Ministri Ferit Hoxha u pyet në Report Tv edhe për raportin e Shqipërisë me Greqinë. Duke u ndalur te çështja e detit, Hoxha tha se Shqipëria ka ngritur ekipin negociator dhe pret dakordësinë e Presidentit të Republikës. Sipas tij, palët pritet të dakordësohen së shpejti për hapat që do të ndjekin.

Hoxha tha se ka një kohë të gjatë që mes dy vendeve nuk ka acarim të raporteve dhe theksoi se Athina ka mbështetur hapjen dhe mbylljen e kapitujve të negociatave për vendin tonë. Ai kujtoi se Greqia do të mbajë presidencën e Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027, vit kur Shqipëria synon të mbyllë të gjithë kapitujt. Mes dy vendeve po diskutohet edhe çështja e pensioneve.

Pyetje: Zoti ministër, në marrëdhëniet me Greqinë ndonjëherë mjafton edhe një çështje e vogël që raportet të acarohen. Cilat janë sot çështjet më urgjente mes dy vendeve?

Ministri Hoxha: Ka një kohë të gjatë që nuk kemi parë acarim mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kemi parë, përkundrazi, bashkëpunim, mbështetje, pjekuri dhe maturi në qëndrimet e të dyja vendeve. Mbi të gjitha, kemi parë një dakordësi themelore, që për mua ka shumë rëndësi. Greqia ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Dua ta theksoj. E kam thënë edhe më parë dhe mund të duket diçka e njohur, por është shumë e rëndësishme. Pa dakordësinë e Greqisë, asnjë kapitull nuk do të ishte hapur apo mbyllur dhe asnjë kapitull nuk do të mund të mbyllej në vijim. Është dakordësia e Greqisë, së bashku me atë të 26 vendeve të tjera, që i ka mundësuar Shqipërisë të ecë përpara.

Të mos harrojmë se në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm Greqia do të mbajë presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian, pra do të hartojë dhe përcaktojë axhendën. Ky do të jetë viti më i rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve tona me Bashkimin Europian dhe ndoshta edhe për të ardhmen e Shqipërisë. Është viti në të cilin synojmë të mbyllim të gjithë kapitujt.

Për çështjen e detit ka një dakordësi prej vitesh për ta çuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por duket se çështja është lënë në heshtje.

Hoxha: Nuk është lënë në heshtje. Është ngritur ekipi negociator dhe presim të marrim dakordësinë e Presidentit të Republikës.

Në ekipin negociator shqiptar bëjnë pjesë përfaqësues të një numri të madh institucionesh. Në ekip diskutohet me hollësi çdo aspekt i këtij procesi që, siç mund ta merrni me mend, është shumë kompleks.

Kemi tentuar dy herë ta zgjidhim çështjen me marrëveshje, përmes bisedimeve mes palëve. Kjo nuk qe e mundur dhe nuk ka asgjë të pazakontë këtu. Edhe shumë vende të tjera kanë tentuar t’i zgjidhin çështje të tilla mes tyre dhe më pas i janë drejtuar një pale të tretë. Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord që në këtë rast t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Shumë shpejt do të biem dakord për mënyrën se si do të procedojmë, për hapat që do të ndjekim dhe për qasjen e secilit vend.


Lajmi kryesor:

Shtyrja e samitit të NATO-s, Hoxha në Report Tv: Kurdo që të mbahet, do të jetë në Tiranë! Gati të mbyllim 5 kapituj me BE-në brenda vitit! Rikthehen mbledhjet e qeverisë me Kosovën