Çështja ‘Doshi’- Të mërkurën mblidhet Këshilli i Rregullores


Keshilli i Rregullores ne mbledhjen e dites se shtune
TIRANË, 24 Mars/ATSH/.- Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, pritet të mblidhet të mërkurën pasdite (ora 18:00) në vijim të shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënie autorizimi për arrestimin e dy deputetëve, Tom Doshi dhe Mark Frroku.
Mbledhja e ditës së hënë u shty për te merkuren me kërkesë të deputetit Doshi, i cili kërkoi dy ditë kohë, pasi ishte i pamundur nga ana shëndetësore, që të merrte pjesë në mbledhje. Kjo kërkesë e tij u mor parasysh nga anëtarët e Këshillit, të cilët pranuan shtyrjen e mbledhjes.
Këshilli i Rregullores e nisi të shtunën shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë, në prani të përfaqësuesve të organit të akuzës dhe të deputetëve Doshi e Frroku. Por, pas diskutimeve, Këshilli vendosi të pranojë kërkesën procedurale të Doshit për më shumë kohë në dispozicion në njohjen e kërkesës në fjalë, si dhe për të pasur një avokat mbrojtës. Deputeti Frroku nga ana e tij, depozitoi në Këshill me shkrim, shpjegimet dhe vërejtjet rreth çështjes.
Sipas rregullores, Këshilli harton një raport mbi kërkesën e prokurorisë, i cili votohet më pas në Kuvend. Pritet që parlamenti të mblidhet në një seancë të posaçme për të votuar kërkesën për arrestimin e dy deputetëve.
Kërkesa ndaj dy anëtarëve të parlamentit pason hetimet e nisura pas deklaratave të Doshit se ndaj tij dhe deputetit demokrat Mëhill Fufi, kishte pasur një plan për vrasje dhe se pas këtij skenari qëndronte kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.
Pas dy javë hetimesh intensive, Prokuroria deklaroi se 'nuk rezultoi ndonjë e dhënë konkrete dhe e besueshme për organizimin e vrasjes së Tom Doshit, e mbetur në tentativë', dhe se 'në bazë të provave dhe fakteve të mbledhura nga hetimi, ka arritur në përfundimin se kjo ngjarje është inskenuar nga shtetasit Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami'.
Sipas prokurorisë, dy deputetët janë të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale'; 'kallzim i rremë'; 'kanosje për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë' dhe 'deklarata të rreme përpara Prokurorit'.
Megjithë qëndrimin ndaj çështjes "Doshi", Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të votojë pro kërkesës së prokurorirë për arrestimin e dy deputetëve në fjalë. /a.s/ /a.ke/
 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Fusha e mbetjeve përfshihet përsëri nga flakët, zjarrfikësit drejt vendngjarjes!