Prokuroria e Krimeve të rënda kërkon arrest me burg për Admir (Gjuljano) Çerpjen 35 vjeçarin e konsideruar si një ndër dy organizatorët e grabitjes së parave në aksin Qafë Kashar-Rinas në dhjetor 2015 e shkurt 2017.
 
Teksa në terren uniformat blu janë në kërkim të parave, nga ku rezulton se ky grup ka grabitur në total afro 7 milion euro dhe janë gjetur deri më tani 1.5 të groposura në tenxhere me presion në banesën e Çerpjes, Avdylajt e Xhyliut.
 
Çerpja ka pranuar përballë hetuesve përfshirjen e tij në grupin e grabitjeve ndërsa gjatë kësaj jave burime për Report Tv bënë me dije se 5 të arrestuarit do të ballafaqohen me njëri tjetrin për të hedhur dritë mbi deklarimet dhe versionet që ata japin.
 
I vetmi Person që deri më tani nuk pranon akuzën është Ernest Kupa biznesmeni i picerisë nga Kruja.
 
Por si u arrit deri te pjesëtarët e këtij grupi?
 
I pari që ka folur rezulton Fation Xhyliu i cili sipas kësaj faksimile të prokurorisë ai rrezikon nga 10 deri në 15 vite burgim.
 
Më pas ka qenë ish ushtarakët Detion Memlikaj e Neim Avdylaj që kanë zbuluar si kryheshin grabitjet, rolin e grupit dhe vendin se si ruheshin paratë pasi ata i ndanin.
 
Një tjetër dëshmi për prokurorët se grupi drejtohej nga Admir Nikaj dhe Admir Çerpja është dhe deklarimi i Neim Avdylajt i cili teksa bënte plane me Çerpjen i deklaronte atij besnikërinë ndaj grupit kriminal edhe nëse ata një ditë zbuloheshin nga policia.

Aktualisht në kërkim është Admir Nikaj dhe 3 persona të tjerë për të cilët prokuroria deklaron se nuk mund ti bëjë publike për shkak të sekretit hetimorë.
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com