjo ditë përkujton sakrificën e Krishtit, ndërsa besimtarët ortodoksë dhe katolikë e nderojnë me agjërim dhe lutje, në vigjilje të ditës së Ngjalljes së Krishtit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:36
Atmosferë solemniteti dhe reflektimi, besimtarët ortodoksë në Sarandë kremtojnë të Premten e Zezë

Besimtarët ortodoksë në Sarandë kanë përkujtuar sot të Premten e Zezë, një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit fetar, që simbolizon vuajtjet dhe kryqëzimin e Jezu Krishtit.

Ritet fetare janë mbajtur në Kishën “Shën Harallambi”, ku qindra besimtarë janë bërë pjesë e një ceremonie përkujtimore në një atmosferë të thellë solemniteti dhe reflektimi.

Shërbesa është drejtuar nga At Kozmai, i cili ka drejtuar meshën dhe ritualet e kësaj dite të shenjtë.

Pas përfundimit të shërbesës së mbrëmjes, besimtarët dhe Epitafi kanë përshkuar rrugët dhe bulevardin kryesor të qytetit, duke krijuar një atmosferë të veçantë përkushtimi dhe besimi për t'u rikthyer përsëri në Kishë.

E Premtja e Zezë shënon vdekjen e Jezu Krishtit në kryq dhe i paraprin festave të Pashkëve, e cila kulmon me meshën e mesnatës së së Shtunës dhe shpalljen e Ringjalljes.

Ora 22:27
Nën tingujt e bandës frymore, besimtarët ortodoksë në Fier kremtojnë Të Premten e Zezë

Qindra besimtarë ortodoksë dhe qytetarë fierakë kanë ndjekur mbrëmjen e sotme, të Premten e Madhe e të Shenjtë, proçesionin e Epitafit, një ndër momentet më të rëndësishme para Pashkëve Ortodokse.

Ceremonisë simbolike i kanë paraprirë tingujt e bandës frymore, ndërkohë që Epitafi ka dalë në qytet në orën 7:30, nga Katedralja e Shën Gjergjit, i shoqëruar nga besimtarë të shumtë të të gjitha grupmoshave.

Sikundër tradita e përvitshme, Epitafi ka përshkuar qëndrën e qytetit të Fierit duke përcjellë mesazhe paqeje, besimi, shprese e ringjalljeje për t’u rikthyer sërish në Kishë, i pritur nga besimtarë të shumtë.

E Premtja e Zezë shënon vdekjen e Jezu Krishtit në kryq, për tu ringjallur mesnatën mes të shtunës e të dielës, kohë kur kulmojnë edhe kremtimet e Pashkëve, ndërsa Java e Madhe konsiderohet periudha më e rëndësishme në kalendarin ortodoks, e përqëndruar te zia, pendimi dhe reflektimi shpirtëror.

Ora 21:55
Besimtarët ortodoksë në Berat kremtojnë të Premten e Zezë, ceremonia ndiqet nga shumë qytetarë dhe vizitorë vendas e të huaj

Kremtohet e Premtja e Zezë në Berat, epitafët bashkohen në rrethrrotullimin mes lagjeve muzeale

Besimtarët ortodoksë të qytetit të Berat kanë kremtuar sot të Premten e Zezë, një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit fetar, që simbolizon vuajtjet dhe kryqëzimin e Jezu Krishti.

Ritet fetare janë zhvilluar në Katedralen “Shën Dhimitri” dhe në Kishën e Goricës “Shën Spiridhoni”, ku qindra besimtarë janë bërë pjesë e ceremonive përkujtimore. Shërbesa në Katedralen “Shën Dhimitri” është drejtuar nga Imzot Asti, së bashku me klerikët At Johan Qako dhe At Petraq Simsia, të cilët kanë kryer meshën dhe ritualet e kësaj dite.

Pas përfundimit të shërbesës së mbrëmjes, është zhvilluar rituali i shëtitjes së Epitafit. Fillimisht, epitafi ka bërë xhiron në oborrin e Katedrales “Shën Dhimitri”, ndërsa më pas besimtarët kanë kaluar poshtë tij, në një akt simbolik përulësie dhe besimi.

Më pas, epitafi, i shoqëruar nga besimtarët, ka përshkuar shëtitoren kryesore të qytetit, duke vijuar një traditë të përvitshme në Berat. Në të njëjtën kohë, edhe epitafi i Kishës së Goricës “Shën Spiridhoni” ka ndjekur itinerarin e tij për t’u bashkuar me të parin tek Ura e Varur.

Pas kryerjes së riteve në këtë pikë simbolike, të dy epitafët janë rikthyer në kishat përkatëse.

E Premtja e Zezë shënon vdekjen e Jezu Krishti në kryq dhe i paraprin festës së Pashkëve, e cila kulmon me meshën e mesnatës së së Shtunës dhe shpalljen e Ringjalljes. Ceremonitë e Pashkëve do të vijojnë edhe këtë vit në Katedralen “Shën Dhimitri”, në qendër të qytetit të Beratit. Kjo ceremoni është ndjekur me kërshëri nga qytetarët e Beratit dhe vizitorë vendas e të huaj.

Ora 21:24
Këngë kishtare dhe lutje në rrugët e Korçës, besimtarët ortodoksë kremtojnë të Premten e Zezë

Korça është kthyer këto ditë në qendrën kryesore të festimeve të Pashkëve, duke tërhequr mijëra qytetarë e vizitorë që kanë marrë pjesë në një nga ritet më domethënëse të traditës ortodokse, kalimin nën Epitaf.

Në mbrëmjen e së premtes, epitafet e gjashtë kishave të qytetit u mblodhën përpara Katedrales “Ringjallja e Krishtit”, prej nga nisi më pas një procesion solemn që përshkoi rrugët kryesore të Korçës.

Atmosfera u mbush me këngë kishtare dhe lutje, ndërsa besimtarët ndoqën me përkushtim këtë rit të shenjtë.

Procesioni u drejtua nga Mitropoliti i Korçës, Imzot Anastas, në një moment reflektimi për besimtarët që përkujtojnë të Premten e Madhe, ditën e njohur ndryshe si “E Premtja e Zezë”, që simbolizon vuajtjen dhe kryqëzimin e Jezu Krishtit.

Ora 21:15
Agjërim, lutje dhe rituale të ndryshme, besimtarët ortodoksë në Elbasan kremtojnë të Premten e Zezë

Edhe në qytetin e Elbasanit është zhvilluar procesioni i Epitafit, ku kanë qenë të pranishëm qindra besimtarë ortodoksë.

Nën drejtimin e Mitropolitit të Elbasanit, Librazhdit dhe Shpatit, Imzot Andoni, të shoqëruar nga banda frymore “Afërdita”, ata kanë përshkuar bulevardin kryesor të qytetit.

E Premtja e Zezë, apo e Premtja e Madhe, shënon vdekjen e Jezu Krishtit në Kryq dhe kremtohet me rituale si “Udha e Kryqit” dhe zbritja e Epitafit.

Kjo ditë përkujton sakrificën e Krishtit, ndërsa besimtarët ortodoksë e nderojnë me agjërim dhe lutje, në prag të Ringjalljes së Pashkëve.

Ora 21:07
Vlorë/ Zhvillohet rituali simbolik i varrimit të Krishtit, besimtarët ortodoksë kremtojnë të Premten e Zezë

Besimtarët ortodoksë në Vlorë kanë kremtuar të Premten e Zezë, një ditë me rëndësi të veçantë në kalendarin fetar, e cila simbolizon përkujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në Kryq.

E Premtja e Madhe, apo e Premtja e Zezë, është një ndër ditët më të dhimbshme dhe njëkohësisht më të shenjta për besimtarët e krishterë, pasi i kushtohet sakrificës së Krishtit për shpëtimin e njerëzimit.

Ceremonia është zhvilluar në Kishën “Shën Thodhori” në Vlorë, ku besimtarë të shumtë janë mbledhur për të marrë pjesë në ritet fetare dhe për të shprehur përkushtimin e tyre. Atmosfera ka qenë e qetë dhe reflektuese, e shoqëruar me lutje dhe këngë kishtare tradicionale.

Pas përfundimit të shërbesës, është zhvilluar edhe dalja e Epitafit nga Kisha, një ritual simbolik që përfaqëson varrimin e Krishtit. Procesioni ka vijuar nëpër rrugët e qytetit, i shoqëruar nga besimtarë dhe qytetarë të shumtë, të cilët me përulësi dhe respekt kanë ndjekur këtë traditë të hershme fetare.

Ora 19:00
Ceremonia e Epitafit, besimtarët ortodoksë në Zvërnec të Vlorës kremtojnë të Premten e Zezë

Si çdo vit në prag të Pashkës, besimtarët ortodoksë dhe banorët e Zvërnecit u mblodhën sot për të kremtuar të Premten e Zezë, duke marrë pjesë në ceremoninë e Epitafit.

Me përkushtim dhe devocion, qytetarët ndoqën procesionin tradicional, i cili shënon një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit liturgjik ortodoks. Ceremonia u zhvillua në një atmosferë të qetë dhe solemne, ku besimtarët u lutën dhe nderuan këtë ditë të shenjtë.

Zvërneci edhe këtë vit u bë qendër e kësaj tradite shpirtërore, duke ruajtur vazhdimësinë e riteve dhe kulturës fetare që përcillet brez pas brezi.

R.Xh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 8 Prill, 10:55

    Armëpushim dyjavor, a besoni se SHBA-Iran do arrijnë edhe një marrëveshje afatgjatë?