Ceremonia e nënshkrimit të Bordit të Paqes do të mbahet në Davos më 22 janar. Gazetari izraelit Barak Ravid, ka shpërndarë në rrjetet sociale ftesën e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, kundrejt liderëve të vendeve të ftuara.
Në ftesë thuhet se ceremonia do të mbahet në kuadrin e Forumit Ekonomik Botëror në Zvicër. Atje pritet të zbulohen edhe të gjithë anëtarët e Bordit.
Bordi i Paqes është i krijuar nga presidenti Trump për qeverisjen e Gazës në fazën e tranzicionit pas luftës dhe ndërtimit të së ardhmes për vendin. Shqipëria do të jetë pjesë e Bordit për të paktën një mandat 3-vjeçar me të drejtë rinovimi nga presidenti Trump dhe nuk do duhet të paguajë para. Shtetet që duan të fitojnë statusin e anëtarit të përhershëm, duhet të kontribuojnë me 1 miliard dollarë.
Struktura e saktë e Bordit të Paqes mbetet ende për t’u sqaruar, por zyrtarisht janë prezantuar dy borde të veçanta drejtuese të nivelit të lartë.
Njëri është “Bordi Ekzekutiv Themelues”, me fokus të lartë në investime dhe diplomaci. Tjetri, i quajtur “Bordi Ekzekutiv i Gazës”, është përgjegjës për mbikëqyrjen e gjithë punës në terren të një strukture tjetër administrative, Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG).

Komente












