Në Senatin amerikan është depozituar një projektligj me titullin “Exclusive Citizenship Act of 2025”, i sponsorizuar nga senatori republikan nga Ohio, Bernie Moreno. Thelbi i kësaj nisme është ndalimi i shtetësisë së dyfishtë për qytetarët amerikanë dhe vendosja e detyrimit që çdo shtetas i SHBA-së të mbajë vetëm një shtetësi.

Në biseda të ndryshme mes emigrantëve të brezit të parë ka filluar të shfaqet një shqetësim i dukshëm lidhur me këtë problem. Për shumë emigrantë që kanë ndërtuar jetën e tyre në Amerikë duke ruajtur njëkohësisht lidhje familjare dhe ligjore me vendet e origjinës, këto debate nuk perceptohen thjesht si abstrakte apo teorike. Ato shihen si sinjal se një realitet i konsoliduar prej dekadash mund të vihet në pikëpyetje.

Interesante është se vetë propozuesi i ligjit është emigrant. Bernie Moreno ka ardhur në Shtetet e Bashkuara nga Kolumbia në moshën 18-vjeçare dhe ka ndërtuar jetën dhe karrierën e tij në Amerikë. Kjo nuk e bën automatikisht të gabuar nismën, por e bën debatin më domethënës: një ligj që kufizon përvojën e emigrantëve propozohet nga dikush që vetë ka përfituar prej saj.

Sipas projektligjit, qytetarët amerikanë që kanë një shtetësi tjetër do të kenë një afat kohor njëvjeçar për të zgjedhur: ose të heqin dorë nga shtetësia e huaj, ose të humbasin shtetësinë amerikane. Nëse nuk kryejnë asnjë veprim brenda këtij afati, heshtja e tyre interpretohet nga ky projektligj si “heqje vullnetare” nga shtetësia amerikane.

Në traditën kushtetuese amerikane, humbja e shtetësisë ka qenë historikisht e lidhur me akt të qartë vullneti, jo me mungesë reagimi administrativ. Vendime kyçe të Gjykatës së Lartë kanë sanksionuar parimin se shtetësia amerikane nuk mund të hiqet pa prova të qarta të qëllimit individual për ta braktisur atë. Interpretimi i heshtjes si akt vullnetar bie në kundërshtim me këtë jurisprudencë të konsoliduar.

Ky projektligj përfaqëson një devijim të fortë nga mënyra se si SHBA ka trajtuar shtetësinë për më shumë se një shekull. Shtetësia amerikane nuk është ndërtuar mbi parimin e ekskluzivitetit identitar. Valët e emigracionit nga Europa, Amerika Latine dhe Azia kanë prodhuar brez pas brezi qytetarë që kanë ruajtur lidhje familjare, kulturore dhe ligjore me vendet e origjinës, pa u konsideruar kurrë si kërcënim për rendin kushtetues amerikan.

Praktika administrative amerikane, deri më sot, e ka pranuar këtë realitet juridik dhe shoqëror, për aq kohë sa qytetari respekton ligjet dhe detyrimet kushtetuese të SHBA-së. Asnjë studim zyrtar apo raport institucional nuk ka provuar se shtetësia e dyfishtë përbën rrezik për sigurinë kombëtare, rendin kushtetues apo besnikërinë qytetare.

Në këtë kuptim, projekti duket se nuk buron nga një problem real, por nga një qasje ideologjike ndaj konceptit të besnikërisë. Ai niset nga supozimi se besnikëria politike nuk mund të jetë e shumëfishtë, e ndarë ose e shtresëzuar. Ky supozim bie ndesh me realitetin juridik dhe shoqëror të një shteti federal, multietnik dhe global si SHBA.

Një tjetër element problematik është afati kohor i imponuar për zgjedhje. Vendosja e një periudhe prej një viti si afat për një vendim shumë të rëndësishëm juridik, familjar dhe civil të individit është një gjë krejtësisht e pamenduar. Në praktikë, shumë qytetarë amerikanë me shtetësi të dyfishtë ndodhen në situata ku heqja dorë nga njëra shtetësi ka pasoja të panjohura ligjore, pronësore ose familjare në vendin tjetër. Projektligji nuk ofron asnjë alternativë apo mekanizëm për të adresuar problemet që mund të krijohen.

Edhe argumenti i “interesit kombëtar” mbetet i paqartë. Një shtet që e konsideron shtetësinë e dyfishtë si kërcënim të brendshëm rrezikon të relativizojë vetë konceptin e shtetësisë si e drejtë kushtetuese. Në vend që shtetësia të shihet si lidhje e qëndrueshme juridike mes individit dhe shtetit, ajo reduktohet në një status të kushtëzuar, të revokueshëm për arsye administrative.

Duhet theksuar se projekti ndodhet ende në fazë shumë të hershme procedurale dhe është referuar në Komitetin Gjyqësor të Senatit, ku shanset për miratim janë minimale. Megjithatë, rëndësia e tij nuk qëndron vetëm te probabiliteti i kalimit në ligj, por te sinjali politik dhe institucional që përcjell.

Paralelisht, në Dhomën e Përfaqësuesve është paraqitur një nismë tjetër, e njohur si MACA Act, nga kongresmeni Abe Hamadeh, e cila nuk synon ndalimin e shtetësisë së dyfishtë, por kërkon identifikimin statistikor të qytetarëve me dyshtetësi përmes Censusit. Edhe pse gjoja më e moderuar në formë, kjo nismë mbështetet në të njëjtin qëllim: se dyshtetësia është fenomen që duhet monitoruar si një problem potencial.

Nëse shihen së bashku, këto dy iniciativa tregojnë një prirje të re politike: kalimin nga pranimi i pluralitetit juridik drejt menaxhimit dhe kufizimit të tij. Fillimisht përmes numërimit, më pas përmes kushtëzimit.

Në botën e sotme, ku kapitali, korporatat dhe elitat ekonomike veprojnë përtej kufijve kombëtarë, fokusimi te pasaporta e dytë e qytetarit të zakonshëm duket anomali.

Historikisht, forca e shtetësisë amerikane ka qëndruar te aftësia për të përfshirë, jo për të përjashtuar. Ajo ka qenë një marrëdhënie politike e ndërtuar mbi besnikërinë ndaj Kushtetutës dhe ligjit, jo mbi një identitet të vetëm, të detyruar apo ekskluziv. Qytetaria amerikane u ka lejuar brezave të emigrantëve të bëhen pjesë e shtetit pa u kërkuar të fshijnë gjuhën, historinë apo lidhjet e tyre personale me vendet e origjinës. Është pikërisht forca e kësaj tradite që nisma të tilla të mbeten më shumë sinjale politike sesa politika reale. Prandaj, në praktikë, këto projektligje kanë shumë pak shanse të miratohen, sepse bien ndesh me historinë, parimet dhe vetë identitetin juridik të shtetit amerikan. Pra, na mbetet vetëm të presim dhe të shohim.